Eksportimi i Islamizmit Made in Albania
Po të shtrydheshim në formulimin e një liste me mallra shqiptare të eksportuara, doracaku do të ishte imponues…për keq. Të paktën përgjatë dekadës së parë të tranzicionit, megjithë kundërshtimet tona, që vijnë më shumë nga prekja në sedrën nacionaliste e jo nga ndonjë racionalitet, për çdo Kadare, kemi eksportuar, le të përdorim një numër dosido sa për rrumbullakosje, 500 prostituta. Ndërsa për çdo Invamulë 100 kriminelë. Për Angjelin Preljocajn, Ermonela Jahon, Eliza Dushkun, Masiela Lushën, Lorik Canën e ndonjë tjetër, 500 kilogramë canabis Lazarati.
Kemi qenë kryesisht shoqëri konsumi e tregtimi, e shumë pak, sa pak, shoqëri prodhimi e mendimi. Arsyet gjenden te një duzinë faktorësh, por shkaqet e këtij dështimi nuk prekin qëllimet e opinionit të këtushëm. Duke qenë se ka një lidhje mes industrializimit të një vendi dhe prodhimit intelektual, edhe kur vjen puna te eksportet shqiptare të ideologjisë, mendimit apo religjionit, inventari ynë është ose mungues ose grotesk. Të vetmen herë kur elitat shqiptare kanë ‘eksportuar’ prodhimin e tyre ‘intelektual’ ka qenë ai lloji qesharak i internacionalizmit proletar, një variant shqiptar i stalinizmit, mbrojtës solo i socializmit botëror: enverhoxhizmi paranojak i mbështetjes në forcat tona. Pas shkëputjes nga Jugosllavia, Bashkimi Sovjetik, e së fundmi nga Kina, totalitarizmi dhe izolacionizmi mbetën i vetmi mall Made in Albania që ne ‘eksportonim’.
Edhe në sferën e religjionit kemi qenë më shumë një shoqëri pritëse, pra importuese. Mes nënshtrimit para taksave ose fe-ndërrimit shoqëruar me lehtësira e ofiqe, zgjodhëm këtë të dytën dhe e zëvendësuam shpejt e shpejt kryqin me gjysmëhënën. Në masë, ndryshe nga fqinjët tanë, edhe ata të sunduar nga i njëjti pushtues, osmanët, edhe ata të yshtur me të njëjtat mjete, aspak ortodokse.
Feja e re, muslimanizmi, bashkë me praktika të tjera të besimit që u shndërruan në pakica, erdh’ e u zëvendësua me ateizmin, në kohën kur komunistët shpallën vdekjen e Zotit. Me rënien e Murit të Berlinit, Rendin e Ri Botëror, Luftën Kundër Terrorizmit, gjeopolitika e botës, dhe bashkë me të Shqipërisë, ndryshoi. Ndërkohë që bëjmë pjesë në NATO dhe rrekemi të kandidohemi në BE, jemi gjithashtu anëtarë të Konferencës së Vendeve Islamike dhe, si pasojë e një konteksti historik, i cili është shpallur edhe doktrinë së fundmi, neo-otomanizmit. Pavarësisht të gjithave, ato që na duken sot si komoditete, por mund të jenë risqe, le të mos mundohemi që, për interesa politike të çastit t’i paketojmë si eksporte Made in Albania. Sidomos nëse ato janë të frymës religjioze.
Siç ka bërë së fundi kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili duke folur para studentëve të një universiteti privat turk ka shpallur se ky institucion do të jetë përhapësi në botë i islamizmit shqiptar. Sigurisht që modeli i muslimanizmit shqiptar është i admirueshëm; por merita e madhe e tij është pikërisht toleranca, e cila është dëshmuar te mungesa e vullnetit, njëfarë plogështie beninje, ndaj proselitizmit. Nëse atusë më të madhe të muslimanizmit shqiptar synohet t’i ndërrohet kahje duke ia shumuar përpjekjet për proselitizëm, para se të jetë një eksport i lakmuar, ai do të jetë një risk.
Në Amerikë, disa prej shteteve që votojnë rregullisht Republikanët njihen si Bible Belt states; aty e gjen mbështetjen edhe ajo që etiketohet si e djathta evangjeliste. Përfitimet politike që mund të vijnë nga konturimi në Shqipëri i një Rripi Kuranik, ose më keq akoma i Shqipërisë si eksportuese e islamizmit, do jenë gjithherë më të ulëta se krijimi i një nën/mbi Shkumbini tjetër në plan të brendshëm dhe i një hapësire që shihet e mbushur me mbetje osmane në plan ndërkombëtar. Jemi papërballueshëm të vegjël për të eksportuar ideologji dhe fe të mëdha.
Mapo
Comments
artikull budalla.........

artikull budalla.........

Artikull shume i mire.

Artikull shume i mire.

Artikull i goditur dhe me

Artikull i goditur dhe me synim afatgjate per te gjithe shqiptaret, ne qofte e kuptojne permbajtjen, ate qe synojme te Ardhmen.

Gazetar eshte ky zotnia qe

Gazetar eshte ky zotnia qe shkruan jo njehere por dy here feja muslimane...

Or tyc quhet feja islame dhe ata qe besojne quhen musliman...

Duhet te jesh shume i paditur qe merr guximin te trajtosh tema te tilla....

Beni

Add new comment