Gogoli Ahtisaari

Postuar në 04 Mars, 2013 03:39

Pakoja e Ahtisaarit, që i bie Kushtetuta e Kosovës, po kthehet në një meny restorantesh, nga e cila Beogradit mund t’i lejohet të zgjedhë atë që do, por të mos e pranojë si tërësi. Në këtë mënyrë marrëveshja eventuale e 4 marsit në Bruksel për asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe shuarjen e strukturave “paralele” të sigurisë, vështirë se mund të nënkuptojë pranimin e “Ahtisaarit” nga Beogradi dhe serbët e veriut. Më tepër do të nënkuptojë fillimin e pranimit të vërtetë të një dokumenti tjetër, e që është Rezoluta 1244 e KS të OKB-së, si marrëveshje e përkohshme dhe neutrale ndaj statusit

 

ARSYETIMI SE asociacioni i komunave me shumicë serbe është i paraparë me Pakon e Ahtisaarit dhe si i tillë nuk paraqet asnjë rrezik për funksionalitetin e Kosovës si një njësi unike politiko-juridike, do të mund të kishte logjikë vetëm në qoftë se të gjithë ne do të kishim rënë në gjumë diku më 15 mars 2007, ditën kur është dorëzuar në OKB propozimi për statusin nga Albert Rohan, dhe do të zgjoheshim tek sot. Përndryshe, për ata që kanë qenë zgjuar, gjithçka që ka ndodhur ndërmjet asaj date dhe ditës së sotme flet për një refuzim të palës serbe, bashkë me disa shtete, për ta pranuar Pakon Ahtisaari.

Ndërkohë Kuvendi i Kosovës njëanshëm e ka miratuar projektin Ahtisaari dhe e ka inkorporuar atë në Kushtetutën e Republikës, duke marrë si obligim përmbushjen e të gjitha detyrimeve që dalin nga ajo, shumica prej të cilave kompromise të dhimbshme.

Tash na propagandohet se Beogradi dhe serbët në veri të Kosovës po e pranojnë Pakon e Ahtisaarit, që rrjedhimisht i bie Kushtetuta e Kosovës, me marrëveshje për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe shpërbërjen e strukturave ilegale të sigurisë.

Natyrisht se po të ishte kjo e vërtetë, ky do të ishte lajmi më i mirë për Kosovën dhe zgjidhje me happy end e problemit Prishtinë-Beograd. Mirëpo, fatkeqësisht, kjo vështirë të ndodhë.

Nëse do të ishte e vërtetë, atëherë Beogradi do të duhej ta pranonte pavarësinë e Kosovës. E tërë Pakoja e Ahtisaarit/Kushtetuta flet për rregullimin e brendshëm të Kosovës në kontekstin e një shteti të pavarur.

Nga Beogradi vazhdojnë të na thonë se kurrë nuk do ta pranojnë pavarësinë e Kosovës dhe thonë se Kosova nuk do të ketë ulëse në OKB, kurse nga Brukseli thonë se nuk do ta detyrojnë Beogradin që ta njohë Kosovën dhe thonë se nuk mund të bindin 5 shtetet refuzuese të BE-së që ta njohin pavarësinë, ose ta bindin Rusinë që të mos përdorë veto në Këshill të Sigurimit të OKB-së.

Në këtë kontekst Pakoja e Ahtisaarit/Kushtetuta e Kosovës nga dokumenti suprem politiko-juridik i një shteti kthehet në një meny restorantesh. Thjesht, në qoftë se Prishtina nënshkruan një dokument me të cilin Beogradi (në rastin më të mirë) pajtohet të pranojë një pjesë të Pakos/Kushtetutës, kurse të mos e pranojë tërësinë e saj, kjo do të mund të interpretohet edhe si heqje dorë nga vetë institucionet e Kosovës nga Pakoja/Kushtetuta.

A do të thotë kjo që po heq dorë edhe nga pavarësia?

Këto janë pyetjet që të bëjnë të ngrysësh vetullat!

NË ANËN TJETËR, edhe në qoftë se i referohemi përvojës së viteve të kaluara, jemi koshientë se edhe në rastet kur Beogradi ka pranuar një dokument në lidhje me Kosovën, gjithmonë e ka bërë këtë me logjikën e menysë së restoranteve.

Pas refuzimit fillestar, Beogradi pohonte se pranon Rezolutën 1244 të KS të OKB-së për Kosovën, kurse në praktikë asnjëherë nuk i ka përmbushur obligimet e dala prej saj.

