Gjuha shqipe
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/9422_gjuha-shqipe-320x274.jpg?itok=05orcgFi)
Tema që dua të trajtoj nuk ka të bëjë fare me profesionin tim të regjisorit, por pika lidhëse është gjuha shqipe. Dhe meqë unë e përdor gjuhën shqipe si mjet shprehës në profesion dhe mjet komunikimi në jetën e përditshme, e ndiej si detyrë të fokusoj një problem. Nuk kam ndërmend të merrem me sintaksën, morfologjinë apo shtrembërime që i bëhen gjuhës sonë ngado që hedh veshët. Po ashtu nuk kam as ndonjë propozim spektakolar për ta pasuruar apo hequr ndonjë zanore këtu, e ndonjë bashkëtingëllore të pazëshme atje. Kjo… sepse nuk jam gjuhëtar. Por jam prind. Sepse kam kohë që dua ta bëj, por jam tërhequr… kushedi pse, por tani u mbush kupa.
Historia fillon një pasdite dimri, kur vajza ime në klasë të katërt, në shkollën “Edith Durham”, në qendër të Tiranës, kishte një paqartësi në lëndën e Gjuhës Shqipe dhe më kërkon ndihmë për një tregim që kishte aty. Para se ta qartësoja time bijë duhet të lexoja tregimin. Lexoj tregimin dhe ishte si të më zinte korrenti.
Gjergji dhe Joni, dy shokë klase duke shkëmbyer fotot e lojtarëve të kombëtares gjatë pushimit midis orëve. Joni blen nga Gjergji një foto për 1000 lekë. Joni që i fiton këto para do të blejë një biçikletë, por i duhen edhe shumë të tjera, sepse biçikleta kushton shumë më tepër se aq. Në ndihmë na i vjen Albana, e cila e këshillon që këto para t’i fusë në bankë dhe të hapë një llogari, ashtu siç ajo ka bërë vetë pak kohë më parë.
Deri këtu, tregimi përveç mediokritetit artistik, pasi është shkruar në formë dialogu, dhe unë mund të flas shumë gjatë këtu, nuk ka ndonjë gjë kush e di se çë…
Këshilla e Albanës ishte shumë konkrete. Paratë do i fusësh në x bankë dhe do hapësh një llogari për fëmijë me x emër. Nuk u besoja syve ndërsa vazhdoja të lexoja. Emri i bankës përsëritej vazhdimisht e vazhdimisht, kurse Joni kishte dalë nga tregimi se ishte nisur menjëherë drejt bankës për të futur 1000 lekëshin që ta blinte sa më shpejt biçikletën. Jo vetëm që Joni bleu brenda pak muajve një biçikletë, por na u bë edhe kampion çiklizmi për moshat e reja. Tregimi në fund kishte një kërkesë “Luaj me role tregimin” dhe përsëri emrin e bankës në vend të autorit. Por vetë libri ka një autor (e). Ajo është Prof. Dr. Mimoza Gjokutaj. Kisha lexuar në librin e Gjuhës Shqipe 4 për Bobin, një parashutist fatkeq nga Amerika që “këmba i fluturoi në ajër e ndarë nga trupi”. Apo për Zanën dhe babin e vet që rruhet në banjë dhe i thotë së bijës që është lakuriq dhe s’mund t’ia hapë derën… dhe ajo e pyet “pse nuk e rruan mjekrën me sapun?”. Pa folur pastaj për emrat e autorëve anonimë dhe të palexueshëm me shumicë që ka ky libër. Gjithashtu, kisha dëgjuar për “Gjuhë” të tjera ku Gjergj Elez Alia ishte akoma te plaga e gjashtë, apo për Shabanin me një sharrë dhe arrë që shkonte në Sheraton për shans. Por tregimi i “Gjuhës Shqipe 4” besoj që është kulmi. E kuptoj makabritetin te Bob parashutisti, perversitetin te babai me vajzën, apo përdorimin e germës “Gj” dhe Sh”, respektivisht te Gjergji dhe Shabani, por Albanën, Gjergjin tjetër dhe Jonin nuk e kuptoj fare. Me besoni kur e them këtë, pasi kam ditë që dua të nxjerr problemin që ka ky “tregim”. Sigurisht jo problemin e tregimit, por po përpiqem të artikuloj: pse ndihem kaq i fyer dhe i acaruar. E meqë unë nuk po arrij dot të jem racional në këtë opinion timin, s’më mbetet gjë tjetër veç të ulërij i dëshpëruar për edukimin, formimin e informimin e fëmijës tim. Pyetjet që më vijnë ndër mend janë të thjeshta dhe retorike.
