Fushata pa gjuhë

Postuar në 09 Qershor, 2015 07:14
Arian Galdini

    Kjo fushatë nuk ka gjuhë. Ndoshta është më e zbehta, më e stisura, më e papërgatitura dhe më kohëbjerrësja e të gjitha fushatave në këto 25 vite. Krerët e partive dhe vetë kandidatët i kanë hyrë detit të pozitivizmit për të tërë, a thua se gara kësaj radhe është mes atyre që nuk dinë të shajnë, nuk dinë të akuzojnë, nuk dinë të nxjerrin fjalë të keqe nga goja, por dinë vetëm të premtojnë.

Nëse kemi parasysh fëlligështinë dhe zezonën që të shkakton politika shqiptare me lojën e saj të zymtë të akuzave e kundërakuzave, sharjeve e sherrnajave bajate, sigurisht që kjo fushatë ka ndërtuar një ishull, ku së paku të gjithë po bëjnë pushim. Veçse, ky ishull mbaron më dt 21 qershor. Pushimet nuk janë të pafundme. Klasa politike shqiptare dhe kandidatët nuk është se kanë ndryshuar e po na ndërtojnë një Shqipëri më të mirë.

 

Klasa politike shqiptare thjesht ka kuptuar mbilodhjen dhe rraskapitjen tonë kombëtare dhe ka vendosur të na çojë në konvaleshencë elektorale kombëtare të gjithëve, të gjithë për këto javë deri më dt. 21 qershor.

Konvaleshenca elektorale nuk ka e as ngre problematika, nuk ka çështje, nuk ka thellim, ka vetëm meny premtimesh, fytyra të buzëqeshura, shërbime të qeta dhe të sjellshme, simetri taktikash, metodologjie dhe shfaqjesh të njëjta, të ngjashme si dy pika uji, që dallojnë nga njëra-tjetra vetëm prej ngjyrës dhe njerëzve që marrin mikrofonin për të folur.

Ky sezon turistik elektoral nuk ka fantazi, por përqendrim në mesazhe dhe simetri të habitshme.

Vetë njëllojtësia e kryerjes së fushatave të dëshmon se “operatorët turistikë” të Shqipërisë politike nuk e kanë vrarë fare mendjen për të qenë konkurrues në të gjithë kuptimin e konkurrueshmërisë.

 

Nuk janë përpjekur të jenë ndryshe në shfaqje, metodologji, skena dhe skenarë, mesazhe dhe komunikim. Ndryshojnë vetëm në konsideratat që kanë për njëri-tjetrin. Kanë marrë të gatshme të njëjtat meny që ua kanë dhënë ekspertë fushatash, vendës a të huaj, të cilët as këta nuk janë lodhur të krijojnë, por kanë ripërtypur ç’kanë bërë më parë, diku e dikur tjetër, brenda a jashtë Shqipërie.

Kjo simetri ka qenë befasuese edhe në procesin e përzgjedhjes së kandidaturave për kryetarë bashkie apo për këshilltarë bashkiakë. Njëlloj, absolutisht njëlloj. Të gjitha palët shpikën këtë ofertën turistike të anketimeve dhe sondazheve të brendshme. Demokracia nuk kishte rëndësi fare. Debati dhe konkurrenca me platforma, vizion, ide, zotësi, qëllimësi, karakter, as që patën pikën e vlerës, në këtë turizmin tonë politik.

E rëndësishme ishte që të krijohej ideja se udhëheqësit po na konsultonin me sondazhe dhe anketime, e ky u quajt ushtrim demokratik.

 

Është njëlloj si të thuash se Hirushja, edhe po të kishte lënë në vend të këpucës pasqyrën te shkallët e pallatit mbretëror kur iku në mesnatë, përsëri do të kishte përfunduar me princin. Mjafton që princi të kërkonte nëpër botë femrën që shihet më shumë në pasqyrë.

Sidoqoftë, ky ishull turistik elektoral që na kanë krijuar partitë, kryetarët e partive dhe kandidatët për kryetarë bashkie, ka disa probleme serioze gjithsesi. Ishulli nuk ka ujë, nuk ka ajër, nuk ka ëndrra, nuk ka infrastrukturë, nuk ka zgjidhje. Ishulli është pothuajse njëlloj si ato resortet përrallore turistike në Karaibe, ku fill pas kufirit të tyre sheh realitetin e skamjes brutale me baraka dhe uri. Ishulli ka vetëm iluzionin e paqes dhe premtimeve.

Ndaj edhe duket si një ishull ku askush nuk flet me askënd. Të gjithë flasin në ajër, me mikrofona hi tech, me media live, e me premtime marramendëse, por askush nuk flet me askënd e për askënd. Duket sikur kanë një marrëveshje për të mos na e prishur këtë gjendje “transi turistik”, ku ia kanë dalë mbanë për të na zhytur këto javë me hipnozëpolitikën e multimilionave.

 

Na duan të mpirë, e madje edhe të trembur deri në atë pikë, saqë ne vetë të mos jemi të interesuar të mbarojë kjo melodramë politike.

