Dhjetë ditë pa orakullin
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/1919_pellumb_kulla_mars_2011.jpg?itok=ZSUBh2Ev)
Gjej rast tani që një vendim i padrejtë dënoi dhe do të lerë 10 ditë të gjata larg mikrofonit orakullin e tranzicionit shqiptar. Kjo, ama, nuk është veçse një paradhënie, një test i shkurtër për kohën kur Shqipërisë do t’i mungojë përgjithmonë Goja e të vërtetave të pakundërshtueshme, Goja e poezisë politike, Goja e rapsodit të shenjtë popullor. Se do të vijë ajo ditë! Si për cilindo, edhe për ne të tjerët! Po ne…Phë! Ç’humbje do të jemi ne?! Punë e madhe fort! Po si do t’i bëhet kur të mungosh ti, orakull i shtrenjtë, o zbuluesi i tërë të vërtetave të atij vendi mëkatar? Nga kush do t’i presë të vërtetat ai komb, ai popull, ajo shoqëri njerëzore? Kush si ti, mundi të shqiptojë të vërteta të patundura, të pakundërshtueshme, ato që të mbërthejnë me garancinë, me sigurinë dhe vërtetësinë mahnitëse?
Është e nevojshme mungesa që të lexohen vlerat. Ne do ta quajmë veten fatlumë që jetuam në një kohë me ty, o orakull legjendar. Ti solle një shkollë, solle një sistem moral të pakrahasueshëm në politikë. Ti edukove breza të tërë me mënyrën e re të komunikimit, me të shara nga nëna, që mund të duken si të pista, por janë gjithë hir. Të vërtetat e tua tanimë do të jenë pjesë e Eposit të Veriut. Ti je shndërruar në legjendë. Nesër në gjykatoret shqiptare njerëzve që gjykohen do t’u kërkohet me ngulm besnikëria tek e vërteta, dhe ata nuk do të betohen më as mbi Kod Penal, as mbi Ungjill e as mbi Kuran, por mbi fotografinë tënde në kornizë ari. Parlamentarët e brezave që vijnë do të bëjnë pelegrinazh te varri yt dhe kur të betohen për mandatet, atë rit nuk do ta bëjnë më në salla kuvendi, por në varreza dhe do të venë duart solemnisht mbi gurin tënd të mermertë.
Oh, orakull i pazëvendësueshëm! Kombi të është borxhli për këtë brez politikanësh që na edukove gjatë këtyre viteve. Ty shpesh kundërshtarë banalë të akuzuan për një të kaluar tënde të shkurtër në radhët e partisë enveriane, por ata nuk arritën kurrë të kuptojnë se sa kohë ishe atje ti nuk bëre asnjë mëkat. Ata nuk arrijnë të kuptojnë se ti e shfrytëzove atë stazh në të mirë të kombit, ti e shfrytëzove atë parti, ti nuk more nga ajo as tharmin diktatorial, as egërsinë klasore. Ti i more asaj, ia përvetësove dhe na e prure tek ne tiparin e vetëm të pastër që kishte partia e komunistëve të hoxhës: besnikërinë e shenjtë ndaj të vërtetës! Dhe e vure në zbatim.
Oh, orakulli ynë historik, sa shumë do të përmendesh ti në shekujt që vijnë. Kombi shqiptar do t’u tregojë fëmijëve që rriten jo përrallat e dala boje me kësulkuqe, me dhi, keca dhe ujq, por historitë e tua, oratoritë e tua poetike. Ti do të kujtohesh për tërë ato që ke thënë për shokët e tu të themelimit të partisë në Sheshin e Studentëve, do të jesh i paharruar për të vërtetat e piramidave të Sudes, të vërtetat e nevojave serbe për naftë, të vërtetat për Rugovën, për Zogun. Pa do të këndojnë njerëzit me çifteli fjalët e tua të arta për Nolin dhe Janullatosin, për UÇK-në dhe grushtet e shtetit në bulevard. Brezat do të këndojnë epopenë e 21 janarit tënd të lavdishëm, kur fshive tërë filmimet dhe u ngjite në lartësitë e Kalifit Omar, i cili dogji bibliotekën e Aleksandrisë me fjalët lapidare “Digjini tërë këto libra, se kemi Kuranin!” Njësoj, ti the: “zhdukini tërë filmimet, a nuk ju mjafton e vërteta ime?!” Ti do të mbetesh në histori për shpikjen e të vërtetave tranzitore, ato që asnjë burrë shteti nuk ka arritur deri tani të zbulojë. Nuk është e domosdoshme që të ketë të vërteta të betonuara. Ato sipas nevojave mund të ndërrojnë kahje, por duhet një njeri i shenjtë, sikurse je ti, ta bëjë këtë lëvizje. Ishte plotësisht e natyrshme tek ty që për Ahmet Zogun të kesh një herë urrejtje dhe pastaj Madhëria e Tij, pa u ngritur nga varri e pa bërë asgjë, të bëhet shumë i dashur. Kujt ia merrte mendja se bashkëthemeluesi i partisë tënde do të ishte pesë vjet bashkëpunëtori yt, dy vjet bashkëpunëtor i Sigurimit dhe, pastaj, deri në përjetësi, hero legjendar i këtij vendi! Aq të përkohëshme janë të vërtetat, sa këtë hero, herë pas here, vite pas vitesh, sipas teje, e vrasin në atentat, por urdhëruesit dhe killersat nuk janë asnjëherë po ata. E thua ti këtë, se ta thosh dikush tjetër, të gjithë këtë histori do ta kujtonim për marrëzi të klasit më të lartë.
E çfarë të të përhiroj më parë ty, orakull lavdimadh, o dashnor i të Vërtetës Absolute! Çfarë të të këndoj më parë, o arkivist besnik i vrasjeve, vjedhjeve, mashtrimeve, aksidenteve që bëhen rretheqark teje. A do të mundet njeri në të ardhmen të tregojë me përpikmëri se kush kreu vrasje, me cilën armë, me cilin kalibër, apo nga cila tytë doli plumbi? Kurrë s’do të munden! Njerëz që do të dëshmojnë vrasjet do të ketë, sigurisht, por jo aqë shkreptimthi sikurse dëshmon ti, që i denoncon këto teksa ka dalë plumbi nga arma, por ende nuk ka arritur te viktima!
Ah, këto mendime bëhen edhe më të dhimbshme sapo të atakosh fantazinë, kur atij populli do t’i mungosh ti. Jepua këtë paradhënie dhjetëditore! Nuk je ti i dënuari. Janë ata! Dënoi këto dhjetë ditë me mungesën tënde! Mungesa dëshmon vlerat, sikurse hija dëshmon diellin. Le ta shohin se sa parlament i mërzitshëm, do të duket pa ty! Le ta shohin kur një popull i tërë do t’u kthejë kurrizin transmetimeve televizive të kuvendit. Është e natyrshme. Cili shqiptar do t’i përfillë më ato pamje televizive, ato, ku askush nuk mund t’u tregojë këtyre njerëzve të papunë, por ama, të etur për të ditur cilat janë kurvat, cilat janë prostitutat, kush tregton mishin e bardhë, kush tradhëton të shoqen, cili është me aids e cili nuk është? Nga cila gojë do të dëgjohen të vërtetat e kulluara se çfarë bëhet nëpër motelet e vendit tonë të lavdishëm, kush rri pa brekë dhe kush është gati t’i zhveshë ato?
Kush do t’u a thotë këto pas teje, o orakull i vyer, o burrë i lartë i racës së fisme arbërore!
Comments
10

