Hashimi për Hashimin!
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/6928_cufaj_juergen_sieckmeyer14.jpg?itok=8ovxMAGq)
Para ca javësh, një e përditshme e jona- padyshim më e mira që e kemi, solli një numër tematik me titullin “Thaçi kundër Thaçit”- ku në mënyrë statistikore i numëroheshin të gjitha huqjet prejse qeveris me vendin. Duke ballafaquar lexuesin kështu me realitetin dhe virtualitetin që Kryeministri ende në detyrë provon ta shesë në këtë fushatë si kryetar i PDK-së. U çudita paksa. Sepse para 3 apo 4 vitesh edhe vet kisha shkruar një kolumnë me të njejtin titull. U çudita, jo me faktin që kolegët kishin të njejtin titull por me atë që koha të cilën po e jetojmë është aq e shpejt, është aq gllabëruese në virtualitetin e saj saqë njeriu e ka të zorshme, për të mos thënë të pamundshme të ketë mbamendje për atë që ka ngjarë para 1 e lëre më disa vitesh. Kjo më solli tek ideja që ta ballafaqoj veten dhe me këtë edhe të provoj ta marr edhe lexuesin me vete: në kujtime, mbase edhe me tone personale, por gjithsesi me distancë profesionale për Kryetarin e PDK-së dhe Kryeministrin në shkuarje!
Hashim Thaçin e njoh që nga viti 1999. Mund të jetë që e kam parë edhe më herët, në fillimin e viteve 90 kur studionim në të njejtin Universitet dhe nën të njejtat masa dhune, por takimet e mia të para i kam patur në Ramboulliet të Francës dhe mëpas në raste e situata të ndryshme- në Bonn, Paris, Vjenë, Berlin (para se të bëhej kryeministër) dhe sidomos Prishtinë. Mbase kjo s’ka rëndësi. Sepse poqese e mendoj Hashim Thaçin e viteve 98, 99, 2000 e mëpas dhe Hashim Thaçin e sotëm, Kryeministrin e dy Qeverive të shkuara dhe tashti të nominuar për mandatin e tretë për këtë post, atëherë nuk kam si të mos them: po, Hashimi ka ndryshuar së tepërmi dhe faza nëpër të cilën ai, si njeri dhe politikan po kalon duhet të jetë mbase më dramatikja në jetën e tij.
Pse? Sepse më kujtohet një Hashim krejtësisht tjetër. I ndruajtur dhe tepër i kujdesshëm në atë çfarë flet, si lëviz duart apo ecë, në çfarë drejtimi duhet t’i kthejë flokët, ku duhet të ndalet e kur jo… etj.etj. Kosova prej Ramboulliet e mëpas kishte një prej liderëve më të ri, më të papërvojë dhe patjetër më të patalentuar në terrenin e politikës në historinë e saj më të re. Është e tepërt këtu të thuhet sesi ai sillej në dyshemetë e diplomacisë botërore kur vendi ynë ishte ende në fokus të saj. Edhe më e tepërt të kujtohet natyra e tij konfliktuoze, tinzare dhe gadi e frikshme kur fërkimet dhe pse jo grindjet brendapolitike qoftë me krahë të ndryshëm të luftës ashtu edhe kundërshtarët e tij politikë ishin në pyetje. Apo e mban mend dikush ende atë skenën e famshme kur ia ngriste gishtin Nexhat Dacit (“kur flas unë mos më ndërprej!”) në Kuvendin e parë të Kosovës të dalë nga paslufta. S’kishte faj. Çdo ëndërr e tij që nga Qeveria e përkohshme- ajo paralelja me të