Një përgjigje jo aq e thjeshtë, zoti Arvizu!

Postuar në 02 Shkurt, 2013 09:08

Si mund që liderët shqiptarë të bashkëpunojnë për të mirën e Atdheut? Është një përgjigje shumë e thjeshtë, mendon ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër A. Arvizu, mjafton që vetë liderët të duan Atdheun ashtu si Presidenti Obama dhe sekretarja Klinton në SHBA.

Dhe duke dashur të jetë më konkret, ndër përbërësit e dashurisë për Atdheun ka nënvizuar vënien e interesave kombëtare mbi ato vetjake partiake si dhe, lidhur specifikisht me fushatën elektorale që në fakt ka nisur, mbajtjen e politikës partiake jashtë institucioneve zgjedhore. Besimplotë në qëllimet e mira të ambasadorit, gjithsesi, nuk mund të mos ngremë pyetjen: Sa shanse ka që, pas kësaj, politika shqiptare të qëndrojë jashtë institucioneve zgjedhore? Thuajse asnjë shans! Sa shanse ka që liderët të vënë interesat kombëtare mbi ato partiake në raportin dhe përmbajtjen që i koncepton ambasadori Arvizu? Përgjigjja është e njëjtë. Pse? Sepse nëse morali apo edhe atdhedashuria e liderëve, do të qenë të mjafta për zgjidhjen e konflikteve politike, atëherë për çfarë duhen institucionet dhe gjithë segmentet e shoqërisë apo sistemit demokratik që u imponojnë atyre përgjegjshmëri?

Si këtu e 20 vjet, edhe në këtë rast, vërejmë se diplomatë ndërkombëtarë në Tiranë njohin korrektimin e sjelljes së liderëve si kusht për fashitjen e konfliktualitetit politik. Gabimi që bëhet është se ky korrektim, shpresohet të arrihet me moralizime, madje duke u treguar liderëve shembuj të mirë. Përpjekja nuk mund të mos jetë e dështuar. Sepse po t’i thuash Sali Berishës apo Edi Ramës që duhet të sakrifikojnë interesat e tyre dhe të partive të tyre për të mirën e Atdheut, do marrësh përgjigjen se pikërisht atë po bëjnë. Madje Berisha do shtojë se është Rama që po shkel mbi interesat e Shqipërisë, ndërkohë që Rama do thotë se është Berisha që po i braktis ato. Këto 20 vjet kanë treguar se me moralizime nuk bëjmë dot as edhe një hap përpara. Përvoja e SHBA dhe e Europës dëshmon se morali, edhe pse i domosdoshëm, nuk është fare i mjaftë për një demokraci funksionale në shërbim të interesit publik apo të Atdheut. Në shtesë të moralit dhe në themel të demokracisë, kërkohen institucione impersonale, interesi privat i të cilave është ai publik. Institucione që krejt të pandikuar nga liderët politikë, në radhë të parë nga qeveria që mbetet kaherë pjesë e problemit, kryejnë misionin që u është ngarkuar nga sovrani me Kushtetutë. Mos vallë besohet se etërit themelues të SHBA e kishin grurë me njëri-tjetrin? Aspak! As shtetet me shtetet. Por në klimën e mosbesimit, madje edhe të armiqësisë, si dhe të vetëdijshëm për dobësinë e natyrës njerëzore, ata krijuan një sistem institucionesh dhe politikash që nuk i lejonte askujt, asnjë lideri apo shteti, të tiranizonte apo sakrifikonte jo vetëm interesin publik, por as atë vetjak të dikujt, në plotësim të interesave të tij egotike. Etërit e SHBA-së nuk e investuan ardhmërinë e lirisë dhe demokracinë në besimin se politikanët do të dinin të vendosnin përherë interesin publik mbi atë privat. Për ta qe naive të shpresoje, dhe e zgjuar të mos shpresoje në një mrekulli të tillë.