Madje edhe kur Kryeministri Edi Rama u bërtet e hakërrehet burrave të mirë të opozitës, duke u kërkuar që të mos kërkojnë sherre, të krijohet përshtypja se e vetmja arsye pse e bën këtë, është se do që të ndihet i pari i ishullit. Ai do që të ndihet ai që përcakton kush është për krushqi e kush për bashki. Nuk ka asnjë grimë dëshire të flasë për destinacionin se ku do që ta çojë Shqipërinë. Do që të jetë vetëm Fatihu që vulos fermanë krushqie a bashkie për të tijtë a të opozitës. Garën vazhdon ta ketë me gropën e Saliut. Maja dhe ambicie nuk ka në vështrimin, fjalët a veprimet e tij. Ka vetëm Rilindje që mbush gropën e Saliut, e ndërkohë ndan detyra krushqie a bashkie për kandidatët. Shkon deri aty sa u hedh fishekun në pajë grave dhe u thotë të çojnë në drejtimin e duhur burrat që nuk mbushin. Ka raste kur më duket se ai ndihet si cuca e maleve, që ka dalë në fushatë emancipimi për gratë e demokratëve, për t’i kthyer me drejtimin e duhur, ose, me saktë, me partishmërinë e duhur. Kaq fushatë po bën Kryeministri. Këtë gabim a zhvendosje pozicionale e bën herë pas here edhe kandidati për Tiranën i ASHE, Erion Veliaj. Pothuajse gjithmonë, Erioni del i mrrolur nëpër takimet e tij rrethore, gërric e ngre zërin dhe duket sikur do që ta rrahë me mikrofon doktor Halim Kosovën. Ka momente kur Erion Veliaj të krijon përshtypjen se më shumë sesa kandidat për kryetar Bashkie i Tiranës, është kandidat për kujdestar te shkolla e “Lulëkuqeve mbi mure”.

 

Qartësisht, Erion Veliaj do që ta dëftojë veten si dyshin e ishullit tonë turistik.

Por menyja e premtimeve ka humbur çdo lloj mase e arsyetimi logjik. Ndryshe nga Kryeministri, e në dallim nga të gjithë kandidatët e tjerë të Rilindjes, Erioni marshon me dekalogë premtimesh ngado që shkon, në çdo lagje, njësi, grup interesi, fshat apo çfarëdo të jetë. Premton me mastar problematikash që ia paskan zbuluar ata 80 vullnetarët e tij, të cilët na e paskan bërë kryq e tërthor Tiranën. 

Nisur nga kjo, Erioni gabon, sepse kurrë një shtet apo bashki nuk mund të analizohen, as kuptohen, as zbërthehen, apo ndërtohen mbi bazat e vullnetarëve të Partisë. Ka tjetër, krejt tjetër rrugë për të nxjerrë në pah thelbin e çështjeve dhe prioriteteve që flasin me qytetarin, për qytetarin, me qytetin për qytetin. Gjithëpërfshirja dhe institucio-nalizmi,nuk mund të zëvendësohen kurrë nga 80 vullnetarët e Erionit. Përtej kësaj, dekalogët e premtimeve dhe ato qindra shqetësime nëpër lagje, rrugë e fshatra, që ia kanë kallajisur Erionit, ata 80 vullnetarët, përveçse janë traktat i hapur mashtrimi, janë edhe në kufijtë e shfaqjes qesharake.

 

Gjithashtu, Erioni ngase mbart edhe ngarkesën e dyshit të ishullit, ka detyrimin publik për të thënë të vërtetën se këto 4 vite të mandatit të parë të cilitdo kryetar bashkie, të të gjitha 61 bashkive, do të jenë 4 vitet më të vështira dhe me pamundësi serioze për të dhënë shërbime të drejta e të denja për qytetarët.

Ne kemi hyrë në zgjedhje me reformën e re territoriale, por ne nuk kemi asnjë ligj tjetër rregullativ për decentralizimin, mënyrën e funksionimit, organizimin, kompetencat, hapësirat, territorin, e shumëçka tjetër që ka të bëjë me bashkitë e reja. Asnjë akt ligjor apo nënligjor nuk është miratuar për të lehtësuar homogjenizimin dhe integrimin e disa qindra njësive vendore në 61 bashki.

Vetëm procesi i transformimit, koha e tranzicionit, ecejaket institucionale dhe politike, përcaktimi se kush do të jetë kush e çfarë do të bëjë, e ku e si do të jenë zyrat dhe strukturat e reja të shërbimeve bashkiake, për të mbërritur në natyrën e vërtetë dhe funksionale të një bashkie të re, do të kërkojnë tmerrësisht shumë energji dhe kohë nga energjia dhe koha e institucioneve dhe qytetarëve. E vërteta është se ky mandat i parë i çdo kryetari në këto 61 bashki të reja do të jetë kaos total.

 

Ndaj them se premtimet me dekalogë janë mashtrime me okë. Askush nuk do të mundet të bëjë më shumë sesa të menaxhojë kaosin e bashkive të reja, derisa të mbërrijmë te destinacioni i duhur ligjor dhe procedurial i funksionimit të tyre.

Prandaj ka humbur gjuha dhe është krijuar ishulli i huaj elektoral. Ishulli, gjithsesi, është i pavërtetë, rrenacak dhe kohëshkurtër. Më dt 22 qershor, të gjithë do të zgjohemi dhe, kur të zgjohemi, shqip do të flasim shqip e do të kuptojmë shqip. Tani për tani pushojmë pa gjuhë, dëgjojmë pa gjuhë, na flasin pa gjuhë. Dekalogët e premtimeve janë njëlloj si guidat turistike, që mbajnë tabela dalluese në duar për të udhëhequr grupin e tyre turistik e të mos humbasin askënd rrugës. Dekalogët e premtimeve janë në fakt vetëm shenja komunikuese për ne shurdhmemecët qytetarë, që na duhet që pas dt 21 të paguajmë biletën e shtrenjtë të pushimeve 1-mujore elektorale. Ata, udhëheqësit tanë, më së shumti do na japin një grusht euro të vockla për votën ose një thes miell. Pastaj ata do të vazhdojnë në jahtet e tyre të politikës, e ne do të zhgërryhemi të zhgënjyer dhe ankimtarë në mjerimin tonë.

 

Panorama

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.