Bukoshit pra- të kalonte në Qeverinë e “monitoruar” nga OKB-ja qe fundosur. Për këtë qenë unik sidomos: amerikanët, gjermanët por edhe britanikët. Kurrë s’ua ka falur- sidomos gjermanëve dhe britanikëve atë ndëshkim që ia patën bërë. Kur Rugova, armiku i tij i përbetuar vendosi që t’ia dhuronte shumicën e LDK-së, PDK-së por vetëm me një kusht: që Thaçi të mos bëhej Kryeministër. Për këtë u bë Bajram Rexhepi. Dhe për më shumë se 6 vite Hashim Thaçi nuk arriti më të ngritej në këmbët e tij. Së paku jo ai si person(alitet) politik. Sepse partia, e ndihmuar nga strukturat e SHIK-ut dhe jo vetëm, u shtri gjithandej në gjysmë-shtetin e udhëhequr nga shqiptarët por kontrolluar nga ndërkombëtarët. Koha e gjatë, për të mos thënë tmerrësisht e gjatë e të ndejurit në opozitë, e bënë Thaçin që të fillonte të punonte. Me veten e tij para së gjithash. Hapi dyert për kuadro të reja. Formonte think-tank-e, kërkonte njerëz, hapte edhe deriçkat më të vogla të kryqeteteve botërore për vizita e kontakte dhe në të njejtën kohë s’prente së kërcënuari ndërkombëtarët që sigurinë vetëm ai mund ta garantonte. Goditja e tij e dytë që mori s’ka dyshim që ishte ajo kur Ramush Haradinaj pranoi “ofertën” e LDK-së që të merrte postin e Kryeministrit, edhepse s’e kishte shumicën në Kuvend duke u bërë kështu partneri i vetëm nga “krahu i luftës” i Ibrahim Rugovës.
Duket që sidomos kapërcimi i Ramushit në postin Kryeministror e zgjoi nga gjumi i inateve, intrigave e meskiniteteve që mbante më vete. Dhe filloi të maturohet politikisht. SHIK-ut ia ndali frerët (së paku kur kërcënimet e shantazhimet e njerëzve ishin në pyetje), “komandantët” tjerë i qetësoi duke u dhënë ulëse në Kuvend kurse në parti hapi dyert, ose thënë edhe më mirë shtoi karriga që në tavolinën e tij të punës por edhe drekave e darkave të guxonin të flisnin me zë edhe më të lartë kuadrot e reja- të “jo” luftës si Hajredini, Vlora e mëpas edhe Enver Hoxhaj e tjerë si ky.
Ky kapërcim, kjo hapje, Thaçit jo vetëm që ia çeli sytë që politika është art i së mundshmës por edhe që politika në fakt nuk njeh parime, është e paskrupullt dhe para së gjithash është e ndërlidhur me intrigën si një mjet pothuajse legjitim i të bërit të saj! Thaçi mbase në atë kohë nuk e dinte që e kishte këtë talent. Por me kalimin e muajve dhe viteve e mësoi mirë. Aq sa kur në fund të vitit 2007 erdhi në pushtet çdo gjë ishte në vendin e vet. Rugova prehej në qetësinë e përjetshme, Haradinaj ballafaqohej me Hagën kurse Limaj- i pavendosur si gjithmonë bëri gabimin fatal që i besoi. Kështu filloi edhe marshi i tij i gjatë i gjuetisë. Në njerëz. Personalitete të ndryshme nga politika, ekonomia, mediat, elitat e çka jo tjetër iu nënshtruan, i nënshtrohen dhe nëse çdo gjë ecë sipas logjikës së tij do vazhdojnë t’i nënshtrohen. E dhembshme të thuhet por poaq e vërtetë të shihet, dihet dhe me këtë edhe konstatohet.