P.sh. në qoftë se Beogradi do ta kishte pranuar Rezolutën 1244, atëherë sot fare nuk do të ishte temë e negociatave ndërmjet kryeministrave Thaçi e Daçiq shuarja e strukturave ilegale të Serbisë në veri, pasi që ajo rezolutë e nënvizon qartë se duhet të bëjë “tërheqjen e forcave ushtarake, policore dhe paramilitare nga Kosova”.

Në qoftë se Beogradi do ta kishte pranuar Rezolutën 1244, atëherë sot nuk do të ishte temë e negociatave mbajtja e zgjedhjeve nën organizimin e Prishtinës, pasi që ajo rezolutë nënvizon qartë se nga Kosova duhet të bëhet “mbikëqyrja e zhvillimit të institucioneve të përkohshme për vetëqeverisje demokratike dhe autonome deri në zgjidhjen politike, duke përfshirë këtu edhe mbajtjen e zgjedhjeve”.

Beogradi, pra, asnjëherë nuk ka zbatuar asnjë nga këto obligime, pasi që e dimë se rregullisht ka organizuar zgjedhje në Kosovë atje ku ka mundur, si dhe ka pasur e ka të punësuar me paga serbë në struktura “paralele” të sigurisë, administratës, shëndetësisë, arsimit etj. në shumë vendbanime të Kosovës.

Për më tepër, Beogradi ishte përkujdesur që pas shpalljes së pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës, të krijojë realitete të reja në terren, duke serbizuar thuaja gjithçka në veri të vendit, me dëbimin e shqiptarëve nga të gjitha institucionet publike atje. Kjo kishte bërë, që pas shpalljes së pavarësisë, veriu të ishte edhe më larg administrimit nga Prishtina seç kishte qenë para ndërmarrjes së këtij akti.

Gjithsesi se me kalkulim, sa më tepër që Beogradi përsëriste se legalitet në Kosovë ka vetëm Rezoluta 1244 dhe se s’e pranon “pavarësinë e njëanshme”, aq më shumë punonte që të rriste mospërfilljen e vet ndaj Rezolutës së OKB-së.

Po ashtu, Beogradi dikur tha se pranon edhe EULEX-in në Kosovë, kurse nuk pranoi zbatimin e plotë të misionit të tij, që është forcimi i rendit dhe i ligjit, i barabartë për të gjithë qytetarët.

Realiteti i sotëm në veri të Kosovës vazhdon të jetë pa shqiptarë në institucione, në gjyqësi, shëndetësi, arsim etj. dhe me bllokim rrugësh, që të gjitha me pëlqimin e Beogradit.

LËSHIMI MË I MADH nga Qeveria në Prishtinë është bërë pikërisht për shkak se ka nisur negociatat për atë që u quajt “normalizim i marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë”, pa kushtëzuar fillimisht një normalitet në veri të vendit. Gjatë gjithë kësaj kohe sa po zgjasin negociatat, barrikadat qëndrojnë në rrugë, shqiptarët nuk kanë qasje në veri dhe Beogradi vazhdon financimin e strukturave “paralele”.

Tash, me arritjen e një marrëveshjeje për krijim të asociacionit të komunave serbe dhe shuarjen e strukturave serbe të sigurisë, mund të duket se situata po kthehet në normalitet. Mirëpo, ky normalitet mund të vijë në formën e kthimit të situatës në gjendjen e parashpalljes së pavarësisë së Kosovës. D.m.th. heqjen e barrikadave nga rrugët, kthimin e shqiptarëve të dëbuar nga institucionet publike në veri, si dhe një element të ri – mbajtjen atje edhe të zgjedhjeve komunale nën organizimin e Prishtinës. Por, kjo nuk do të thotë se Beogradi dhe serbët e veriut po e pranojnë Pakon e Ahtisaarit/Kushtetutën e Kosovës. Ata po bëjnë vetëm fillimin e zbatimit të asaj të cilën edhe kanë thënë se e pranojnë – që i bie Rezoluta 1244, e cila natyrisht flet për neutralitet ndaj statusit.

Për këto arsye marrëveshja eventuale për veriun më 4 mars në Bruksel me shumë të drejtë shkakton frikë të bazuar se do të çojë në autonomi substanciale etnike për serbët dhe disfunksionalitet të Kosovës.

Është shumë legjitime: derisa Pakoja e Ahtisaarit do të vazhdojë të shihet si gogol nga Beogradi dhe serbët e veriut, me shumë të drejtë asociacioni i komunave me shumicë serbe do të vazhdojë të shihet si gogol nga qytetarët e Kosovës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.