Për një teatër te ri kombëtar
Ne jemi një popull që për rrethana historike, tashmë të ditura, e kemi nisur shumë vonë aktivitetin teatror dhe ende nuk ia kemi dalë që ta bëjmë këtë art në një medium të dashur për njerëzit.
Për herë të fundit teatri në Shqipëri lindi në vitin 1880, si koncept i importuar nga jashtë. Ai lindi si lëvizje amatore, kryesisht brenda shkollave dhe përgjatë gjysmës së parë të shekullit të njëzet edhe brenda komunitetit të zejtarëve dhe intelektualëve të pavarur.
Themi për herë të fundit sepse, shenjat e amfiteatrove antikë në territorin tonë dëshmojnë se njëherë e një kohë edhe këtu ka lulëzuar teatri.
Vetëm në vitin e vonë 1945 krijohet e para trupë profesioniste e pagëzuar me emrin e Teatrit Popullor, e që strehohet në një godinë pupuliti të ndërtuar ngutazi prej ushtarëve italianë si Dopolavoro në vitin 1939.
Që prej asaj dite e deri më sot që po flasim, kjo kompani shtetërore që duhet të përbëjë krenarinë artistike të kombit shqiptar, vazhdon ta ushtrojë varfërisht veprimtarinë e vet në këtë karakatinë. Sigurisht që ka njerëz që ende kjo godinë i duket dinjitoze dhe prestigjioze, thjesht sepse për një arsye a një tjetër nuk dinë, a por nuk kanë vënë re godinat simotra të teatrit tonë nëpër vende të ndryshme, ku mund ti ketë shkelur këmba.
Por sigurisht që duhet të ketë njerëz, të cilët kur kanë qenë jashtë në vend që të blejnë një këmishë kanë blerë një biletë teatri dhe kanë pasur kësisoj rastin të hyjnë në një teatër prej vërteti. Dhe janë këta shqiptarë të pakët që kanë ndjerë një kompleks të tmerrshëm inferioriteti që në çastin kur i janë qasur godinës nga jashtë e le pastaj kur kanë hyrë brenda. Në të gjithë botën e qytetëruar teatrot kombëtarë apo ata bashkiakë përbëjnë krenarinë estetike dhe arkitektonike të qendrave urbane dhe janë ndoshta guri më i çmuar në gjerdanin e qafës së qytetit.
Po ku gjendet teatri ynë? I fshehur pas godinave ministrore, me një suva që bie prej lagështirës, një hauz i akullt në dimër dhe një furrë e nxehtë në verë, me një teknologji superprimitive dhe me një infrastrukturë ndihmëse që nuk mund ta gjesh kund as si ekzemplarë, një sallë e denjë për një kinema porno të një lagje periferike të ndonjë metropoli si Kajro apo New Delhi.
Ndërkohë, hiç më larg se ndër vendet që na rrethojnë, me të cilët edhe mund të na ketë hije të bëjmë ndonjë lloj krahasimi, këto institucione janë jo vetëm pjesë e krenarisë kulturore dhe qytetëruese, por edhe në qendër të vëmendjes publike dhe politike. Por le të bëjmë një ekskursion të shkurtër për gjithë ato që mund të kenë dyshime…
1. Teatri kombëtar i Athinës është themeluar në vitin 1880 prej një granti të dhënë nga mbreti Gjorgj I dhe kompanisë së hekurudhave. Teatri është vepër e arkitektit të famshëm gjerman Ernst Ziller.
2. Teatri Kombëtar i Bukureshtit është themeluar në vitin 1852 dhe iu dha statusi kombëtar në vitin 1864 nga kryeministri Mihail Kogãlniceanu.
3. Teatri Kombëtar në Beograd u themelua nga princi Mihal më 1869. Projektin arkitektonik e realizoi Aleksandar Bugarski, që aso kohe ishte arkitekti më i famshëm dhe më produktiv i Serbisë.
4. Teatri Kombëtar Kroat u themelua në vitin 1836 Ndërtesa u projektua prej arkitektëve të famshëm austriakë Ferdinand Fellner dhe Herman Helmer.
5. Teatri Kombëtar Ivan Vazov në Sofie është themeluar në vitin 1904 prej kompanisë së famshme Salza i Smyah Prpjekti u realizua nga arkitektët e teatrove vjeneze Hermann Helmer dhe Ferdinand Fellner.
6. Teatri Kombëtar Slloven është themeluar më 1867. Ndërtesa është dizenjuar mbi parimet estetike të Art Nouveau
Siç mund të shihet nga ky parakalim i përciptë teatri ynë i varfër bëhet edhe më shumë i mjerë kur kujton se buxheti i tij është qesharak dhe më së paku dhjetë herë më i vogël se ai i sivëllezërve të vet. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se në të gjitha këto vende të sipërpërmendura ka më shumë se një Teatër Kombëtar (Kroacia 4, Serbia 3, Sllovenia 2, Greqia 2).
E për t'i dhënë fund këtij refleksioni të shkurtër mendoj se është koha për përcaktimin e sheshit të ndërtimit dhe shpalljen një konkursi ndërkombëtar arkitektonik me rastin e 100 vjetorit të shtetit, për ndërtimin e teatrit të ri kombëtar, i cili kishte për të krijuar edhe kushtet e një estetike dhe menaxhimi bashkëkohor.
Gazeta Shqiptare
Comments
shume e drejte. ne shqiperi
<p>shume e drejte. ne shqiperi ka nevoje urgjente per nje teater te ri kombetar si dhe per nje stadium te ri kombetar</p>
Add new comment