10

Me ne fund... Me ne fund,

Me ne fund...

Me ne fund, Sali Berisha ia arriti qellimit te vene prej tij prej kur mori persiper rolin e Sekretarit te Pare te Pluralizmit.

Pothuaj nje cerek shekulli, ne ekran dhe ne podiume dhe ne faqe gazetash, dhe ne polemika e akuza e sharje e blasfemi,

dhe mallkime e anatemime e...I provoi te gjitha zhanret.

Me 23 Qershor i bashkoi Te Gjithe kunder Vetes, por vazhdoi edhe me tej:

Tashme ia arriti qe tere shkrimet kunder tij te mos lexohen dot më...

...ne vijim te reticenses,

...ne vijim te reticenses, me ne fund duhet shtuar,

ta merr mendja qe duhet shtuar:

...shkrimet e Pellumb Kulles, bejne perjashtim: ato nuk arrijne te anashkalohen

megjithe "kontributin" zhvleresues te Salih Berishes!

Kulla mbetet Kulle, sidomos ne librin e tij te mbrame "Lufte pa Fund", ku shperfaqet

tere autoriteti i krijuar prej jetes se tij si artist, qytetar dhe politikan.

Kulla eshte "kunder" gjithkujt qe ka investuar apo investon

per komunizmin dhe autoritarizmin dhe si te mbetet jashte kesaj Sali berisha?!

Add new comment