Ideja ime mbi koncesionet
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/1455_ego_tabla.jpg?itok=nJUdaKlD)
E përditshmja ‘Dita’ ka kohë që investigon e denoncon disa praktika të dhënies së koncesioneve nga qeveritë shqiptare, dhe Genc Burimi që shkruan nga Parisi ka dhënë optikën e vet lidhur me këtë problem. Ai është dakord me denoncimin e praktikave joligjore në këtë drejtim, por ka një këndvështrim të vetin jo apriori në favor të koncesioneve. Ja shkrimi i tij i publikuar në ‘Dita’:
Beteja e kolegëve të Dita-s për të hetuar kush fshihet pas kompanive të huaja që kanë marrë ose marrin koncesione në Shqipëri është e lavdërueshme. Është një stil gazetarie investiguese, nga më të vjetrit në perëndim, që ka për meritë t’i hapë sytë autoriteteve publike dhe publikut, atje ku organet hetimore i mbyllin sytë. Në filtrin e Dita-s kësaj here ka kaluar koncesioneri gjerman i një terminali në portin e Durrësit. Biografia e tij nuk është aspak e kulluar po t’i referohemi shkrimit ekskluziv të Dita-s me titullin: “Një ish-trafikanti armësh i jepet terminali lindor në portin e Durrësit”. Kam frikë megjithatë se aftësia investiguese dhe konkluzionet e nxjerra nuk po kanalizohen në drejtimin e duhur. Këtë pikëpamje dua ta ndaj këtu me lexuesit e Dita-s.
Pyetja me koncesionet: kush apo pse?
Çështja që shtrohet nuk duhet të lidhet më shumë me “biografinë” e koncesionerit, kush është ai, sesa me pyetjen a kanë nevojë vërtetë shqiptarët të japin koncesione. Sidomos kur bëhet fjalë për ato biznese ku fitimi për publikun është i sigurt. Le të marrim lotarinë kombëtare. Fitim katërcipërisht i sigurt, por shteti preferoi ta jepte me koncesion, në vend që ta administronte nga një ndërmarrje publike që do t’i paguante taksat “një më një” pa evazion fiskal dhe do të hapte edhe më shumë vende pune. Në rastin e lotarisë kombëtare, ajo që ka shqetësuar gazetarët e Dita-s, është “biografia” e koncesionerit austriak të lotarisë pasi ky rezulton nën hetim në Austri për dhënie ryshfeti. E çfarë pastaj? Si të ishte i mirë apo i pandershëm në vendin e tij të origjinës ky koncesioner, për shqiptarët humbja është e njëjtë. Janë më pak të ardhura për financat publike. Debati mund të shtrohet në të njëjtat terma për koncesionet për naftën, për portet, ose tashti së shpejti për autostradën. Pak duhet të na interesojë kush janë koncesionerët. Më shumë duhet të na intrigojë pyetja përse na duhen konçesionerët. A kemi vërtetë nevojë për ta? Le të marrim shembullin e fundit në lidhje me autostradën e veriut që qeveria ka vendosur ta japë me koncesion. Koncesioneri që do zgjidhet me tender për menaxhimin e Rrugës së kombit, do të duhet që për të rentabilizuar investimin e tij, të vendosë për gjatë gjithë autostradës kalime me pagesë me atë çmim që do t’i pëlqejë. Duke patur monopolin, ai do të bëjë edhe “ligjin” me këto çmime duke e dëmtuar konsumatorin pa e pasuruar arkën e shtetit. Kosovarët që do të shkojnë në plazhet e Shqipërisë, s’do të kenë nga t’ja mbajnë dhe do të paguajnë për kalimin në autostradë sado që të bëjë. Shtrohet pyetja, përse këtë kalim me pagesë mos ta vërë vetë shteti shqiptar me një ndërmarrje publike që do të administrojë autostradën dhe të ardhurat të hyjnë në arkën e shtetit? Shembulli më i mirë është me Albpetrolin. Sapo shteti shqiptar e rimori nën kontroll me seriozitet (sepse publike ka qenë edhe përpara ardhjes së PS-së në pushtet), të ardhurat në disa muaj në arkën e shtetit, janë baraz me ato të disa viteve! Ky është problemi themelor i koncesioneve, a janë ato më fitimprurëse për taksapaguesin nëse objekti i dhënë me koncesion do të ishte menaxhuar nga ndërmarrje në pronë publike të shqiptarëve. Në disa raste, të krijohet pra përshtypja se me koncesionet privohet publiku nga e drejta, nga një fitim i sigurt. I njëjti problem do të shtrohet edhe për zhvillimin e turizmit. Deti, rëra, dielli u takon të gjithë shqiptarëve. Përse mos të krijohet një ndërmarrje publike (të gjitha këto ndërmarrje të jenë nën kontrollin e parlamentit), kjo ndërmarrje publike të japë me qira për ture operatore ndërkombëtare zona të bregdetit, ku privati s’ka dhe s’duhet të ketë asnjë të drejtë pronësie e të ardhurat të hyjnë në arkën e shtetit? Debati mbi koncesionet është pra shumë i gjerë dhe shumë bashkëkohor edhe për vetë ekonomitë më të zhvilluara perëndimore. Është për të ardhur keq që Dita e orienton me naivitet këtë debat mbi biografinë e koncesionerëve.
