Internacionalizmi i Lubonjës dhe patriotizmi virtual

Postuar në 23 Tetor, 2014 04:59
Mark Marku

Nuk kisha ndër mend të përfshihesha në valën patriotike që ka përfshirë shqiptarët pas ndeshjes Shqipëri-Serbi sikur të mos më kishte joshur një ftesë për debat mbi nacionalizmin që Fatos Lubonja na bënte nëpërmjet shkrimit “Shqiptarët dhe serbët do marrin shuplakën e merituar nga Europa”, të botuar dje në gazetën “Panorama”. Mendoja se akti i admirueshëm i sjelljes së futbollistëve të Kombëtares në stadiumin e Beogradit fliste më shumë se miliona fjalët që shoqëruan zhurmnajën rreth këtij akti. Akti ishte i thjeshtë dhe i thoshte të gjitha: patriotizëm spontan i disa djemve kurajozë që, në një stadium të mbushur me armiqësi dhe urrejtje kundër shqiptarëve, u shkëpusin nga dora futbollistëve serbë një flamur provokues që ishte hedhur nga dikush jashtë stadiumit. Them flamur provokues pasi përveç shqiponjës që është simboli mbizotërues i flamurit shqiptar, ai përmbante edhe portretet e dy themeluesve të shtetit shqiptar, Ismail Qemali dhe Isa Boletini (ky i fundit i ardhur me vonesë në aktin e themelimit të shtetit shqiptar), si dhe një hartë të Shqipërisë etnike. Isha i bindur se futbollistët shqiptarë e kishin rrëmbyer këtë flamur të hedhur në fushë nga dora e futbollistëve serbë jo se mbronin idenë e Shqipërisë së Madhe, por se në mënyrë instinktive kanë parë një simbol kombëtar si shqiponja në duart e futbollistëve serbë. Mendoja se në vetvete, ky akt ishte një mesazh i thjeshtë dhe i madh patriotik: secili në një moment të caktuar aty ku ndodhet dhe ku i jepet rasti duhet të bëjë gjënë më të mirë për vendin e tij. Gjithçka tjetër në gjykimin tim është jo patriotizëm, po hipokrizi. Ajo që më grishi për të polemizuar me shkrimin e Lubonjës nuk ishte sensi kritik i shkrimit ndaj ekzagjerimit të ngjarjes (shyqyr Zotit kanë ngelur ende njerëz kritikë anëve tona), por ekzagjerimi kritik ose më saktë prirja për të barazuar pjesën e fajit të shqiptarëve në ngjarje me pjesën e fajit të serbëve. Duke dashur të ndërtojë narrativën e vet të autorit antinacionalist, mbi palët, ai ka shtrembëruar narrativën e ngjarjes (në teoritë e diskursit, narrativë quhet ajo pjesë e tekstit që synon krijimin e historisë së autorit apo të rrëfyesit për veten). Dhe sikur ta gjykonim ndeshjen vetëm nga këndvështrimi i Lubonjës, të krijohet përshtypja sikur shqiptarët kanë treguar po aq agresivitet dhe dhunë sa edhe serbët; se edhe shqiptarët kanë lëshuar thirrje histerike për vrasjen e serbëve; se edhe tifozët shqiptarë kanë hedhur lëndë shpërthyese dhe objekte në fushë duke e pezulluar ndeshjen mëse dy herë; se edhe tifozët shqiptarë kanë hyrë në fushë duke i qëlluar lojtarët derisa kanë dalë nga fusha e lojës dhe janë futur në dhomat e zhveshjes; se edhe policia dhe shteti shqiptar kanë përgjegjësi për rendin dhe sigurinë e ndeshjes sa edhe shteti dhe policia serbe. Problemi është se ndeshja është parë nga miliona njerëz dhe i vetmi moment ku shqiptarët dalin si protagonistë (të dyshuar) konflikti në këtë ngjarje është moment i hedhjes së flamurit varur pas një objekti fluturues. Dhe në atë rast nuk kemi të bëjmë me një akt kolektiv, por me një akt individual të një individi i cili, duke sfiduar gjithë hermetizmin që serbët i kishin garantuar ndeshjes, hodhi provokimin “e tmerrshëm” të Shqipërisë së Madhe në formën e një shqiponje të rënë nga qielli.