Sot, Shqipëria nuk ka atë sistem institucionesh, organizimesh (që në demokraci përbëhet nga legjislativi, pushteti gjyqësor, opinioni publik dhe elektorati), që i imponon përgjegjshmëri në radhë të parë qeverisë dhe Kryeministrit, por edhe gjithë klasës politike. Sot, as mund të bëhet fjalë që Parlamenti të kontrollojë realisht ekzekutivin. Tirania me brirë e shumicës në të, përveç të tjerave, ka nëpërkëmbur opozitën deri edhe në obstruktimin e së drejtës së saj për të hetuar një ministër. Praktikisht Kuvendi ka degraduar në zbatues të vullnetit të Kryeministrit. Pushteti gjyqësor është gjithnjë e më larg të qenët i pavarur nga qeveria. Vullneti i elektoratit nga ndëshkues është bërë, me anë të manipulimit të votës, mbështetës për papërgjegjshmërinë e qeverisë. Opinioni publik është i përçarë dhe i fjetur ndërsa pjesa më aktive e tij, gazetarët kritikë me pushtetin dhe gjendjen e punëve, jo rrallë përsëndyten (dhe këtu nxjerr kokën përsëri “interesi i Atdheut”) si tradhtarë të tij madje, dhe “antiamerikanë”. Vetë ambasadori Arvizu pohon se “besimi publik në procesin zgjedhor është i ulët”. Po si mund të jetë ndryshe? Shqiptarët nuk janë budallenj. Ata, qoftë edhe intuitivisht, e kuptojnë se nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme bazuar vetëm në shpresën se liderët do vënë interesin publik mbi atë të korruptuar privat! Aq më tepër kur bëhet fjalë për një tashmë mjeshtër të sprovuar në manipulimin e zgjedhjeve, si Berisha. Ndërkaq, si mund të mos ketë ndikim fatal kjo gjendje e mjeruar e institucioneve dhe krejt sistemit, rrafshimi thelbësor i ndarjes së pushteteve që perceptojmë, në zgjedhjet që afrojnë.

Nuk ka asnjë dyshim se përgjegjësia kryesore për këtë katandisje të sistemit të lirisë e demokracisë bie mbi liderët shqiptarë, dhe këtu nuk mund të mos veçoj të pandërrueshmin Sali Berisha, me gjakimin e rëndomtë për pushtet absolut. Por edhe ndërkombëtarët nuk mund të hiqen dorëjashtë. Sepse ata kanë për mision që të kompensojnë deficencat në mendësinë e elitës politike shqiptare. Sepse etërit e SHBA-së krijuan sistemin mosbesues dhe kontrollues të institucioneve të nxitur nga dashuria për liri dhe për të përballur dy armiq të rrezikshëm të saj: kaosin dhe tiraninë! Hamiltoni i trembej anarkisë ndaj mendonte në terma të rendit. Xhefersoni, që i trembej tiranisë, mendonte në terma të lirisë. Baza e konsensusit të tyre u bë devocioni i përbashkët ndaj lirisë. Liderët shqiptarë nuk ndajnë, as dje as sot, një devocion të tillë. Ndaj misionarët dhe diplomatët e Perëndimit duhej të bëheshin Hamiltonët, Xhefersonët, Adamsët e Shqipërisë. Mjerisht nuk ka ndodhur kështu. Të paktën deri më sot. Ndërkombëtarët e bazuan progresin e demokracisë dhe lirisë në Shqipëri pikërisht tek pjesa më e thyeshme nga lakmia dhe ambicia për pushtet e pasuri, tek lidershipi. Dhe qe pikërisht konfliktualiteti i pafund i liderëve shqiptarë, që i bëri t’i tremben më shumë kaosit, duke përparësuar stabilitetin mbi lirinë. Paradoksalisht nuk ishin ndërkombëtarët dhe institucionet e demokracisë që modeluan lidershpin shqiptar por ky i fundit që modeloi, sipas interesave të veta dhe jo të lirisë dhe atdheut, institucionet dhe qëndrimet e ndërkombëtarëve!

