Komente mbi konkursin e Monumentit të Pavarësisë

Postuar në 05 Prill, 2012 03:40

Si rrallëherë në këto dy dekadat e fundit po shohim shpesh prononcime mediatike të drejtuesit të Galerisë Kombëtare në informimin që po i bën opinionit publik mbi konkursin e monumentit kushtuar 100-vjetorit të pavarësisë. Ajo që vihet re në këto prononcime, të cilat u bënë qoftë në krah të ministrit të MTKRS-së, z. Aldo Bumçi, si dhe në mediat elektronike, ishte theksi në pjesëmarrjen më të gjerë të artistëve, më masivja në dekadat e fundit, me mbi 60 artistë dhe mbi 80 projekte konkurruese, si dhe grupimi i prurjeve të projekteve në artistë “vendas” dhe të “huaj”. Këtu është për t’u vlerësuar sinqeriteti i drejtorit të Galerisë Kombëtare të Arteve, që pavarësisht mungesës së ndonjë titulli akademik, i domosdoshëm për të gjykuar një eveniment të kësaj magnitude në fushën e arteve vizive, pa ndonjë kualifikim as si estet dhe pa kontribute minimale as si artist, bëri analizën e qëndrimeve estetike të dy grupimeve, ku përgjithësoi të parët si “vendasit” me tendenca të qëndrimit estetik tradicional me figurativitetin në fokus të propozimeve të tyre, ndërkohë që artistët e “huaj” vijnë me propozime me përqasje estetike moderniste jofigurative. Një prononcim të cilin, për hir të së vërtetës, guxoi ta bëjë në prani të ministrit të TKRS-së, ku nëpërmjet konotacionit pezhorativ në theksimin e “vendasve” si “tradicionalë” dhe të “HUAJT” “modernistë” ua bëri të qartë të gjithë konkurrentëve si dhe tërë të interesuarve në pritshmërinë e përzgjedhjes së veprës, një orientim paraprak mbi preferencën në përzgjedhjen e projektit fitues, i cili është i destinuar të përfaqësojë aktin më madhor në historinë e Shqipërisë. Për ta përforcuar këtë qëndrim ai merr edhe rolin e direktivëdhënësit, se ku duhet të orientohen qëndrimet estetike të “vendasve”, duke i analizuar nën këndvështrimin Mackluanian si “zgjatime të realizmit socialist, përzier me patetizëm dhe një lloj kiçi të këtyre viteve të fundit” në thirrjen për “distancim estetik nga monumentet që jemi mësuar të shohim”, duke ndërmarrë një aksion, i cili i kalon kufijtë e guximit në krijimin e një recense kolektive që nuk ishim mësuar ta shihnim të paktën prej tri dekadash. Kjo analizë vazhdohet edhe në materialin e zgjedhur për realizimin e këtij monumenti, ku edhe këtu përsëri bën një ndarje në mjete “tradicionale” nga artistët “vendas” si guri, bronzi, metale dhe mjete të reja të propozuara nga të “huajt”, ku përmend rezinën industriale. Natyrisht që sot rreth 40 vite pasi rezina po aplikohet dendur nga shumë krijues, pa frikë mund të kategorizohet edhe kjo si një material tradicional, por ajo që tërheq vëmendjen është tendenca e ndarjes së grupimeve midis artistëve. Nuk ka rëndësi se kush do të jetë fituesi i këtij konkursi, i “huaji” apo “vendasi”, por përfaqësimi që ky monument do t’i bëjë kësaj epoke të kombit tonë, i cili ndoshta përjeton momentet e saj historike më të avantazhuara. Ngritja e kurtheve në ndërtimin e fetishit frazeologjik në lidhje më qëndrimet estetike “moderniste” dhe “tradicionale”, “figurative” dhe “jofigurative”, nuk bën gjë tjetër veç krijimit të një konfuzioni dhe paqartësie në atë që mund të krijojë terrenin e papërshtatshëm në përzgjedhjen e veprës fituese, pasi në këtë mënyrë mund të çohet drejt përqasjeve ku vepra të ashtuquajtura “interesante”, pasi përkojnë me orientime estetite jotradicionale, mund të kthehen në objekte kalimtare pa lënë gjurmë në memorien e qytetarit, i cili është në kërkim të një monumenti që i përket rëndësisë historike. Mos harrojmë se disa shembuj të tillë tentuan të aplikohen si në rastin e monumentit te ndërtesa e të persekutuarve në Rrugën e Elbasanit, por që sot është një vepër që ata që e organizuan si konkurs nuk mund të ndihen krenarë. Në vazhdimësi të kësaj platforme, ndoshta jo rastësisht, në një nga intervistat e tij të shumta para dhe pas-seleksionuese të jurisë, drejtori i GAK, kur iu referua monumenteve që pasurojnë sheshet në disa prej qyteteve tanë, përmendi vetëm ato të krijuara të paktën 5 dekada më parë, dukë dhënë idenë se 50 vitet e mëpasshme nuk ia vlen të përmendet gjë. Kjo bën të mendosh se zgjidhja më e përshtatshme për të shpëtuar nga mungesa e artistëve “tradicionalë” janë vetëm të “huajt”, ku ndoshta kjo ndarje në grupime përgatit terrenin e kryerjes së “atentatit” ndaj artistëve “vendas”. Si çdo konkurs, i cili organizohet