Kjo erdhi në pah prej çastit kur Thaçi hypi në fronin e Kryeministrit. Talenti i tij më parë i zbuluar dhe në ndërkohë mirë i ushtruar filloi të intensifikohej me një ritëm prej rrufeje. Lakmia për punë, ikja masive e institucioneve ndërkombëtare nga vendi krijuan vakancë dhe çast të mrekullueshëm për të që pranë të merrte edhe vajza e djemë të Zotë të cilët dijnë si funksionon bota, web-i, veshja, ushqimi ose me logjikën e Thaçit: Salltaneti! Pikë tjetër e tij në zhvillimin e personalitetit politik është edhe ajo e teknikës a taktikës së qasjes kundruall personaliteteve që i ka afër. Thaçi s’duron (më) të fortë skaj tij. Ata që i kishte: Jakup Krasniqin, Fatmir Limajn e të tjerët si këta duke filluar nga këshilltarët e mençur si Dukagjin Gorani, Berat Buzhala, Ilir Mirena etj.- të gjithë këta së bashku, njëherë i spostoi, mëpas i demoloi dhe fare në fund i largoi. Thaçit duhet nënshtruar poqese don të jesh afër tij. Këtë e dijnë më së miri Hajredin Kuçi apo Enver Hoxhaj. Por edhe Behgjet Pacolli a Fatmir Sejdiu. Njëherë i nënshtruar- përjetësisht i nënshtruar. Edhe me kushtin e pranimit të roleve mercenare- si Sejdiu a Pacolli të cilët Isa Mustafën sa herë duan dhe si duan e vendosin në kurthe të cilat atij edhe më tepër po ia zbehin figurën dhe rrisin shansin që të pësojë një fiasko. Thaçi në fakt nuk lejon asnjë të fuqishëm a padëgjueshëm skaj vedi. Është (i) vetëm. Këtë, si askush tjetër, këto kohë dhe këto ditë është duke e vërejtur ish-Shefi i SHIK-ut dhe tashti Nënkryetari i PDK-së Kadri Veseli. Transformimi i tij nga sigurimc në politikan i solli debaklin e zgjedhjeve lokale. Dhe e zbehu dukshëm. Thaçi e afroi në mënyrë që mëpas ta largonte. Njëherë e përgjithmonë.
Fuqia e Thaçit është në kulmin e saj dhe kjo vërehet nga agresiviteti i fushatës që po bën. Sepse në këto 7 vite të qeverisjeve të tij ai ka vërejtur diçka esenciale tek shqiptarët: mungesën e mendimit vetanak dhe forcën për t’i rezistuar rrezikut të humbjes së prestigjit në shoqëri nëse je pa punë, nëse je pa para, nëse je pa pozitë. Në fakt: Thaçi në këto vite të pushtetit nuk ka qeverisur kurrë me Shtetin, me Kosovën. Ai ka qeverisur me njerëz të caktuar që atij i janë dashur. Vetëm me ta është marrë!
I njeh të gjithë dhe e din për të gjithë. Prandaj i ledhaton dhe shuplakon sa herë që don. Sepse logjika e tij është e thjeshtë: më mirë i pari në katund sesa askush në qytet! Prandaj edhe jemi shteti më i izoluar dhe stërkequr në Evropë.
Thaçin e kemi në krye të vendit sepse e meritojmë! Sërish: e tmerrshme të thuhet por e domosdoshme të konstatohet.
Nëse ai do humbasë apo fitojë në këto zgjedhje? Këtë s’e di. Por ajo që di është se, këso radhe Hashimi nuk është kundër Hashimit. Përkundrazi. Ai po bën çdo gjë për veten e tij, Hashimin. Kryeministër a President? Kjo s’ka rëndësi. Hashimi këso radhe është pra për Hashimin. Dhe as për PDK-në e aq më pak premtimet që po i jep.
Nëse dihet që këdo që ka patur afër e ka rrëzuar atëherë si do ngjajë kur njëri do provojë ta rrëzojë tjetrin Hashim? Kjo është dilema rezultati i së cilës qysh tash dihet. Në çastin që njëri Hashim do ta rrëzojë tjetrin: do bien të dy!
Gazetablic.com
Comments
Pa na thuani ku jane te
<p>Pa na thuani ku jane te fortit e partise se Angela Merkel? Kend ka afer Merkel? Te nenshtruarit dhe ske tjeter. Mbase do kishte qene mire te filloni te kuptoni te berit e politikes. </p>
Add new comment