· Si ka mundësi të bëhet një gjë e tillë?
· Si ka mundësi që një profesoreshë e doktoreshë si Mimoza Gjokutaj ka hartuar një gjë kaq të dobët profesionalisht dhe të ulët moralisht?
· Si ka mundësi që kjo broshurë (s’mund ta quaj më lëndë të Gjuhës Shqipe), ka kaluar mes redaktorëve e recensëve?
· Si ka mundësi që kjo broshurë ka kaluar filtrin e bordeve të Ministrisë së Arsimit, apo procedurat të cilat nuk i njoh?
· Si ka mundësi që një sistem i tërë të jetë kaq i kalbur?
· Si ka mundësi që një mal me njerëz që pretendojnë të jenë intelektualë, të kenë arritur deri këtu?
Dhe pyetjet e mia nuk kanë fund. Nxora disa përgjigje: këta njerëz kanë marrë para nga ky biznes dhe s’kanë dashur fare të dinë për programin mësimor. Në këtë mes duhet të ketë shumë para, përderisa është korruptuar një mori me njerëz. (korruptuar nuk është termi i duhur. Duhet të ketë një term më të rëndë, por nuk e gjej dot). Një organizëm i tillë, me karakter mafioz është shumë i rrezikshëm, duke filluar nga Banka e deri te punonjësit e thjeshtë të Ministrisë së Arsimit që kanë dijeni.
Kam edhe përgjigje të tjera, por nuk janë të duhurat. Njëra prej tyre ka të bëjë me nivelin mediokër të këtyre Profesoreshave dhe Doktorëve. Ka të bëjë me përgatitjen e ulët të tyre. Por sigurisht që nuk është kjo. Do ishte një ngushëllim. Do ishte shpëtim. Ku ma gjen. Por kjo është diçka tjetër, është diçka e keqe, e ligë, e paskrupullt, e padëgjuar, e shëmtuar, e turpshme dhe mund të përdorësh çdo lloj epiteti për të përshkruar ndyrësinë.
Ndoshta jam pak i rëndë dhe i ashpër në këto që them, por prapëseprapë mbetem i fyer e i acaruar dhe i pashfryrë në dufin tim, ndaj dua që lexuesi të më kuptojë edhe njëherë që kjo është një britmë më shumë se një opinion racional dhe analitik. Pasi akoma nuk i vë dot një emër.
Thua të jetë një formë e kapitalizmit dhe ne s’e kemi kuptuar dot, pasi jemi prapa, por këta Profesorë, Doktorë dhe lloj-lloj specialistësh e kanë përthithur shumë përpara nesh. E them se është turp dhe e frikshme kjo që po ndodh, pasi me siguri edhe në tekste të tjera ndodh e njëjta gjë. Ky lloj kapitalizmi, (dhe sigurisht që këtu s’bëhet fjalë për kapitalizëm) është një sëmundje kancerogjene që ka kapluar ndër ethe edhe këtë soj intelektualësh shqiptarë. Mafia nuk është asgjë më pak se kaq.
Një pasdite dimri, vajza ime 9-vjeçare kishte një paqartësi në lëndën e Gjuhës Shqipe 4. Paqartësia ishte kjo:
-Babi, po unë a kam llogari bankare për fëmijë tek ajo bankë?
Mafia e arsimit ia ka arritur qëllimit.
Kjo është arsyeja për të cilën po klith këtu.
Kam një falënderim në të gjithën këtë. Dua të falënderoj mësuesen kujdestare, e cila e mirëkuptoi zemëratën tonë, pasi e kundërshtuam familjarisht me një letër, por është e pafuqishme në këtë sistem. Pasi ky është një sistem i ulët, i turpshëm dhe fatal. Njerëzit e implikuar në këtë biznes të paskrupullt, dhe këtu nuk përjashtoj as bankën në fjalë, e as hartuesit e “Gjuhës Shqipe” që meritojnë notën 4, duhet të vihen para përgjegjësisë, në të kundërt brezi i ri do ta marrë për të mirëqenë këtë pazar dhe nesër nuk do të bëjmë më me kampionë çiklizmi, por me viktima të një kohe ku ethet e fitimit shkelin mbi arsimimin, edukimin dhe mbi të ardhmen. Për mua është një situatë krejt e re, të paktën deri tani, nuk e kam hasur kurrë. Kjo është shumë e rrezikshme.
Shqip
Comments
Zoti Kame keni më se të

