Fëmijët e korrupsionit
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/6769_gjekmarkaj_0.jpg?itok=78FhneV6)
Fëmijët e të gjitha formave tëkorrupsionit ose të prindërve të korruptuar po vendosin standardin etik të shoqërisë sonë vetë mënyrën e sjelljes. Ata po shndërrohen në model për bashkëmoshatarët e tyre duke trazuar familjen tradicionale shqiptare dhe raportin etër-bijë. Simboli i krizës morale që na ka përfshirë janë pikërisht fëmijët e disa njerëzve me pushtet politik e ekonomik, që në harkun e 24 viteve liri, sipas një perceptimi popullor, janë pasuruar në mënyrë të paligjshme. Ne jemi një vend i vogël dhe njerëz tamahqarë në kuriozitet ku pothuaj e njohim mirë njëri-tjetrin, atë që kemi në lagje, në fshat, në qytet, në punë, ndaj shpejtësia me të cilën dikush që ka marrë vetëm rrogë shteti është pasuruar, të huton. Askush nuk u beson deklaratave qesharake të pasurisë ku dalin dhurata qindra mijëra euro, apartamente e makina, por të gjithë mendojnë se këto të mira janë frutat e vjela nga pema me rrënjë të thella e korrupsionit. Nuk janë të paktë ata që thonë bravo u qoftë, janë të zotët, dinë të vjedhin plot zili që nuk kanë atë fat të bereqetshëm. Të tjerë, të cilët e kuptojnë se të vjedhurit janë pikërisht vetë ata dhe këtë ves e urrejnë, nuk bëzajnë e nuk dinë ku ta shfryjnë zemërimin, mendojnë se si të ikin nga ky vend.
Shtëpitë që ata kanë në kryeqytet, në qytet, në mal e breg në bjeshkë e det, makinat superluksoze, pushimet në resortet e famshme të botës, kostumet, këpucët, butonat e kamishave, purot që pinë gjithë këndellje janë fituar me djersën çurg të korrupsionit. Pasi e bëjnë këtë të dhunojnë, të fyejnë, ta përplasin në fytyrë kamjen e tyre me gjeste, sjellje, fjalë dhe, mbi të gjitha, me fëmijët e tyre harbues. Këta pasardhës, të cilët shohin prindërit e gjithëpushtetshëm rrethuar me servilë e hallexhinj që e fillojnë ditën me laudacio për shefin dhe e mbarojnë duke spiunuar se kush qeshi kur dikush e talli apo kujt nuk i dolën sytë jashtë nga zemërimi kur dikush e fyeu, ndihen kalorës në një kështjellë të pamposhtur. Servilët i lajkatojnë edhe ata se kështu fëmijët e lëshojnë ndonjë fjalë të mirë te mamatë në intervalet nga një sallon bukurie në tjetrin, pra nuk jua kursejnë himnet, buzëqeshjet e përunjura, gatishmërinë për t’u hequr një qime nga supi, fjalët sherbet “sa të bukur që jini”, “sa të mençur”, “si ju nuk është askush”; për të “ç’vajzë perri”, “ç’djalë azgan” dhe ata, fryhen e bota ju duket sa një pëllëmbë. Ne jemi elitë, ne kemi klas, ne jemi zotërinj është refreni i babëzisë. Kështu, i bukuri i mamit, shpirti i babit dalin në rrugë me makinë X6 duke i bërë gomat të fishkëllejnë e duke i matur bërrylin policit. Ndonjëherë shkojnë edhe në shkollë kur ju mbetet kohë dhe shokët i shohin me sy të lëbyrur nga kureshtia e zilia, disa lënë mësimin dhe i ndjekin. Kompleksi i mbështjell të shkretët si tajfun. Petkat xixëllojnë nga firmat Armani, Hugo Bos, Bërbëri, Maks Mara nga xhepat e të cilave dalin celularë të mëdhenj që ndërrohen çdo javë me shpejtësinë e dëshirës. Vilat çdo të shtunë buçasin nga hareja, fjala kyç është Party. Padronë mbi bashkëmoshatarët ndihen ata, madje edhe mbi mësuesit e tyre. Fëmijët e mësuesve, pedagogëve, gazetarëve, punëtorëve që me zor arrijë në