në përzgjedhjen e monumenteve me rëndësi historike, nuk duhet të harrohet se monumenti nuk u dedikohet preferencave estetike të një apo disa individëve, të cilët mund ta shohin intrigues një objekt, i cili mund të jetë interesant për momentin, ku në emër të komunikimit me kode të larta të mohohen kodet e komunikimit popullor, porse ai duhet të jetë një akt artistik i dekodueshëm për të tërë ata që do të përballen me këtë monument. Dhe këtu qëndron edhe shqetësimi që shumë të interesuar mund të ngrenë në lidhje me të. Natyrisht që do të përflitet për hatërmbetjet e 60 nga 61 konkurrentët, ku ndokush mund të ketë të drejtë në pretendimet e tyre, porse sfida që juria ndërkombëtare duhet të marrë mbi vete është që projekti fitues t’i krijojë shikuesit ndjesinë e pranimit të këtij monumenti si më përfaqësuesi për tërë shqiptarët, si dhe më komunikuesi për këtë etapë të historisë tonë, për një të huaj që do të vijë për herë të parë në këtë vend. Dhe për të qenë e tillë, vepra jo domosdoshmërisht duhet të orientohet ndaj materieve dhe qëndrimeve estetike moderniste apo të reja, pasi do mund ta kthejmë në një qëllim në vetvete, duke anashkaluar edhe vetë eksperiencat e monumenteve historike të dekadave të fundit në mbarë botën. Në të tilla raste nuk mund të bëhen më krahasime me krijimtaritë e artistëve si Louise Bougeoise me “Moman”, Jeff Kunst me “Bunny” apo skulpturat instalative si “Big Yellow Rabbit” të Florentijn Hofmanit, ku traumat apo eksperiencat personale kthehen në akte artistike, porse analiza e përzgjedhjes duhet të fokusohet në aktet historike, të cilat frymëzojnë në identifikimin e përpjekjeve të një kombi me një objekt artistik. Për këtë do t’i referohesha një prej veprave më ikonike në identifikimin e një i akti historik në Shtetet e Bashkuara, siç është “Memoriali i trupave të Marinës” ose siç njihet “Memoriali i Iwo Jimes”, së cilës epiteti i përqasjes estetike “tradicionale” dhe “figurative” do t’i shkonte për shtat, në të cilën individët realë si tetari Michael Strank, Corp, Harlon Block, Franklin Sousley, Rene Gagnon, Ira Hayes, John Bradley janë të realizuar nën një këndvështrim estetik realist.
Ajo që të bën përshtypje në këtë konkurs, i cili po shihet si më i rëndësishmi në tranzicionin shqiptar, është se i gjithi si proces, komprometon rëndë të gjithë artistët, të cilëve u duhet të krijojnë një bocet jo më të lartë se një metër dhe se përmasat reale të monumentit akoma janë të panjohura dhe me destinacion të paditur. Kjo mund të konsiderohet si një rast i rrallë i çudive shqiptare, pasi nuk mund të imagjinohet projektimi i një monumenti i kësaj rëndësie pa u konsultuar me terrenin se ku do të ngrihet, duke i bërë edhe vetë prononcimet e shtetarëve, paksa fantazmagorike.
Natyrisht, në të tilla konkurse, komponenti më i rëndësishëm në marrjen e përgjegjësisë mbetet juria ndërkombëtare, e cila do ta certifikojë vendimin. Pa paragjykuar do të theksoja se eksperiencat kanë treguar se shumë vepra publike, të cilat kanë damkosur jo vetëm qytetin tonë, kanë marrë bekimin e jurive ndërkombëtare, të cilat, siç dihet, kudo që ngrihen, gjëja e parë që kërkojnë të dinë, janë preferencat estetike të organizatorëve dhe të individëve, që në juri përfaqësojnë anën zyrtare të konkursit. Natyrisht, në të tilla raste do të ishte e shëndetshme jo vetëm për jurinë ndërkombëtare që të mos bjerë pre e orientimeve estetike, të cilat mund të ndryshojnë me vetë shkallën e njohjes së disa individëve në kapërcimin e orientimeve nga moderniste në posmoderniste, madje në postpostmoderniste, pasi do të bënte që një monument i projektuar për t’i rezistuar manifesteve dhe orientimeve filozofike të periudhave të ndryshme kalimtare, të kthehet në një vepër kalimtare e bezdisshme për qytetin.

Comments

Submitted by Zapbone (not verified) on

<p>&nbsp;</p><div>&nbsp;</div><div>Ju mund ti referoheni plastikave monumentale realiste, apo sic eshte: Memoriali i trupave te Marines qe eshte krijuar para gjysme shekulli po mua me pelqen dhe me duket se kurre nuk e ka fuqine e memorialit te blloqeve te betonit ne kujtim te Judeve te vrare ne kohen e Hitlerit. Jemi ne mijevjecarin e trete dhe skulptura e hekurt qe ndodhet para kancelarise ne berlin e Eduardo Chillida eshte e mrekullueshme. Nuk mund te imagjinohet nje skulpture realiste.... Sa per sheshin ke te drejte..</div><div>&nbsp;</div>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.