E mira, e keqja reformë territoriale…
Opozita duhet të kishte marrë pjesë në hartimin e reformës territoriale. Mungesa e saj sigurisht nuk mund të sfumohet nga pjesëmarrja e Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet të Shpëtim Idrizit. Reforma ka ‘kaluar’ tashmë edhe me kontributin e kësaj force politike të ardhur nga opozita, por kjo nuk e ndryshon thelbin e paktit, një shkëmbim qokash me PS e LSI, të formës: unë të jap praninë, ti ca komuna e bashki “çame”.
Logjika ose alogjika e kësaj të shtyn megjithatë të bësh edhe një pyetje tjetër: a do kish bërë lëshime mazhoranca nëse edhe opozita e madhe, Partia Demokratike, do të ishte ofruar në partneritet. Nuk mund ta dimë për arsye të një mungese të paartikuluar mirë nga PD, shigjeta kryesore e së cilës ishte: harta do të jetë elektorale, jo territoriale. E cila në fakt është pjesërisht, edhe e tillë. Mazhoranca nuk ka treguar drojë për të konfiguruar një ndarje territoriale që i shkon për shtat edhe qëllimeve të saj politike, domethënë votimeve të kësaj radhe e të të gjitha herëve. Që do të thotë, mund të gjesh në hartën e re ishuj demokratë që janë futur në detin socialist për t’i shkëputur nga ‘kontinenti’ i bazës së PD-së. Duke përdorur teori kompensimi në favor të së majtës.
Megjithatë nga PD, e cila i ka prezantuar publikut edhe një koordinator të ri, denoncues i mbrapshtive mazhoritare, një djalë të ri të quajtur Ervin Salianji, ende nuk e kemi parë këtë hartë manipulimesh. E cila na shpjegon se ku ka humbur elektoralisht Partia Demokratike dhe aleatët e saj. Edhe pse në denoncime Salianji është edhe sa më i bindur e sa më i rrjedhshëm se një pjesë e mirë e atyre që opozita nxjerr përditë, në foltore a në terren, prapë këtë informacion prej tij nuk e kemi parë.
Reforma territoriale u fut shpejt e shpejt nën peshën e ngutit për ta quajtur deri historike. Sigurisht, ajo do të ketë historinë e saj në vijim, e ka atë përpara më shumë se tek akti i themelimit të saj domethënë. Historike do të kish qenë nëse do të kalonte unanimisht edhe me votat e Partisë Demokratike. Ahistoriciteti i mungesës së konsensusit u përket të dy palëve: si ftuesve, ashtu edhe të ftuarve.
Elementë të shënueshëm të herës së parë megjithatë kjo reformë i pati. Për shembull, një vetëdijesim se në punët e brendshme ku, qoftë edhe tangencialisht, preken interesat e Greqisë u bëkan edhe pa i marrë dorën Athinës. Prej 23 vitesh, kohë e gjatë bindjeje të verbër, Shqipëria për çdo dy hapa para hidhte dy anash me kokën të kthyer gjithmonë mbrapa nga kufiri jugor. Ish-presidenti Berisha ka qenë në fakt i pari që shpalli sovranitetin e vendimeve të brendshme në raport me Greqinë, por ai dhe të gjithë ne e dimë se ç’ndodhi si shpagim. Kryeministri Rama ka bërë përpjekjen e dytë. Mund të mos ketë qenë veprim i mençur, por akt megjithatë themelon.
Elementi i dytë pozitiv prek jo vetëm ca sinorë por edhe ca sentimente. Janë kufijtë e ‘bejlerëve të vegjël’ të komunave, të vogla apo të mëdha, disa prej tyre në pushtet në një formë absolutiste, sikur qeverisja lokale të ishte domain i trashëgimisë familjare dhe jo rotacion. Komunat në kufijtë e Tiranës janë sidomos shembull i kësaj. Aq shumë të tilla sa ndonjë kryekomunar edhe rrugët e fshatit i qëndiste me emrat e pjesëtarëve të familjes së vet; duke nderuar açik babanë.
Jemi pra me një reformë joperfekte, por një reformë gjithsesi. Në trupin e saj ka edhe shenja turpi, domethënë qoka paradoksale për këtë parti apo atë deputet, por duke e ditur se nuk jetojmë kurrkund afër vendit perfekt, duhet ta marrim një lëvizje në vend të status quo-së. Qoftë edhe duke pyetur: a do ish treguar perfekt krahu tjetër politik nëse do të këmbeheshin vendet?
Mapo
Comments
A ta kete shkruar Alfred Lela
<p>A ta kete shkruar Alfred Lela kete artikull, valle?</p><p>Eshte e para here qe i lexoj Leles nje shkrim ku duket paksa i pavarur dhe me nje fare hije gazetari.</p><p>Pergezime zoti Lela, megjithe verejtjet e mija subjektive per disa nga tezat e shkrimit.</p>
Add new comment