Gazetari bythologësh!
Inercioni i uikendit të shkuar kishte ndikuar të mos jem në rrjedhë me ngjarjet, por sot mjafton edhe një paudhësi që të bëhet lajm për ta prishur uikendin. Jo se na zuri gafil, por provokuesi i radhës, që me paratë e pushtetit bën karrierë të turpshme gazetareske, meriton një çikë vëmendje, jo gjithaq nga ne qytetarët – përfaqësues të një publiku të kontaminuar, sa nga ata që janë të obliguar me ligj të monitorojnë gjuhën e urrejtjes që plasohet nëpër mediet audiovizive. Për vëmendjen e publikut më të gjerë, që nuk është në rrjedhë me zhvillimet në Maqedoni, po sqarojmë se bëhet fjalë për kryeredaktorin e televizionit nacional ‘’Sitel’’ – Dragan Pavlloviç – Llatas, i cili në një nga ditarët qendrorë të fundit kishte ftuar maqedonasit që ta votojnë kryeministrin aktual, Gruevski, që të formojë qeveri i vetëm dhe pa kushtëzimet e partive shqiptare, sepse këto të fundit, sipas tij, po bëkan shumë kushtëzime dhe shantazhe sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe në tërë territorin e Maqedonisë. “Pra, nëse duam të flemë të qetë rreth ultimatumit grek dhe dygjuhësisë në të gjithë shtetin, duhet që fituesi të marrë 62 deputetë ose më shumë, për shkak të interesave maqedonase”, thotë Llatas. “Unë personalisht vlerësoj se nuk bëhet fjalë për fjalor të urrejtjes’’, tha Zoran Trajçevski, kryetar i Agjencisë për Shërbime Audio-Vizuale. Tërthorazi, e kuptuam që, demek, Trajçevski jo vetëm që po u pajtuaka me mendimin e Llatasit, pasi që sipas tij, apeli i tij nuk përbëka kurrfarë gjuhe urrejtjeje, por në interpretim të lirë i bie që po të ishte në vend të Llatasit një apel të tillë do ta jepte edhe vetë Trajçevski.
Autoritetet shtetërore, aleatë të falangës mediatike
Demokracisë së një shteti mund t’i kanoset një krizë e thellë, po qe se persona të ndryshëm, si ky Trajçevski, të veshur me autoritet shtetëror, në vend që të jenë gardianë të moscenimit të hapësirës publike nga gjuha e urrejtjes, ata bëhen vetë aleatë dhe mbështetës të hapur të kësaj falange mediatike.
Prandaj skandalizimi dhe traumatizimi i publikut nuk po ndodh vetëm për shkak të asaj çfarë ka thënë kryeredaktori luftënxitës i televizionit “Sitel”, por më tepër edhe për shkak të legjitimimit të kësaj gjuhe të katranosur nga segmente të caktuara shtetërore, ku bën pjesë edhe agjencia e sipërpërmendur.
Edhe çka tjetër duhet të thotë një gazetar në televizor për t’u kualifikuar si gjuhë urrejtjeje? Këtë pyetje ia bëjmë publikisht kryetarit të Agjencisë për Shërbime Audio –Vizuale dhe e lusim të na tregojë se në cilin kandar të tij personal po e matka ai sasinë e urrejtjes që shpërndajnë mediat? Nëse kandari i tij vazhdon të tregohet pa terezi në matjen e diskursit publik që thuhet nëpër mediat audiovizive dhe nëse në kandarin e tij nuk peshohen ofendimet dhe rrugaçëritë e disa gazetarëve maqedonas (Llatas, Nedelkovski, Velinovska), atëherë është mirë që një ditë të bukur me diell e pa mjegull, diku në sheshin e Shkupit, t’ia dhjejmë publikisht atë kandar Trajçevskit. Me këtë kryejmë dy vepra humane-fiziologjike-patriotike: në njërën anë lirohemi n’shokë e teposhtë nga sasia e tepërt e tv-adrenalinës siteliane që na ka kaplu dhe, në anën tjetër, ia bëjmë me dije Trajçevskit se kësaj radhe ne po merremi personalisht vetëm me të e jo me të gjithë maqedonasit, siç po merret vazhdimisht me shqiptarët Llatasi dhe kompania e bashkëmendimtarëve të mendermethënshëm të shumëzuar me shumë zero.
