Ballkani midis fantazisë imagjinare dhe realitetit
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/8539_doja.jpeg?itok=0Z8hI9yy)
Albert Doja*
Të njëjtat ditë, më 7 e 8 shkurt, zhvillohej edicioni i 4-t i Panairit të Librit Ballkanik në Polin e Gjuhëve dhe Qytetërimeve (INALCO) në Paris. Qëllimi i tij është të paraqesë Ballkanin ndryshe duke i treguar publikut francez elementet e përbashkëta në kulturën e vendeve të ndryshme të Ballkanit, që udhëheqësit politikë, etnikë dhe fetarë kanë prirjen t’i përçajnë. Gjatë këtyre dy ditëve, konferenca dhe tryeza të rrumbullakëta, si dhe ekspozita fotografike dhe shfaqje filmash janë shoqëruar nga momente zbulimi rreth shumë autorësh dhe botuesish të letërsisë ballkanike, të cilët kanë prezantuar veprat e tyre në gjuhë origjinale apo të përkthyera në frëngjisht. Një tryezë e rrumbullakët mori titullin e librit “Ballkani imagjinar” të historianes së famshme Maria Todorova që të gjithë i thonë me origjinë bullgare. Përmes një qasje ndërdisiplinore, në këtë tryezë u eksploruan këndvështrime të ndryshme mbi Ballkanin:imazhe shpesh stereotipizuese të para nga jashtë, imazhe të brendësuara shpesh të toleruara apo pranuara nga vetë ballkanasit, por shpesh si reagim edhe përkatësi ballkanike e hedhur poshtë.
Interesante ishte shfaqja e filmit, “E kujt është kjo këngë”, e cila është e njohur dhe këndohet në të gjitha vendet e Ballkanit, por që të gjithë e kudo e marrin për këngën e “tyre” të “vjedhur” nga të tjerët. Edhe regjisorja e filmit e përcaktoi veten si një Ballkanase “e vërtetë”, pasi ajo ka bërë gjithmonë e gjithçka në vendin e saj. Ajo ka lindur, është rritur, ka jetuar, ka punuar, ka lindur fëmijët e saj, ka kënduar këngë, vetëm në Bullgari. Por megjithatë do të dalë gjithnjë dikush për të thënë diku se kjo është këngë amerikane, ajo këndohet në ishullin Borneo, e dinë gjithashtu edhe në Malajzi, dhe kushedi se ku përsëri. Në kundërshtim me çka mund të mendonin të gjithë folësit rreth kësaj tryeze, kjo histori e thjeshtë kënge tregon vetëm faktin e thjeshtë se njerëzit në Ballkan janë vetëm si të gjithë njerëzit e tjerë në mbarë botën. Ata do të rendin të gjithë pas specifikave të tyre imagjinare,kush pas këngës së vet, kush pas fshatit të vet, e kush pas kërthizës së vet. A nuk shohim çdo ditë në media dikë si Luc Ferry që bën të njëjtën gjë? Provoni t’i kërkoni të thellohet mbi një temë, ai do të bëjë çmos për t’u zhytur edhe më thellë në kërthizën e tij. Shkon gjer aty sa t’i këndojë lavde qytetërimit të “tij”të pashembullt edhe në mediat e Ballkanit (Mapo, dt. 18/01/2014). Ndërsa çdo lloj relativizmi që guxon të vërë në pikëpyetje supremacinë perëndimore krahas të egërve (ballkanas apo kushdo qofshin) i duket gjithmonë një krim i papërshkrueshëm që ai e dënon me shumë hidhësi e përdhosje. A mund të gjendet diçka tjetër më shumë “ballkanike”se kur shikohesh kështu në pasqyrën e kotësisë së vetvetes dhe kur dehesh nën tingujt e zërit të vetvetes?
Këtu qëndron gjithë dallimi me një studiuese si Maria Todorova që këmbëngul se nuk flet për Ballkanin, por “Ballkanizmin”, d.m.th. për imazhin në përgjithësi të papajtueshëm dhe në përgjithësi negativ të Ballkanit në kulturën perëndimore, si dhe për paradokset e referimeve kulturore të supozuara. Por duket se është e pamundur të flasësh për Ballkanizmin kur u flet drejtpërsëdrejti Ballkanasve apo Ballkanit, sepse të gjithë nuk shohin veçse specifikat e tyre ballkanike. Tryeza e 7 shkurtit zhvillohej tamam në kuadër të “Ballkanit”parisian, ashtu si dhe njerëzit e thjeshtë protestonin të njëjtën ditë në Bosnje kundër Ballkanizmit europian si parakusht për reformat dhe zgjidhjet imagjinare e të vjetruara që jo vetëm nuk premtojnë gjë, por janë përgjegjëse për papunësinë, paralizën politike dhe korrupsionin. Duke valëvitur së bashku tre flamujt e komuniteteve të tyre të përçara, njerëzit e zakonshëm në Bosnje tani janë duke spastruar këtë rrëmujë, nën-produkt i Ballkanizmit. Në fakt, në qoftë se ka diçka për të fajësuar për situatën aktuale, kjo është mënyra se si evropianët i identifikojnë dhe konkretisht qeverisin Ballkanin, si dhe mënyra se si japin e marrin me elitat kulturore dhe intelektuale që i konsiderojnë si partnerët e tyre të preferuar,sidomos kur ndërhyjnë midis tyre si ndërmjetësues. Në çdo rast, ata vetëm favorizojnë identifikimin e tyre specifik kulturor, etnik, fetar, dhe nacionalist.
*Profesor i Antropologjisë, Universiteti i Lilës, France. Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
"Dita"
Add new comment