Biznese që dënohen nuk përbën habi
Hetimi në Dita mbi temën kush janë vërtetë disa nga koncesionerët në Shqipëri është megjithatë serioz dhe profesional. Por që fundi i fundit nuk duhet të na habisë shumë. Edhe firmat më të mëdha private në botë, po të bësh kërkime gjen se kanë qenë dënuar, Google, Microsoft, MacDonald, bankat zviceriane si UBS, Nike, etj, etj, po të kërkosh gjen se kanë probleme me drejtësinë fiskale, civile apo penale në vendet ku kanë selinë apo ku veprojnë. Çdokush, një individ, apo një shtet, mund të ngrejë një padi ndaj një kompanie dhe mund të fitojë. Nesër edhe CEZ në “biografinë” e tij mund të ketë të shënuar se ka qenë dënuar në Shqipëri nëse hapej gjyq dhe e humbiste. Këto konkluzione nuk na mësojnë asgjë siç përpiqet të bëjë artikulli i Dita-s, kur merr nëpër gojë një firmë të madhe franceze Sagem, që ka bërë me koncesion pasaportat dhe letërnjoftimet në Shqipëri. Është qesharake të pretendosh, siç bëhet në atë artikull, se ky koncesioner nuk është serioz pasi Sagem ka problem me drejtësinë gjermane për shkak të Nokias! Fjala është thjesht për një konflikt konkurrence në fillim të viteve 2000, kur Nokia akuzonte Sagem se i kishte kopjuar formën e një telefoni. Përse na e servir Dita ketë fakt? Për çfarë i hyn në punë kjo shqiptarëve? Po ashtu dhe dosja e gjatë mbi Heiko Luikengan që zë gati gjithë artikullin dhe shkon deri në akuza mbi ambasadën gjermane në Tiranë, duket krejtësisht e panevojshme. Punë nuk na prish Heiko Luikengani që ka marrë koncesionin e një terminali të portit të Durrësit. Punë na prish mbase pse qeveria shqiptare e ka dhënë me koncesion. A kishte mundësi Shqipëria të ngrinte vetë një terminal modern, etj, këto janë për mendimin tim pyetjet e vërteta dhe jo biografia e koncesionerit. Por Dita mendon ndryshe dhe ka vendosur të merret me rrënjë e dhëmballë me një farë Heiko Luikengan, ai që ka në koncesion terminalin lindor të portit të Durrësit. Ish-tregtar armësh në botë në vitet ‘80 (le ta kujtojmë se ky është profesion legal edhe sot në perëndim), dënuar me 1992 (22 vjet përpara !!) për shitje pa fatura pra për trafik mallrash armatime, gjermani Heiko Luikengan nuk e meritonte sipas Dita-s të merrte një koncesion në portin e Durrësit. Nuk dua të marr në mbrojtje koncesionerin pasi lexuesi e ka kuptuar se jam ideologjikisht kundra koncesioneve në bizneset me fitim. Dhe portet kudo në botë janë fitimprurëse. Por s’mund të le pa vërejtur se gjuetia e shtrigave nuk është mjeti i duhur. Një dënim para 20 vjetësh nuk je i detyruar ta përballosh gjithë jetën. Nëse një kompani e huaj i zotëron sot të drejtat legale për të ushtruar, nuk na takon ne shqiptarëve të merremi me biografinë tyre. Nëse në dosjen e tenderit, nuk është futur kushti që koncesioneri nuk duhet të ketë qenë asnjëherë i dënuar, shmangia e tij nga koncesioni për këtë gjë do te ishte diskriminim. Por edhe njëherë, nuk është ky problemi që kam dashur të ngre këtë replikë.
Ne shqiptarët duhet të merremi me qeveritë tona që e kanë shitur vendin badiava dhe jo të harxhojmë kohën për të hulumtuar në arkivat dhe biografitë e kompanive të huaja. Mos ta harrojmë nyjën e problemit: edhe sikur kompania e huaj që merr një koncesion në Shqipëri të ishte me biografi po aq të pastër sa uji i ftohtë në Tepelenë, hala na mbetet sërish në fyt: pse të japim koncesione atje ku fitimi i fëmijëve tanë është i sigurt. Kjo është çështja…
Comments
Duke patur monopolin, ai do

Duke patur monopolin, ai do të bëjë edhe “ligjin” me këto çmime duke e dëmtuar konsumatorin pa e pasuruar arkën e shtetit.

Te shkruash nga Parisi nuk do te thote te kesh me patjeter ndonje meim te zgjuar. Kjo qe thote autori nuk ka vend pasi ne pergjithesi ne raste te tilla jane monopole te kontrolluara kur shteti percakton vete ekuilibrin kerkese/oferte duke vene nje cmim tavan per kalimin (p.sh. 2 Euro ose 5 Euro). Pra nuk eshte rasti i monopolit te paster. Pjesen tjeter te shkrimit nuk e lexova...

Add new comment