Fundja, çfarë faji kanë të gjithë maqedonasit, të cilët, edhe ata si ne shqiptarët, janë viktimë të paranojave publike të një gazetarie fashiste që përdhosjen e etikës e ka ngritur në normë profesionale, kurse gjuhën e shantazhit dhe ofendimit ndëretnik e ka kodifikuar në sistem pervers semantik.
Çka po ndodh me inferioritetin politik shqiptar?
Stili dhe gjuha se si transmetohet në eter ky bërllok gazetaresk, nuk meriton ndonjë koment të posaçëm. Ajo që do të duhej komentuar është indiferenca e organeve të ndjekjes dhe e institucioneve përkatëse që monitorojnë punën e televizioneve. Nuk është hera e parë që ky gazetar sharlatan plason në eter mosdurim të hapur ndaj shqiptarëve dhe në vend se të sanksionohet, ai është shpërblyer nga qeveria, duke i dhuruar fonde marramendëse monetare atij dhe njerëzve të afërt, për ekstra shërbimet që ka bërë në mbrojtje të projekteve e politikave qeveritare. (Flitet se ky gazetar sharlatan, deri më tani ka marrë mbi 3 milionë euro nga qeveria aktuale, si kundërshpërblim që ai bën për të manipuluar opinionin publik, duke i ambalazhuar politikat qeveritare me një veshje të rrejshme të fakteve e hulumtimeve pseudogazetareske.)
Pra, problemi nuk është te ai, që thotë hapur atë çka mendon për shqiptarët, por është gjetkë. Në radhë të parë tek politika maqedonase, e cila vazhdon të injektojë në infrastrukturën mediatike shartime të çoroditura që janë zgjatime të propagandave të hapura proqeveritare kundër popullatës shqiptare në Maqedoni. Pastaj, problemi mund të locohet edhe te politikanët shqiptarë, të cilët janë shumë energjikë me masa e qëndrime mesjetare kundrejt ndonjë medie a analisti shqiptar, por shumë të mefshtë e të qullur kundrejt medieve e gazetarëve maqedonas, të cilët edhe me parat e taksapaguesve shqiptarë, projektojnë propaganda monstruoze antishqiptare.
Sharjet e Llatasit, shqiptarët do të duhej t’i përkthejnë si shantazhe proqeveritare, të toleruara në heshtje edhe nga përfaqësuesit e tyre nëpër institucionet shtetërore. Në të kundërtën, do të duhej vërtetë të merret seriozisht apeli i Llatasit për të zgjedhur kryeministrin vetëm me votat e maqedonasve. Nëse ne shqiptarët asnjëherë nuk kemi ditur t’i kapitalizojmë votat tona për interesa madhore kombëtare, atëherë del dikush që këtë inferioritet tonin kolektiv ta kthejë në favor të politikave nacionale maqedonase.
Mbetjet e tanjug-gazetarisë në Maqedoni
Nuk kam dashur asnjëherë të besoj se në një shoqëri demokratike, si kjo e jona, që ka 1001 arsye për të qenë më e konsoliduar në gjetjen e rrugës së përbashkët drejt një të ardhmeje europiane, do të ketë mbetje të tanjug-gazetarisë së deplasuar të viteve tetëdhjetë, atëherë kur edhe pleqtë e gjorë serbë shpalleshin heronj me shishe të thyera në bythë. Në këtë “fshat të globaliziuar” të informimit na duken anakronike recidivat e kësaj gazetarie bythologësh, mostrat e së cilës qëmoti janë ekzaminuar nga gjykatat ndërkombëtare për krime lufte dhe saktësisht janë locuar nxitësit e luftës së përgjakshme në BeH dhe gjetiu në ish Jugosllavi.
Meqë ra fjala, te ne sistemi i drejtësisë nuk funksionon, ose funksionon vetëm atëherë kur monstrum-gazetaria paramilitare fabrikon ndonjë krim, duke i trazuar valët e qeta dhe peshqit e përgjumur të ndonjë liqeni në afërsi të Shkupit. Gjykatat dhe prokuroritë te ne janë bërë sportele bukëpjekësish për të shuar urinë e fabrikuesve të tmerrshëm dhe janë të kota raportet dhe apelet e Brukselit e Uashingtonit që institucionet e drejtësisë të pavarësohen nga dosllarët qeveritarë të Llatasit dhe urithave si ai që (me paratë tona) po brejnë mirëqenien tonë të përbashkët.