Nacionalizëm, patriotizëm apo internacionalizëm

Prej këtij momenti Lubonja ngre edhe shqetësimin e madh për nacionalizmin e të dyja palëve, sidomos për nacionalizmin shqiptar. Obsesioni i Lubonjës për nacionalizmin shqiptar është tashmë i njohur, por në këtë rast, shqetësimi i tij është krejt i paargumentuar. Së pari, Lubonja aktin e një njeriu e përgjithëson si nacionalizëm shqiptar. Atë flamur nuk e hodhi gjithë Shqipëria, gjithë shqiptarët, qeveria shqiptare apo tifozët shqiptarë të pranishëm (papranishëm në stadium), por një i dyshuar si emigrant (nëse hedhësi është vërtet personi i deklaruar deri tani), një aventurier, në gjykimin tim simpatik për guximin e tij për të tejkaluar të gjitha pengesat deri në majën e një kishe serbe nga ku hodhi “Shqipërinë e Madhe”. Lubonja irritohet pse provokimi i tij nuk është korrekt nga ana politike. Po çfarë korrektësie politike mund t’i kërkohet një njeriu që rrezikon jetën e vet për t’u ngjitur në kupolën e një kishe në një territor të “ruajtur” nga 4 mijë policë? A përbën ky një fakt nacionalizmi kombëtar? Brohoritja e aktit të tij nga miliona shqiptarë, sipas Lubonjës, është nacionalizëm i rrezikshëm, por kujdes, fakti që shqiptarët nuk u indinjuan për aktin e tij dhe nuk u distancuan qartësisht prej tij nuk do të thotë se po përgatiten për realizmin e projektit të Shqipërisë së Madhe. Pastaj, zoti Lubonja, nga dëshira për përgjithësim lë pas dore nuancat: domethënë me kë u solidarizuan shqiptarët: me palën shqiptare të gjendur papritur mes një stadiumi që i ngjante më shumë në arenë gladiatorësh ku kërkohej vdekja e njërës palë në arenë (“vritini, vritini shqiptarët” thërriste gjithë stadiumi), apo me idenë e Shqipërisë së Madhe? A e ka parasysh zoti Lubonja se në momentin kur ka një përballje, qoftë kjo edhe sportive, ndeshja luhet në dy nivele ose realitete: në atë konkret dhe në atë simbolik, dhe se ata futbollistë në fushë nuk bënin një ndeshje calceto në lagje, por ishin kombëtaret e dy vendeve, me simbolet e këtyre dy vendeve dhe që përfaqësojnë komunitetet respektive? Ajo që të habit është se zoti Lubonja, edhe pse është marrë disa herë me nacionalizmin e shqiptarëve, nuk bën kurrfarë ndryshimi mes nacionalizmit dhe patriotizmit. Nëse patriotizmi është mënyrë sjellje apo kompleks emocional që lidhet me dashurinë për vendin apo simbolet e tij, nacionalizmi është lëvizje për të krijuar struktura të tilla shtetërore ku njësia politike (shteti) të përputhet me njësinë etnike (Hobsbaum). Nga gjithë kombet europiane, kombi shqiptar është kombi që e ka më të vogël këtë përputhje. Dhe deri tani nuk kemi parë ndonjë lëvizje të shqiptarëve për ta realizuar këtë projekt. Madje, edhe organizatat politike të krijuara sipas një programi të tillë kanë dështuar në realitetin politik shqiptar. Sikur shqiptarët të ishin nacionalistë siç frikësohet Lubonja, Aleanca Kuq e Zi në Shqipëri dhe Vetëvendosja në Kosovë do të ishin parti në pushtet. Por dihet mirë se Aleanca Kuq e Zi nuk mori as 1% të votave të shqiptarëve të Shqipërisë dhe Vetëvendosja rreth 12% në Kosovë (për hir të së vërtetës edhe këto jo për shkak të projektit të bashkimit, por për shkak të opozitës së fortë që i bën qeverisë dhe sistemit politik e institucional të Kosovës). Edhe kur vjen puna për ta trajtuar nacionalizmin, Lubonja e shikon nacionalizmin nga këndvështrimi internacionalist: domethënë si diçka tërësisht të keqe, ose si burim i të gjitha të këqijave. Kështu, atij i mjafton për ta shpjeguar nacionalizmin vetëm shprehja e stërpërdorur: “Nacionalizmi është strofulla e fundit e horrave”, ndërkohë që lë mënjanë historinë e botës, e cila na tregon qartë se përsa i përket epokës moderne, është shënjuar kryesisht nga lëvizjet nacionaliste, domethënë nga lëvizjet për krijimin e shteteve kombëtare, dhe harta e sotme politike e botës është produkt i këtyre lëvizjeve. Sipas interpretimit semplist të Lubonjës, etërit themelues të këtyre shteteve janë thjesht horra. Ndërkohë që harrohet se horrat janë edhe nga radhët e nacionalistëve, edhe të internacionalistëve (këtu janë edhe më të shumtë), edhe të kozmopolitëve. Madje, duke lexuar Lubonjën të krijohet përshtypja sikur nacionalizmi është vetëm dukuri shqiptare apo ballkanike, a thua se Europa e sotme nuk zien nga lëvizjet nacionaliste (në Angli skocezët, në Spanjë katalanasit dhe baskët, në Francë korsikanët, në Itali padanasit), pa përmendur hapësira të tjera si Europa e Lindjes, Lindja e Mesme, Azia etj., ku janë në zhvillim e sipër lëvizje të forta nacionaliste. Madje, Lubonja harron të përmendë se vetë projekti i Europës së Bashkuar si projekt mbinacional ka pasur shumë pak sukses në dobësimin e shteteve kombëtare të anëtarëve të saj. Një vështrim më kompleks i dukurisë së nacionalizimit dhe shteteve kombëtare nuk bëhet duke u mbështetur mbi një batutë të shumëpërdorur, por duke e studiuar nacionalizmin si dukuri me gjithë kompleksitetin e tij, siç bënë E. Hobsbaum, U. Altermatt, A. Smith, P. Geary, G. Hermet, D. Schnapper, B. Anderson, E. Gellner dhe dhjetëra autorë të tjerë prestigjiozë që thonë shumë më tepër se një batutë. Nëse do ta shikonim me një thellësi të tillë dhe nëse këtë dije do ta përdornim si lupë për realitetin shqiptar, do të vërenim se ai karakterizohet jo nga nacionalizmi, por nga një minimum nacionalizmi. Pa e gjykuar këtë as si gjë të mirë dhe as si gjë të keqe, pasi autori i këtyre radhëve nacionalizmin e gjykon thjesht si një proces historik, do thosha se ndaj shqiptarëve mund të jesh kritik ndaj shumë veseve, por jo ndaj këtij vesi dhe se, madje, ata kanë nevojë për më pak ndjenjë inferioriteti dhe përuljeje ndaj të huajve dhe për më shumë dinjitet dhe krenari kombëtare. Nëse do të kishte vend për këshilla do t’ia huazoja një të tillë Aristotelit, i cili sugjeron krenarinë si një të mesme të baraslarguar nga përulësia dhe kapardisja.