Sinteza e kësaj dialektike të së keqes, u bënë amendimet e Kushtetutës të vitit 2008 që ndërkombëtarët jo vetëm i toleruan por edhe i inkurajuan në emër të stabilitetit. Ky theks mbi stabilitetin në kurriz të institucioneve lirimbrojtëse, e ka zhvendosur Shqipërinë drejt tiranisë. Shqipëria vuan sot krizën që i ka rrënjët pikërisht në ato ndryshime. Dhe nuk do shpëtojë derisa ato të korrigjohen. Edhe për sa i takon procesit zgjedhor. Sepse nëse KQZ nuk do qe rikompozuar në mënyrën edhe më partiake të mundshme, sot as ambasadori Arvizu nuk do kish nevojë të bënte thirrje, i shqetësuar me të drejtë, që partitë të bashkëpunojnë brenda institucioneve zgjedhore. Më falni, por është naivitet të bësh thirrje dhe të shpresosh që një institucion i organizuar në mënyrë partiake, ta mbajë politikën partiake jashtë vetes! Qoftë edhe për të mirën e Atdheut që, për dreq, çdo partiak e identifikon me interesin e partisë së tij. Konflikti mes kompozicionit dhe misionit të KQZ e bën edhe ambasadorin e OSBE, ëolfarth, që në një intervistë të dhënë dje, të bjerë në kundërthënie logjike; edhe të shprehë besimin se “KQZ-ja e ka potencialin e plotë profesional për të përgatitur zgjedhjet në mënyrën dhe kohën e duhur e t’i zhvillojë ato në përputhje me standardet ndërkombëtare”, por edhe të bëjë thirrje për nevojën që ka procesi zgjedhor për vullnet të mirë politik të partive! Një thirrje e dëshpëruar që parathotë dështimin e sistemit zgjedhor që, normalisht, duhet të jetë triumfues edhe nëse qeveria apo gjithkush, nuk ka vullnet për zgjedhje të lira e të ndershme. Sepse të bazosh zgjedhjet e lira e të ndershme vetëm në vullnetin e mirë të politikanëve, është si të investosh shpresat dhe qëllimet e mira në një konflikt interesi.

Pra si mund të zhvillohen zgjedhje të lira e të ndershme në qershor? Përgjigjja nuk është fort e thjeshtë. Sepse na mungojnë jo vetëm institucionet e pavarura, por edhe vullneti i mirë i qeverisë për një gjë të tillë. Duam apo s’duam, ndërkombëtarët dhe OSBE kanë një rol kompensues të deficiteve të sistemit. Por do ta humbasin përsëri shansin nëse vazhdohet të vihet shenja e barazimit, mes opozitës dhe qeverisë, kur dihet që qeveria duhet të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme ndërkohë që opozita (pa i hyrë fare diskutimit nëse e do apo jo Atdheun), nga vetë pozicioni i saj, është e interesuar për zgjedhje të lira e të ndershme. Ndërkombëtarët dhe OSBE nuk do ta kryejnë misionin e tyre duke kontribuar me sukses për t’i shpëtuar zgjedhjet në këtë moment historik për Shqipërinë, nëse vazhdojnë të mbyllin sytë edhe përpara akteve haptazi të padrejta si ky më i fundit, i ndarjes tiranike dhe në dhunim të ligjit të mandateve për deputetë. Duhet të heqin dorë nga një diplomaci që e sheh realitetin politik shqiptar njëdimnesionalisht, duke mos rrokur dy përmasat e tij, të lirisë dhe tiranisë potenciale. Dhe ne e dimë se ata janë miq të Shqipërisë, se duan që Shqipëria të bëjë më në fund zgjedhje të lira e të ndershme si gjithë Europa dhe SHBA. Dhe prandaj ju themi të gjithëve, edhe ambasadorit Arvizu me vetë fjalët e Arvizu: ACT NOW!

Gazeta "Shqip"

Comments

Submitted by Anonimi (not verified) on

Nuk e marr vesh kete kontestim ?

Arvizu po thote nje gje fare banale e te kuptueshme, pse z. autor e ngaterron, nje Zot e merr vesh.

Arvizu thote, institucionet formalisht jane demokratike, por per te qene esencialisht demokratike duhet qe te gjithe te shohin interesin kombetar e ta duan Atdheun.

Ky eshte dallimi mes Shqiperise dhe Amerikes, ne Amerike shohin edhe interesin kombetar, ne Shqiperi s'pyet askush.

Perndryshe  institucionet ne leter jane shume demokratike.

Me fjale me te kuptueshme per mendjet e mengjerta, interes kombetar, mund te zevendesohet lirisht me interes publik ose interesi i perbashket.

Ne Shqiperi s'ka interes te perbashket, ka vetem interes vetjak, kjo i ben institucionet te jene pasqyre e interesave vetjake, rrjedhimisht te mos funksionojne.

Ne Amerike ka edhe interesa vetjak edhe interes te perbashket, kjo i ben intitucionet te jete edhe pasqyre e interesave te perbashketa, rrjedhimisht funksionojne.

Pse mo z. autor merresh me 700 sofizma per nje deduksion fare te thjeshte. Pse kompleksohesh kot nga interesi kombetar dhe dashuria per Atdheun, te cilat mund t'i besh me te tretshme duke i zevendesuar me interesi i perbashket dhe dashuria per shtetin, se Atdheu dhe shteti rendom perkojne.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.