Për të inkurajuar përpjekjet e shoqërisë civile dhe esnafin e gazetarëve, Komisioni Europian kohë më parë kishte mbështetur një studim për vendet e rajonit në identifikimin e treguesve konkretë në përhapjen e gjuhës së urrejtjes. Gazetarë dhe ekspertë nga vendet që jo moti kishin qenë pjesë e ish-Jugosllavisë, por dhe vende të tjera fqinje me to, kanë zhvilluar tryeza diskutimi dhe panele mbi këto çështje, për aspektet kryesore ku ato shfaqen, si dhe përmirësimin e situatës. Emërues i përbashkët i këtyre debateve ka qenë konstatimi se ata shohin të lidhura domosdoshmërinë e lirisë së shprehjes dhe evitimin e ekstremitetit në përdorimin e gjuhës së përçmimit dhe injorimit të atij që mendon dhe vepron ndryshe.
Gjuha e urrejtjes nuk po sanksionohet nga Brukseli
Por, është për të ardhur keq që këto nisma kaq fisnike të Brukselit, përfundojnë nëpër debate panelistësh honorarxhinjë, pa ndonjë efekt konkret në sanksionimin e kësaj gjuhe kaq mosduruese në disa media vizive proqeveritare të Maqedonisë. Se pse deri më tani nuk është përfshirë kjo gjuhë skandaloze, kryesisht antishqiptare, në asnjë raport kredibil të Brukselit apo qendrave të tjera ndërkombëtare që merren me monitorimin e lirisë së shprehjes, është një çështje që kërkon përgjigje në të ardhmen, aq më tepër kur në Maqedoni gjuha e urrejtjes prodhohet prej ‘’fabrikave’’ qeveritare, tymi i të cilave po ua zë frymën edhe shqiptarëve edhe maqedonasve.
Se çfarë është niveli i etikës në raportime si dhe cila është cilësia dhe kredibiliteti i gazetarisë, për këto përgjegjëse janë vetë mediat. Shtrohet pyetja çka ndodh me etikën dhe kredibilitetin e atyre mediave (në gjuhën maqedonase) që marrin shuma milionëshe nga qeveria dhe si përkthehen këto standarde profesionale në shërbime të ulëta që këto media ua bëjnë pengmarrësve të lirisë dhe pavarësisë redaktoriale. Infarkti i një shoqërie demokratike ndodh atëherë kur etika profesionale transferohet në gjunjëzim, kurse kredibiliteti mediatik reduktohet në punëdhënie oligarkësh që duan të mbajnë të mbërthyer vëmendjen e publikut me tema e afera që ata i kurdisin për të vazhduar agoninë e pushtetmbajtjes.
Uniforma gri e luftënxitjes duhet urgjentisht të hiqet nga mediat e caktuara proqeveritare maqedonase. Sa më herët të demisionohen të uniformuarit e tillë, aq më lehtë do të jetë për mirëqenien e demokracisë dhe kohezionin ndëretnik këtu. Një qeveri që mban afër vetes zagarë dhe i ushqen ata me bukën e magjes së përbashkët, herët a vonë paguan tagrin e mosdëgjimit qytetar. Ky nuk është kurrfarë apeli as shantazhi, por paralajmërim (sa s’është bërë vonë) për kokat që ende mund të rezonojnë me mendje esëll në këtë shtet të sakrificave e ardhmërive të përbashkëta – individuale e kolektive. Sa ia vlen që për tre-katër zagarë të tërbuar të pësojë e gjithë shoqëria e pafajshme, e cila edhe pa këto kafshime qensh po vuan mjaft mungesën e një terapie që do të shëronte plagët e mjerimit (të përbashkët) social e ekonomik. Gjuha e qenve jo rrallë prodhon tërbim, kurse një shoqëri e prekur nga tërbimi ka rrezik të hajë vetveten. A do të gjendet terapia parandaluese e këtij tërbimi?
Nga gazeta "Mapo"
Add new comment