Kemi rënë në sevdá me ambasadorët
O Zot, sa shumë shkrime bëhen lidhur me ambasadorët e rolin e tyre në Shqipëri! Nuk ka ditë që të mos ketë një të tillë këto kohë. Kurrë nuk janë bërë kaq shkrime, gjë që do të thotë se, të paktën në perceptimin e publikut të këtushëm, regjimi ambasadoro-kratik ka marrë përmasën e shtrirjen e një flame. Me fjalë të tjera kjo do të thotë se ambasadorët e huaj janë duke ushtruar gjithnjë e më shumë pushtet, s’ka gjë se nuk kanë mandat për të ushtruar ndonjë lloj pushteti apo ndikimi këtej nga anët tona.
Ka kuptim kjo? Edhe një fëmijë e kupton, që kjo s’ka kuptim. Mandatin për të ushtruar pushtet në një vend sovran ta japin e ta heqin ose zgjedhësit, ose institucione kushtetuese, të cilave u njihet me ligj kjo e drejtë, e rrjedhimisht pushteti i ambasadorëve është një gjë që s’ka themele. Ne kemi një kushtetutë, që është ligji bazë i shtetit tonë, dhe të gjithë e dinë, që ambasadorët nuk janë element i rendit kushtetues shqiptar. Kush merr mundimin ta lexojë kushtetutën tonë, do të hasë termat “qeveri”, “parlament”, “gjykatë”, “prokurori”, “forcat e armatosura”, etj, por nuk ka për të hasur termin ambasador. Dhe nuk ka se si të jetë ndryshe. Një ambasador nuk ka se si dhe se pse të ushtrojë pushtet në vendin ku është akredituar thjesht e vetëm për të përfaqësuar e mbrojtur interesat e vendit të vet.
Por ja që praktikisht nuk është kështu. Madje, ambasadorët e huaj në Tiranë kanë pushtet më të madh se sa ai që vota e shqiptarëve u jep të zgjedhurve ‘vendalinj’. Ka qar apo qeder nga kjo punë? Ka edhe qar, edhe qeder. Me pushtetin që kanë, ata rëndom janë bërë së pari i vetmi burim legjitimiteti i një pushteti që del nga zgjedhje të kontestueshme e të kontestuara, dhe së dyti i vetmi mekanizëm ekstra-konstitucional që garanton në një farë mase funksionimin efektiv të praktikës check&balance në ndarjen e pushteteve. Fjala vjen, rolin e faktorit që check-on e balancon pushtetin egzekutiv tek ne do duhej ta luanin institucione të ndryshme të shtetit, por për arsye të njohura e të kuptueshme, ato nuk kanë mundur e nuk munden ta luajnë. Ambasadorët nuk bëjnë gjë tjetër, veçse mbushin këtë boshllëk, aq sa mund ta mbushin e kur ua jep në kokë që ta mbushin. E vërteta është se ata mbushin një boshllëk edhe në rastin tjetër, në rastin pra kur u duhet të japin opinione e të mbajnë qëndrime, të cilat shërbejnë për të legjitimuar fituesin e zgjedhjeve. Është për të qeshur (apo për të qarë?), por kështu është: gjetkë legjitimiteti i pushtetit buron nga vota, ndërsa këtejpari legjitimiteti i pushtetit buron nga opinioni i ndërkombëtarëve. Sikur këtyre të fundit t’ua japë truri (s’ka për t’ua dhënë, në fakt) të dalin nesër me një deklaratë të përbashkët, ku të thonë se fitorja e Lulzim Bashës në Tiranë nuk është e besueshme, merret vesh se qysh nga ai moment nuk vlejnë më vendimet e KQZ-së e të Kolegjit Zgjedhor. Përballë autoritetit të ambasadorëve, dhe ndërkombëtarëve, nuk vlen një grosh as “madhëria e tij”, Sali Berisha.
