Kërcënimet e dyfytyrëshve!
Besimtarët nuk kërcënojnë! Ky është parimi themelor i të besuarit. Në secilin religjion botëror kërcënimi është i ndaluar, por jo vetëm kaq.
Në fakt, religjionet me përmasa botërore mësojnë dashurinë, bamirësinë, solidaritetin, afërsinë me njerëzit. Mësimet religjioze nuk përfshijnë dhunën, kërcënimin, shantazhin, poshtërsitë.
Porse, predikimi i mësimeve religjioze është diçka subjektive. Dikush mund t’i japë kah plotësisht tjetër të dhunshëm të njëjtit mësim që dikush tjetër mund t’i japë kah të dashurisë për njeriun tjetër. Prandaj, duhet pasur të qartë (shpresoj të jetë e qartë edhe për TY që po e lexon tash!) se njeriu nuk është religjioni. Hoxha nuk është Islami, prifti nuk është Krishterimi, Rabini nuk është religjioni hebre. Këta janë njerëz. Islami, Krishterimi e Hebraikja janë shumë më shumë sesa njeriu. Janë shumë më shumë sesa njerëzimi që jeton aktualisht në këtë botë.
Në Kosovën tonë, të shekullit 21, kanë marrë hov kërcënimet dyfytyrëshe ndaj fjalës dhe mendimit ndryshe. Po them dyfytyrëshe sepse këta nuk kanë as guximin njerëzor të tregojnë fytyrën e vërtetë. Kryesisht kërcënojnë të fshehur. Duke përdorur profile të rrejshme në rrjete sociale. Duke përdorur e-mail adresa të rrejshme. Duke përdorur numra telefoni një-përdorimesh vetëm sa për të të dërguar një sms kërcënues. Kaq janë këta. Të paguxim njerëzor që të tregojnë veten.
Në të vërtetë, këta thirren se janë besimtarë islam. Por, vetë-argumentojnë diçka tjetër. Këta shkelin një prej elementeve bazike të Islamit: nuk duhet gënjyer! Pra, gënjeshtra është rreptësishtë e ndaluar në mësimet e Islamit.
E çka bëjnë këta?
Gënjejnë emrin dhe mbiemrin e vet. Gënjejnë fotografinë e vet. Gënjejnë qytetin ku jetojnë. Gënjejnë datën, muajin dhe vitin e lindjes. Gënjejnë profesionin. Madje, gënjejnë gjininë. Pastaj, në pothuajse secilën fjali kërcënuese i kanë të përfshira disa gënjeshtra. Sikurse: “unë kam qenë në zyrën tënde”, “të shoh për çdo ditë te shtëpia apo banesa”, “jemi fqinj shumë afër”, “të ndoqa dje, por ike”, “më prit nesër në ora 10, të vij te zyra”, e të tilla e të tilla.
Sa më shumë të gënjesh, aq më besimtar i devotshëm? A është kjo logjika e këtyre njerëzve?
Këso logjike dhe kërcënimesh nuk janë të vitit 2014 dhe nuk janë të reja. Ka vite e vite që njerëzit në Kosovë përballen më këso kërcënimesh.
Por, është edhe një e vërtetë e hidhur në këtë mes: njerëzit në Kosovë nuk solidarizohen me të tjerët derisa të përballen vet me diçka të tillë!
Pse kjo? Pse ka humbur solidariteti mes njerëzve në Kosovë? Çka ka ndodhur? Ku na çon kjo?
Tek e fundit, në këtë far “profesionin” e të qenit i kërcënuar nga “besimtarët” e devotshëm që gënjejnë në të gjitha format, kam një kompetencë eksperience të flas.
Për mua, javë më parë ka kaluar numri i 1000 kërcënimeve që më janë bërë. Në rrjete sociale, e-mail, mesazhe telefonike. Një pjesë të caktuar në momente të caktuara i kam bërë publike. Me fotografi të prerjes së kokës, për shembull. Dhe, këto kanë filluar qysh katër vjet më parë. Pa ndalur. Për çudi, në të njëjtën logjikë: gënjimi i emrit e mbiemrit dhe i gjithçkaje tjetër.
Sot, fatkeqësisht, të kërcënuarit janë më shumë. Atyre të kërcënuarve që unë iu bashkëngjita vite më parë, tashmë i janë zgjeruar rrethet. Në vend se të ishte e kundërta, pra që numri i këtyre rasteve të zvogëlohej deri në zhdukje të kërcënimeve.
Porse, shqetësimi është rritur. Vetëdija ndaj të keqes është rritur. Pak kohë më parë, pak vite më parë, ka qenë e vështirë të dalësh në opinion dhe të bësh thirrje që mos të shkohet në luftë në Siri. Është parë sikur po i mban anën Al-Asadit.
Duhet ta themi të vërtetën. Mos të frikësohemi nga e vërteta.
Kërcënimi dhe kërcënuesit nuk duhet të tolerohen. Nuk duhet të injorohen. Nuk duhet të anashkalohen.
Janë dyfytyrësh ata që kërcënojnë. Janë të ulët ata që mashtrojnë e gënjejnë.
E besimtari i devotshëm nuk është as dyfytyrësh, as mashtrues, as gënjeshtarë.
Duhet forcuar masat e shtetit kundër kërcënuesve. Menjëherë, të fillohet fuqishëm në kapjen dhe dënimin e atyre që kërcënojnë gazetarët dhe mediat. Kështu nuk bën më!
Autori është sekretar i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës – AAK. Ky artikull është shkruar për Gazetën Express.
Add new comment