Flokët e oksigjenuar
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/2437_berisha_8.jpg?itok=2xIwAKnT)
Të gjesh veten tek revolucioni i Kievit dhe në të njëjtën kohë të jesh Berisha, duhet minimalisht të kesh fantazi, ose të jesh memorie kompjuteri e fshirë; ose të kesh kurajo të pakushtëzuar nga inteligjenca, mungesë pasqyrash, të kesh lexuar vetëm gazetën 55, të jesh me dietë prej 25 ditësh, kohë e mjaftueshme për delire post-ushqyrjes me vetëm një dardhë Korçe; ose të kesh harruar se nga viti ‘91 kanë kaluar 23 vjet, nga ato që askush që i ka jetuar s’do t’i harrojë kurrë; ose thjesht do të thotë të jesh legen i fokusuar tek pushteti.
Që të jesh pjesë e procesit të para-revolucionit në Shqipëri (kur ende tenton me fushata elektorale) duhen disa parakushte thelbësore. Duhet medoemos të gjesh disa të rinj të shkolluar jashtë shtetit. T’i promovosh duke i prezantuar si aleatët e rinj, se janë të papërlyer apo dhe se kanë një ide të re. Kjo funksionon vetëm një herë. Në mirëbesim, popullsia, kur gjendet në shiun e një politike që po e vjedh, i jep shans breshërit të një politike që do të vijë.
Një ujk që ndërron qimen, ka shanse të mëdha të marrë pushtetin me zgjedhje. Kjo për shkak se rregullisht, një pjesë e popullsisë, do që t’i japë një shans kafshës edhe kur me instinkt e ndjen se po rrezikon. Ujku ndërron garderobën dhe falenderon gjithmonë me një lloj vetëpërmbajtjeje. Neoliberalët që kanë qenë maskota deri në atë moment, përfitojnë një licensë dhe kjo i bën të lumtur dhe të pandjeshëm për një kohë të gjatë. Nga grupimi zbukurues në përgjithësi, dikush tregon vullnet maksimal që të vendoset në kushtet e vazos dekorative, gjë që i shton shanset për të kaluar në ndonjë vend ministri për lezetin e gjithë fisit. Por kjo teknikë në thelb bën që zgjidhja të kalohet urtë e butë e me një palë zgjedhje. Edhe kaq sikur të mjaftonte, prapë do të duheshin kohë dhe nerva.
Ka një mënyrë akoma më origjinale (dhe kjo vlen nëse ke qenë 8 vjet në pushtet). Del në protestë duke shpresuar që Kryeministri i ri do të kundërshtojë popullsinë. E ke këtë besim sepse në CV-në tënde, momentet shenjuese u kaluan duke qëlluar me armë mbi popullsinë. Ose duke festuar integrimin, ndërkohë që Lirak Bejko digjej për një pension, që vetë nuk mjaftonte as për të tentuar një herë të dytë djegien (gjë që s’të pengon të mbash zi për protestuesit ukrainas). Kalon me pak besim në protestë dhe tangent kupton se askush nuk është me ty. Kjo të bën më logjik dhe ndërton me shpejtësi logjistikën e një grupimi që do të bashkëngjitet në momentin e PO-së që do trondisë në masë popullsinë e trembur. Në një moment të tillë askush nuk kujdeset se cili është në krahun tënd duke protestuar. Ashtu si në Ukrainë asnjë zë nuk doli kundër forcave neonaziste në protestë. Pas lufte të gjithë besojnë se demokracia në zgjedhje do t’i hapë rrugë mendimit më pozitiv. Në Ukrainë pasojat do të ndihen në vijim. Këtu pasoja nuk do të ketë. Qeveria nuk pranoi të demontonte armët kimike në kushtet e frikës kolektive.
Ka edhe një mënyrë të tretë. Të përfitosh nga ngjashmëritë jashtë kontekstit për të ndërtuar një revolucion jo kontekstual. Protestat në Ukrainë i bën opozita. Në Shqipëri nominalisht opozita mund të jetë partia e Berishës së tretë. Në Tiranë prej disa vitesh një deputete me intuitë kishte ndjerë se ngjashmëria fizike me Julia Timoshenkon mund ta ndihmonte. Fakt është se tek Partia Demokratike uji i oksigjenuar po kthehet në obsesion. Në kushtet e fantazisë, Ed Paloka mund të luante rolin e Klitchkos për ngjashmërinë me modelin e flokëve dhe fitoret me nokaut ndaj vazove të luleve në sallën e parlamentit në vitet 2003-2005, Aldo Bumçi mund të ishte një Gavrosh simpatik (ngjashmëria qëndron vetëm se duket deputeti PD-ist më i vogël në peshë), Jozefina do bëhej bjonde për të marrë flamurin e situatës dhe Berisha do të ishte si dhe vetë ka deklaruar, një hero i heshtur në rradhët e largëta të demonstrimit.
Nëse edhe kjo fantazi nuk do të mjaftonte, Partia Demokratike do të bënte mirë të niste reformimin brenda saj. Historia se në datë 20 shkurt do të kishte përplasje me policinë i heq çdo shans për t’u dukur opozitë normale dhe e lë në nivelin e një bande të çoroditur.
Askush në atë parti nuk ka tagër për të propozuar veprime energjike, sa kohë që në xhepat e tyre rëndojnë miliarda euro dhe në mendjet e tyre plumba në kokat e qytetarëve. Berisha i tretë në asnjë skenë nuk qëndron. Ai është kaq i ngjeshur me krime, sa duket sikur e kemi përjetuar në një kohë tjetër. Ideja e dhunës së kaluar na ka bërë ta fshijmë dhe largojmë në kohë, përndryshe është e pamundur të jetosh me idenë se 23 vjet t’i mori një klloun që u prezantua si hero.
revista Klan nr. 859
Comments
Ne fakt eshte interesante
<p>Ne fakt eshte interesante komenti i fundit per xhepat plot te opozites. </p><p>Kjo sepse nuk ishte me pak "oligarke" dhe opozita ne Kiev, per te mos thene qe ka vertet elemente raciste e neonazist ne ate proteste. I them keto jo per te ulur opoziten ukrainase, po per te thene qe asnjehere keto revolucionet nuk jane te drejtuar nga Nene Tereza dhe ndjekeset e saj. Ashtu si ne vendet arabe nje pjese e madhe e protestuesve ishin Vellezer Mysliman. </p><p>Pastaj kur flasin per nder e moral keta bythecat qe ben koalicion me Meten se Rama vete nuk po ja dilte, kjo eshte per te mos ta lexu fare pastaj. </p>
Bravo, Andi e paske shkruar
<p>Bravo, Andi e paske shkruar traktin e rradhes......pa shaptilograf, po me kompjuter......ja progresi......</p>
Add new comment