Më ka mbetur në mendje një ballafaqim i viteve më parë i kryeministrit tonë me ambasadorin amerikan John Withers. Ish, me sa më kujtohet, një veprimtari që zhvillohej në hotel Tirana, dhe në të merrnin pjesë që të dy njerëzit me pushtet të vendit, ambasadori amerikan pra dhe kryeministri. Një ditë më parë, kryeministri kish nxjerrë Astrit Patosin për t’iu përgjigjur një qëndrimi tepër kritik të ambasadorit lidhur, në mos gaboj, me qasjen furacake të egzekutivit në marrëdhëniet me institucionet e sistemit të drejtësisë. Dhe Patosi, inteligjent me lejen e Berishës, tha në atë rast, se “ambasadori është keqkuptuar, dhe se ky është një keqkuptim që mund të kapërcehet”. I pickuar prej kësaj përgjigjeje të pushtetit në stilin “hidh gurin e fshih dorën”, zotëria nga Amerika u ngrit e tha në aktivitetin e një dite më pas, në prani të kryeministrit, se “nuk ka asnjë keqkuptim në këtë mes”, se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk keqkuptohen”, dhe se “qëndrimin tim e nënvizoj fort edhe në këtë takim”. Kamerat kapën pamjen e kryeministrit tonë; të vinte turp të shihje kryeministrin e vendit tënd të zgërlaqur përballë ambasadorit; dhe momenti e donte që ai të mbronte qoftë sovranitetin e nderin e postit që mbante dhe mban, qoftë qëndrimin e Patosit, që ishte i veti. Nuk bëri as njërën, as tjetrën. Qëndroi i zgërlaqur gjithë kohën.
E shikoni se sa pushtet ka një ambasador? “I fut frikën” dhe atij, të cilit ne të këtushmit “ia kemi frikën” që të gjithë. Ishte një rast për ta përbuzur kryeministrin tonë dhjaks, që s’pati guximin për t’i dalë për zot politikës së vet përballë arrogancës së një ambasadori? Pse jo? Por më shumë ishte rasti për t’u shqetësuar prej arrogancës së ambasadorit, që arriti deri atje sa ta bënte të strukej njeriun më të pushtetshëm në Shqipëri. Po pse nuk u ngrit Berisha t’i jepte përgjigjen prej kryeministri? Kjo dihet: ai është njeri zullumesh, dhe mbështetjen e ndërkombëtarëve ai nuk e kërkon për punë të mira, por e blen për punë të ndyra; prandaj, ai nuk ka ç’t’i thotë një ambasadori që u bie drejt gjërave; ai thjesht lutet që ambasadorëve t’ua dojë puna të mos hapin gojën, siç nuk e hapën kur ai vrau katër vetë të pafajshëm, të pambrojtur e të parrezikshëm në bulevard, apo siç nuk po e hapin tani, edhe pse ai qartazi ka vjedhur fitoren e zgjedhjeve në Tiranë. Sikur ta hapin gojën, ai do të bëjë si gore, bash si bëri me të dërguarin e Ashton-it, diplomatin Lajcak, të cilit i tha pas ngjarjeve të 21 janarit: më thuaj ti çfarë të bëj, dhe unë do ta bëj. Ky lloj kryeministri pa pikë dinjiteti përballë një diplomati të huaj është rezultati më i parë i ambasadoro-kracisë. Dhe më i shëmtuari.
Sikur dikush të më kërkonte zgjidhje, unë nuk do dija ç’t’i thosha. Nuk shoh ndonjë zgjidhje. Ambasadoro-kracia është një e keqe e nevojshme. Ne shqiptarët nuk mund ta shmangim ambasadoro-kracinë. Ne prodhojmë politikanë të këqinj, shumë të këqinj, të cilët vinë e rrinë në pushtet duke vrarë, vjedhur, plaçkitur (deri dhe vota), e në këto rrethana janë vetë këta që e “shpikin” ambasadoro-kracinë për nevoja të tyret. Nuk kanë legjitimitet prej votave të vjedhura? Punë e madhe, ata kanë shpikur një burim alternativ legjitimiteti, dmth opinionin e diplomatëve të huaj, me të cilët, në ndryshim nga zgjedhësit e pabesë e tekanjozë, hesapet janë më të kollajta për t’u bërë. Berisha nuk do t’ia dijë për zgjedhësit shqiptarë, për opozitën shqiptare, për gazetarët shqiptarë, për institucionet shqiptare, të cilët ose i ka me vete, ose i bën për vete, ose i shtrëngon t’i shkojnë pas vetes. Ai ka vetëm një shqetësim: të mbajë nën kontroll reagimet e komunitetit ndërkombëtar, të mbajë nën kontroll Doris Pack-un, Wolfgang Grosssruck-un, Thomas Countryman-in, Stefan Fule-n, Ashton-in, Arvizu-në, Sequi-në, Wollfarth-in, etj.