fund të muajit, kthehen në shtëpi të trishtuar, i shohin me pezëm prindërit e tyre të cilët bëhen copash për t’i çuar neper kurse, për t’u blerë ndonjë rrobë të pranueshme a për t’i ushqyer si duhet. Shamatohen, çirren, kërkojnë! Edhe ne duam celularë si filani, një makinë të vogël të paktën, po çfarë prindërish jeni ju, kot fare!? Kështu, një sistem vlerash bazuar mbi punën, shkollën, ndershmërinë, studimin bie, rrëzohet, rezulton i pasuksesshëm, aq sa këta të bëjnë me turp për gjithçka ti ke sakrifikuar në jetë! Dilema si të edukojmë fëmijët bëhet dramatike. Prindi pasunar të pyet pa gajle sa e ke rrogën? Ti i thua shifrën sikur po bën një faj, ai zgërdhihet me përbuzje të përmbajtur, te gusha i lëshohet pa fre dhe palat e qafës dendësohen dhe nxjerr frazën: O, kaq i harxhova mbrëmë në x lokal për dy shishe verë. Ose të tregon se si në Vjenë apo Romë bleu kaq e aq kostume e të tjera miradina. Këta prindër që mungesën e tyre në shtëpi e blejnë me para, makina e celularë, ju lëshojnë në shpinë shqiptarëve fëmijët e tyre, të cilët pushtetin e prindërve e përkthejnë edhe si pushtetin e vet e që nuk e njohin fjalën të mos kesh, të refuzohesh, të mos konsiderohesh, të jesh i pambrojtur, të të peshojë ligji, të punosh për të vazhduar studimet etj. Meqenëse asgjë nuk është e ndaluar për ta, arrijnë edhe te vrasja. Tek nuk u njeh autoritetin, i trajton si të barabartë, atëherë zymtohen, mërziten, kreshpërohen, shpërthejnë dhe troket zezona. Ndihen trima se në shtëpi i trimërojnë. Ndihen të ditur se shkollën ua blejnë. Ndihen të sigurt se punën e kanë. Të paprekshëm se prindërit i mbrojnë. Të qetë se paratë nuk iu mungojnë. Të pastresuar se monotoninë e vendit të vogël e thyejnë me udhëtime në Dubai apo Iskia. Por kështu kaq brutalisht ky fenomen poshtërues harliset veç në Shqipëri. Ky është një turp që po kalb shoqërinë ditë për ditë, ndoshta deri në një pikë të pa kthim sepse me modelin e mësipërm ëndërr kombëtare e kobtare po bëhet paraja e fituar lehtë. Ndikimin më të madh kjo e ka tek adoleshentët dhe të rinjtë, të cilët po furnizojnë si askund tjetër kronikën e zezë duke e zhvleftësuar deri në hiç jetën e tjetrit, duke destabilizuar një sistem klasik vlerash. Një zgjidhje ekziston. Ajo gjendet te të ndjerit qytetarë, dhe jo raja! Ndonëse në 102 vjet shtet jemi ndier shumë pak të tillë. Por nëse vërtet kjo ndjesi pulson sadopak ndër ne, mund të bëjmë një revolucion moral e etik ku krizën, shqetësimin dhe turpin me të cilin kanë mbushur shtëpitë tona t’ua kthejmë, ta heqim nga vetja dhe ta dërgojmë në shtëpitë e tyre, përndryshe kur t’u vijë dita do të jenë edhe më të zellshëm e xhahilë se prindërit me lejen tonë. Personalisht këtë standard e përçmoj dhe e refuzoj.
Comments
E lexon kete shkrim, te duket
<p>E lexon kete shkrim, te duket sikur je dakort me te ....por prap, kujt i vlejne keto konstatime , edhe te tepruara , kur nuk ben te qarte thelbin e problemit .... Pa le pastaj zgjidhjen " idiote " qe propozon dhe, nuk ka si te ndodh ndryshe , per menyren si eshte shtruar ceshtja - <span style="font-family: sans-serif; line-height: 24.4799995422363px;"><u>zgjidhje ekziston. Ajo gjendet te të ndjerit qytetarë, dhe jo raja! ;</u> hesht or shoq , cfar je tu thane .... Revolucion apo ...!?</span></p>
Add new comment