Zoti Kame keni më se të drejtë kjo është fryma që po i futet rinisë sonë mbi të gjitha paraja me çdo kush dhe çdo mënyrë

Nuk e mora vesh mire

Nuk e mora vesh mire shqetesimin e z. Kames. Bile s'shoh asnje problem gjuhesor. Natyrisht tregimin nuk e kam lexuar, por rrefimi i Kames nuk me ben te zemerohem. Femijet duhet te edukohen me konceptin e kursimit dhe kulturen bankare, qysh ne moshe te re. Ku eshte e keqja ketu? Ndoshta emri i bankes duhet te ishte fiktiv (nga shkrimi nuk informohem dot nese banka ka emer fiktiv apo jo). Besoj se s'ka asgje te keqe qe prindet dhe shkolla t'umesojne femijeve, ne varesi te moshes dhe zhvillimit te tyre mendor, kulturen e parase, perse sherbejne bankat, dhe si kursehet. Aq me teper nese ne Shqiperi ka llogari bankare per femije.

Pergjigjia qe duhet t'i kishte dhene autori pyetjes se natyrshme dhe te zgjuar te femijes, " Po une kam llogari bankare te banka X?", duhet te ishte pak a shume e verteta, d.m.th.: Po, ose Jo. Kete moment prindi duhet ta shfrytezoje per ta orientuar femijen, dhe sipas takatit dhe kushteve familjare financiare, te perpiqet te hapi nje llogari per femije. Ose, perndryshe te thote se kjo nuk eshte ide e mire per momentin...

Fiordiligji, Z. Kame ka te

Fiordiligji,

Z. Kame ka te drejte sepse nuk behet fjale per konceptin e kursimit por i referohet ne menyre specifike nje banke te caktuar duke e reklamizuar ate.

Pyetja ishte : "Po une a kam llogari bankare per femije tek ajo banke"

Pra tashme orientimi publicitar ka punuar ne mendjen e femijes dhe prindi ka te gjithe te drejten te indinjohet.
Edukimi me frymen e kursimit ndryshon kryekeput nga te pasurit nje llogari kursimi ne nje banke te caktuar qe te sugjerohet nga prof. Dr. , nga shtepia botuese apo kush ka mundur te vere dore ne ate tekst para se te dale ne shtyp.

I drejte shqetesimi si prind

I drejte shqetesimi si prind dhe si qytetar.

koncepti i kursimit eshte

koncepti i kursimit eshte shembull i mire,por Fiordiligi e ka kapur siperfaqesisht.Ka banka kursimi,banka investimesh,banka afaresh;nuk eshte banka veç koncept i kursimit,ketu ai djali shkon ti shtoje leket,dmth te perfitoje te tjera...Mund te kursesh duke blere 5 gjera me mençuri ne vend te blesh 2 gjera me çmim te shtrenjte.Psh,une e kam femijen ne klasen e 5-te ne Itali.E ndihmoj shpesh ne matematike,ku shtrohen keto tip situatash.Thote,ky bleu kaq gjera,keto sa bene,sa harxhoi,sa i mbeten etj.Ne shume raste flitet,sa para futi tek kutia e kursimeve?Ose sa para nxorri nga kutia e kursimeve(ne italisht i thone salvadanaio)-shiko se ku drejtohjet vemendja e femijes? Ne te shumtat e rasteve shembujt shkojne tek dhurimet,ose blejne bashke disa objekte me leket e mbledhura;dmth evokohet solidariteti,bashkepunimi,jo dava,fut leket ne banke,hap numer llogarie...Benim dikur edhe ne kuti kartoni ku kursenim monedhat qe na jepnin.Te fusesh ne mendjen e nje 10 vjeçari konceptin se paraja kursehet ne banke eshte publicitet,reklame.Nuk mendoj se mesuesja/autorja ka dashur fort te nxise gara per numra llogarie duke u bere favor miqve bankiere,por me e ngjashme eshte koncepti material qe shoqeria shqiptare ka kultivuar,duke vene ne gare kalamajte,ja Albana qe e keshillon te hape numer llogarie,Albana qe kalama qenka star reklamash.Kalamajte duhet te rriten gradualisht,keta shkojne direkt tek nr i llogarise,piqen shpejt me nje fjale,me kujtojne ato domatet qe i skuqin nga jashte me pluhura,ndersa nga brenda jane akoma te papjekura.

Z.Kame, e kuptoj indijimin

Z.Kame, e kuptoj indijimin tuaj sepse per fat te keq ndeshim kete injorance ç'do vit e me shume, kur kthehemi ne Shqiperi.

"Intelektualet" ne fjale, nuk jan inteligjent, sepse nje dite ne ate kurth qe kan ngritur per te influencuar mendjet e femijve shqiptare, do te bien ne breza edhe femijet e tyre, te cilet do i japin vlere vetem lekut.

Me respekt.

Add new comment