"Panorama"

Comments

Submitted by Bard (not verified) on

<p>Mesa e kam lexuar shkrimin e Lubonjes, nuk me rezulton te kete barazvleresuar nacionalizmin shqiptar me ate serb, referuar ngjarjes ne fjale. Ka kritikuar ate kapardisje nacionaliste e cila vijoi pas ndeshjes, qe ne shume tipare i ngjet nacionalizmit serb. Gjithe ajo luzme komentesh neper rrjetet sociale nuk besoj te mund te shpjegohet ndryshe perveçse nepermjet nje ndjesie te forte frustrimi kolektiv e inferioriteti, tendenca per te gjetur apo sajuar te tjetri armikun e perjetshem, qe doemos, eshte fajtor jo vetem per ndeshjen e futbollit, por edhe&nbsp;per gjendjen e mjeruar politike e sociale ne te cilen ndodhen dy nga shtetet me te korruptuara te botes, Shqiperia e Kosova. Mbase qendron argumenti i autorit ne lidhje me Lubonjen: ai eshte teper internacionalist per te qene nje ze perfaqsues i opinionit publik. Por eshte opinioni publik qe ka nevoje te fitoje drejtpeshimin e humbur nga nje ngjarje kaq banale, dhe zerat kundrapedale, qofte edhe te ekzagjeruar si ai i Lubonjes, i sherbejne me shume ketij vendi sesa perbetimet hakmarrese te turmes online.</p>

Submitted by Sander (not verified) on

<p>SUPER ARTIKULL,&nbsp;</p>

Submitted by Dardan (not verified) on

Kurrë nacionalizmi shqiptar nuk I ka ngjarë nacionalizmit shoven serb, por kujt I thua? Një njeri që nuk njeh historinë e families s'e vet, XOR se mund të njohë historinë e Shqipërisë e aq më pak, historinë e Ballkanit, se po të jetë për historinë e botës, ky lloj njeriu I ngjan Crysopterigëve të Triasit!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.