Tirana, kryeqytet më 1920 apo 1931?

Postuar në 19 Shkurt, 2012 12:49

Kanë kaluar disa ditë nga jehona e festimit të 92-vjetorit të Tiranës kryeqytet. Sigurisht në shtyp, televizor, dëgjuam, lexuam shumë lavdërime, kënaqësi dhe gëzim për këtë “përvjetor” shumë domethënës në lidhje me përcaktimin e kryeqytetit tonë Tiranë. Me atë që kuptova, përvjetori u lidh ngushtë me Kongresin e Lushnjës, i cili, më saktë zgjodhi, por nuk shpalli zyrtarisht Tiranën si kryeqytet i ri për Shqipërinë. Ka diferencë midis zgjedhjes dhe shpalljes, siç do të shikojmë më poshtë.

Për të shkruar këtë artikull konsultova disa dokumente në italisht dhe shqip (nuk mund t’i paraqes të gjitha në pak rreshta), që lidhen ngushtë me Kongresin e Lushnjës dhe jo vetëm. Po e trajtoj argumentin shumë shkurtimisht. Lexojmë:

“Pasi mbaroi Kongresi, anëtarët e këshillit të lartë dhe të qeverisë… u nisën për t’u vendosur në Durrës dhe për shkak të pushtuesve italianë, nuk mundën të hynin në këtë qytet dhe morën rrugën për në Tiranë ku u vendosën… Qysh atëherë, Tirana qytet në qendër të vendit u bë kryeqytet” ( Historia e Shqipërisë, T, 198, v. III, f. 213.)

Ndërsa K. Miho në librin e tij “Shqipëria: Vështrim Urbanistik” fq. 137 shkruan: “Kongresi i Lushnjës… la për ca vite Tiranën në statutin e një kryeqyteti provizor, deri sa më në fund, më 31 janar 1931, ajo u shpall kryeqyteti definitiv i vendit.”

Nëse konsideroj edhe disa gazeta të kohës si: “Telegrafi”, 7 shtator 1927 dhe “Fletorja Zyrtare”, 30 qershor 1927, konstatoj që Tirana jo vetëm nuk ishte gati t’i bënte ballë detyrës së re për një kryeqytet, por mbi të gjitha në krahasim me qytetin e Durrësit, Korçës apo Shkodrës, Tirana ishte një “fshat i madh”, siç e quan “Telegrafi”, më 3 gusht 1927.

Pra, vërtet Kongresi i Lushnjës thirri për kryeqytet Tiranën, por faktikisht nuk arriti ta shpallte zyrtarisht kryeqytet. Tirana kishte vërtet një zhvillim shumë të prapambetur nga të gjitha aspektet dhe kështu qëndroi deri sa Italia nuk filloi të ndryshonte ngadalë pamjen e saj duke filluar nga viti 1926-‘27. Tirana në mendjen e Francesco Jacomoni më 1926, ishte e tillë:

“Tirana kryeqytet me fjalë, ishte një fshat ndoshta me 5 mijë frymë. Tek sheshi i vogël i markatës shikoje herë pas here të mjerët njerëz të varur”.

(Nelle testimonianze del Luogotenente del Re Francesco Jocomoni di San Savino, Cappelli Editore, 1955, faqe 27-28. ).

Sigurisht, nuk mund të përcaktoj me këtë artikull një metodologji studimi të mirëfilltë, që kërkon seminare dhe punë më vete, por po kërkoj vetëm vëmendjen e publikut për të kuptuar edhe faqen tjetër të medaljes. Ka një diferencë të madhe zgjedhja e diçkaje nga shpallja e saj. Tirana vërtet u zgjodh më 1920 si kryeqytet, por shpallja e saj zyrtare e lidhur me arkitekturën absolutisht të reformuar ndodhi më vonë.

Ka edhe një diferencë midis teorisë dhe praktikës; ne festuam më 11 shkurt zgjedhjen e një Fakti që në fakt do të bëhej realitet i vërtetë dhe i Shpallur vetëm më 1931. Diskutimi është i hapur.

Gazeta “Besa”, më 4 korrik 1931 sjell faktin e Medaljes së Artë që i jepet arkitektit italian Di Fausto, nga vetë Zogu, i cili lavdëron ndryshimin e “faqes” së kryeqytetit të shpallur. Lexojmë gjithashtu çfarë shkruan akoma F. Jacomoni për Tiranën më 1936:

“Arrita në Tiranë më 6 nëntor 1936… Fshati i dikurshëm falë kontributit tonë ishte zhdukur, Tirana ishte me të vërtet një kryeqytet praktik me fakte ku jetonin 30 mijë banorë” (Nelle testimonianze del Luogotenente del Re Francesco Jocomoni di San Savino, Cappelli Editore, 1955, faqe 52 ).

Nuk dëshiroj aspak të krijoj debate sterile, sepse askush nuk më ka ftuar që të prezantoj dhe të analizoj dokumentet (thellësinë e studimeve e konsideroj pasuri timen). Por, nga ana tjetër, nuk kuptova aspak qartësinë e fjalëve të kryeministrit tonë, i cili u shpreh si më poshtë:

“Tirana u bë kryeqytet nga Sulejman Delvina e Ahmet Zogu dhe gjatë pushtimit fashist u organizua një qëndresë e shkëlqyer, por më pas Tirana u pushtua nga komunistët. Tirana ra në kthetrat e një grupi, e një bande barbare, e cila u përqendrua në bllok dhe s’u integrua dot kurrë në qytetin e Tiranës, ndërtoi bunkerin e vet, por nuk penetroi dot kurrë, në rrugët, rrugicat, në mendjen, zemrën dhe shpirtin e qytetarëve të Tiranës”, (marrë nga shtypi 11/02/2012).

Në këtë potpuri fjalimi çfarë duhet të mësoj? Një fakt metodologjik historik? Një dëshirë? Apo një opinion? E kam të vështirë ta kuptoj.

Marrë nga Shekulli

Comments

Submitted by genci (not verified) on

<p>Po cke me kesianen o zenel? Ajo eshte cupe e mire. Pershesh me kos po ha.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.