Fundi i trishtë i Pranverës Egjiptiane

Postuar në 10 Qershor, 2014 06:26
Tahar Ben Jelloun

Kandidatët për diktatorë duhet të frekuentojnë pak bibliotekat dhe të lexojnë disa vepra të shkruara shumë kohë më parë, që flasin për ta. Pushteti absolut është trajtuar gjithashtu gjerë e gjatë nga dramaturgjia, e po ashtu nga mendimtarët. Mund t’i ofrohej Abdel Fatah al Sisit, presidenti i ri i Egjiptit, një përkthim i “Ubu roi”, një shkrim i Alfred Jarry-së (1896) ose një reportazh edhe më i afërt mbi kurorëzimin si perandor të Bokasës. Por ja që pushteti, përveçse e bën të çmendur dhe mizor, e mbulon edhe me budallallëk atë që e ushtron. Dhe për fat të keq e dimë që qesharakja nuk e vret bartësin e saj.

Ndaj dhe askush nuk ja ka frikën. Dhe ja sesi ndodh që një gjeneral 58 vjeçar që ja doli të rrëzojë Mohamed Morsin, një president i zgjedhur me votë, dhe ta burgosë në korrik 2013, është vetëshpallur asgjë më pak se mareshall, pa luftuar e pa fituar as edhe një betejë. Dhe nga lartësia e rangut të vet deklaroi dënimin me vdekje për qindra kundërshtarë islamikë që mbështesin ish presidentin. Një gjykatë firmosi 529 dënime kapitale (të shndërruara më vonë në burgim të përjetshëm) kundër një grupi militantësh që i përkasin Vëllazërisë Myslimane. Pastaj 683 islamikë të tjerë, mes të cilëve udhëheqësi i tyre Mohamed Badie, u dënuan me vdekje për pjesëmarrje në një manifestim paqësor kundër regjimit në 14 gushtin e kaluar në Minia, kryeqyteti i Egjiptit të Mesëm. Sipas shoqatë Human Rights Watch, procesi zgjati vetëm pak orë dhe gjykata refuzoi t’ua japë fjalën avokatëve të mbrojtjes. Këto dënime duhet të marrin edhe aprovimin e Myftiut të Egjiptit. Por duket si një formalitet pa ndonjë rëndësi.

Që kur kjo Vëllazëri doli në jetë, këtu e 85 vjet më parë dhe kur shefi i parë i saj Sajed Qutb u dënua me vdekje dhe u ekzekutua nga presidenti Naser më 1966-ën, u quajt “organizatë terroriste” dhe ushtria filloi një gjueti sistematike kundër gjithçkaje dhe gjithkujt që kishte lidhje sado të largët me të. Mbi 15 mijë persona janë arrestuar dhe 1400 islamikë janë vrarë gjatë përplasjeve me forcat e armatosura dhe policinë.

Nuk kishte ndonjë dyshim se Al Sisi do zgjidhej president me shumicë dërrmuese votash. Është tashmë traditë në disa vende në Lindjes së Afërme. Po ashtu dihej se lideri sirian Bashar al Asad, përgjegjës për masakrat e përditshme kundër popullit të vet do të zgjidhej sërish president me mbi 90% të votave. Al Sisi e rrëzoi Mursin sepse ky paskësh përqëndruar të gjitha pushtetet. Dhe ja tek pasardhësi i tij bën të njëjtën gjë me preteksin e shpëtimit të Egjiptit nga kërcënimi islamik. Por as Amerika e As Europa nuk i mbështetën lirshëm këto tendenca të fundit. Ama mund të thuhet se vendet e Gjirit Persik rendën në ndihmë të Al Sisit me donacione ndihmash që shkojnë në 16 miliardë dollarë.

Demokracia nuk është një pilulë që e pi në mëngjes dhe bëhesh demokratik. Nuk është as thjesht teknikë elektorale, por një sistem vlerash që e gjen zbatimin praktik duke jetuar së bashku. Këtë mareshalli egjiptian nuk e di. Ai është tashmë në pushtet, por po kryen të njëjtat gabime që rrëzuan ish presidentin Hosni Mubarak. Njësoj si ky i fundit, Al Sisi është autoritar, egocentrik, i padrejtë dhe tenton të përçajë popullin për të sunduar. Por duke bërë kësisoj, po përgatit kushtet për një luftë civile. Dënimi me vdekje apo me burg të përjetshëm i qytetarëve që kundërshtojnë sundimin tënd, është një mënyrë e mirë për të inkurajuar rezistencën e armatosur. Padyshim, disa islamikë kanë kryer krime, kanë vrarë agjentë policie dhe kanë shkaktuar trazira, por sigurisht që paqen nuk e risjell dot “drejtësia” e gatuar nxitimthi e mareshallit.

Si konkluzion, e ashtuquajtura “pranverë arabe” rezultoi pozitive vetëm për Tunizinë. Ky vend i vogël arriti të miratojë një kushtetutë historike dhe unike në botën arabe e myslimane, që garanton barazinë e të drejtave mes burrit dhe gruas, që siguron në nenet e veta “lirinë e ndërgjegjes” dhe ndalon shprehimisht torturën. Egjipti vijon të lundrojë nëpër kaos e trazira, autoritarizëm dhe arbitraritet. Jemi ende shumë larg një shteti të së drejtës. Afërmendsh që nuk mund të jetë politika e klikës ushtarake pas Al Sisit, ajo që do joshë turistët e huaj të rikthehen në vend. Në këtë mënyrë, Egjipti është i dënuar të përjetojë një krizë pa fund. Rruga e paqes së vërtetë, ajo që hapet përmes modernizmit, është ende shumë larg. Popujve arabë nuk u mungon as durimi e as guximi. Por sa kohë do të zgjasë akoma ky makth që nuk kursen askënd dhe shkatërron gjithçka i del përpara?

 

l'Espresso

 

Revista Klan nr.873

Comments

Submitted by katarakti (not verified) on

<p>Shkrim shume i bukur. Ia vlente te lexohej. Shkruajtur me trishtim dhe dhimbje.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.