E vërteta është, se këta të fundit, në të shumtën e kohës e për të shumtën e gjërave, po e mbështesin. Mirëpo, nga ana tjetër, edhe pse momentalisht po mbështesin një regjim putin-ian në Shqipëri, duhet thënë “shyqyr që janë këta”. Po sikur të mos ishin? Një shoqëri si kjo e jona jo vetëm që prodhon vazhdimisht udhëheqës të prapë, por nga ana tjetër nuk është në gjendje, që e vetme, t’u vërë fre prapësive të tyre. Pa ndihmën e praninë e të huajve, qoftë dhe si simpatizantë të përmbajtur të Berishës, punët do të ishin shumë më keq. Prandaj, edhe njëherë po them: shyqyr që i kemi. Në këtë kuptim, mua nuk ma shpif ambasadoro-kracia si ambasadoro-kraci; në mungesë të demokracisë (dhe ne shqiptarët nuk ia themi shumë kur vjen puna për të ndërtuar apo për të jetuar në demokraci), ambasadoro-kracia nuk ka të sharë.
Çështja është që ndërkombëtarët ta luajnë plotësisht e ndershmërisht rolin që u është dashur të luajnë. Si? Një model është ambasadori danez në Shqipëri. Lexoni intervistën e tij në revistën Mapo (www.revistamapo.com). Ajo intervistë është një manual për regjimin tonë ambasadoro-kratik. Ambasadori danez thotë veç të vërteta; dhe me një gjuhë rigorozisht diplomatike. Mban anë? Synimi i tij nuk është të mbajë anë, por të thotë të vërteta, dhe qëllon shpesh të mbash anë kur thua të vërteta.
Ah, ju kërkoj ndjesë, pasi nga fundi i intervistës e thotë një të pavërtetë. “Kam besim tek populli shqiptar”, thotë me pahir. Le t’ia bëjmë kabull këtë të pavërtetë.
Comments
Aspak nuk kam rene ne sevda
Aspak nuk kam rene ne sevda me ambasadoret. Me vjen po aq keq t'i shoh neper tv sa c'me vjen kur shoh kryeministrin. Artikulli gjithsesi eshte i mire.
Z. Nano! Mbetesh gazetar i
Z. Nano! Mbetesh gazetar i guximshem dhe i madh (here-here)!
Shkrimi juaj, i shtohet shkrimeve te tjere lidhur me shurroambasadoret e Tiranes. Nese keta e quajne veten ambsadore, atehere si mund te quhet ambasdori në Shqipëri?
Keta, "treshja nderkombetare", qe nganjehere duken si organi mashkullor, nje trupmadh, dhe dy trupvegjel, nuk kane ardhur ne Shqiperi, ne rradhe te pare per te perfaqesuar denjesisht politiken e vendet te tyre apo te institucioneve qe i kane derguar, por per te mbrojtur regjimin mafioz dhe te korruptuar te Sali Berishes, dhe sigurisht jo falas. Nuk me cudit aspak qendrimi i dukshem i njeanshem proqeveritar i dy ambasadoreve te Evropes (bulldogu i OSBE dhe miu i BE), por eshte i pashpjegueshem qendrimi servil dhe frikacak i ambasadorit te nje vendi te madh. Si, shiko qendrimin per vrasjet e 21 janarit, 2011, shiko qendrimin para fushates elektorale te Lul Bashes, gjate fushates dhe mbas vjedhjeve dhe manipulimit te votave per Bashkine e Tiranes, si edhe veprimet antilgjore te KQZ dhe te Kolegjit Zgjedhor. Te tjera do te shohim dhe do te degjojme nga ky ambasador dhe nga dy ambasadoret e tjere. Thjesht dhe qarte: Jane ambasadore per te perfituar ndonje truall, ndonje cope plazhi, ndonje apartament, apo per te shfrytezuar ndonje zuzke shqiptare, dhe keto te gjitha, ne kuadrin e marredhenieve shume te ngushta dhe te shkelqyera midis dy vendeve. Turp Z. Nano, dhe fatkeqesi per vendin tone dhe per shqiptaret! Z. Sali e di se nga fillon dashuria!
Ketyre s'duhet tu degjohet
Ketyre s'duhet tu degjohet fjala ketu ne Shqiperi, por jane keta "udheheqesat" tane qe e bejne te mundur dhe e promovojne kete gje. Si rrjedhoje perfundon ambasadori me po aq mbulim sa kryeministri neper media, duke i dhene ketu kete pushtet fals qe ka cdo europarlamentar i mbaruar.
Add new comment