Dachau – Spaç: aty ku koha ndalet

Postuar në 28 Janar, 2013 09:49

Kur viziton kampin e Dachaut në Gjermani koha ndalet. Pyetja retorike që të vjen menjëherë në mend është: Pse? Dhe njëkohësisht kjo pyetje shoqërohet me një vendim të pakthyeshëm: kurrë më! Takimi me shenjat e së keqes është traumatizues dhe gjithmonë mbart në vetvete këto dy aspekte: pse? dhe kurrë më! Dachau është memoriali i mosharresës. Ishte dikur kampi i atyre që ishin ndryshe: emigrantët, dëshmitarët e Jehovait, romët, homoseksualët por edhe i atyre që e mendonin ndryshe: komunistët, socialdemokratët, priftërinjtë dhe në fund hebrenjtë që ishin ndryshe dhe mendonin ndryshe. Vrasje, djegie në furra, mbytje me gaz, uri dhe punë deri në grahmën e fundit të frymës. E pasi ka mbaruar të gjitha “speciet” jashtë race e keqja fillon e bren vetveten e sillet drejt kundërshtarëve në radhët e veta: oficerë, ushtarë e gjithkush thoshte diçka kundër Fryherit. Por historia është mësuese jete dhe fatkeqësisht njeriu përsërit dhe përsëritet. Përsërit atëherë kur harron. Kjo ndodh sa herë që etnia dhe pastërtia e saj vendoset si kriter i vetëm marrëdhënieje me të tjerët. Rezultati? Të tjerët nuk ekzistojnë e nuk duhet të ekzistojnë. Kështu lind ksenofobia, homofobia, antisemitizmi, eliminimi i kundërshtarit politik e deri heqja e lirisë së popujve të tjerë që nuk janë e njëjta etni me ty. Pastërtia e racës u ngrit prej Hitlerit në kriter gjykimi dhe vlerësimi për gjithçka tjetër dhe në raport me gjithkënd tjetër, në një sistem ideologjik për të cilin punuan shkencëtarë, poetë, ushtarakë, akademikë. Përveç kësaj u kthye edhe në një makinë ushtarake e pushtuese që i solli njerëzimit plagë dhe shkatërrim. Dachau sot është aty për të kujtuar sikurse edhe Auschwitz apo kampe të tjera. Aty ishin edhe të evidentuar 110 shqiptarë ndër të cilët dy klerikë. Nuk i gjeta emrat e tyre dhe arsyet pse ata ishin atje. Nuk e di nëse kanë mbijetuar apo jo. Ndërsa vizitoja hapësirën e asaj fushe plot borë, muzeun, kapanonet ku flinin të burgosurit si të ishin bagëti, dëgjoja me imagjinatën time zërat e tyre, ankimet dhe rënkimet. Nga kullat e vrojtimit më dukej sikur ishin rojet me shënjestër të drejtuar prej meje a thua se nuk donin të më linin të ikja. Sa shumë është shkruar e do shkruhet për ato kampe famëkeqe më bukur dhe më shtruar se sa unë në këtë shkrim gazete. Unë në ato pak çaste ndjeva se në vendin tim të vogël ka një Dachau, një Auschwitz të proporcionuar me kilometrat e tij, që fatkeqësisht janë lënë në harresë. Ka kohë që mendoj se si vendet e memories së terrorit komunist në Shqipëri janë lënë në mëshirë të motit, të ndryshkjes dhe të harresës. Librat dhe dëshmitë kthehen në të pavërteta dhe të pabesueshme nëse ato vende zhduken. Dikush më thotë se lihen qëllimisht që sa më shpejt dikush të thotë se ato vende nuk kanë ekzistuar kurrë. Se kurrë nuk ka ekzistuar Spaçi, Burreli, Porto Palermo, vendet e internimit në Lushnjë, Tepelenë e gjetkë. Ata duhet të jenë muzetë e vërtetë, vendet e memories dhe jo pavijonet e modifikueshme dhe të transportueshme në muzeun kombëtar. Qelitë e vogla, dhomat e ajrimit, birucat e atyre burgjeve, muret me tela me gjemba, fotografitë e të burgosurve të vendosura në ato mure, historia e tyre e treguar nëpërmjet dokumentarëve dhe filmave që shfaqen në mënyrë të përsëritur duhet të jenë objekti i vizitave të gjimnazistëve, studentëve, të huajve dhe të gjithë neve thjesht për të mos harruar. E gjitha kjo duhet të na shërbejë që të mos përsërisim. Që në emër të një klase të mos masakrojmë klasën tjetër, që në emër të një race të mos përdhosim racën tjetër. Fundamentalizmi nacional, ideologjik, partiak, fetar apo i çfarëdolloj ngjyre të çon në këto përmasa terrori njerëzor. E keqja ontologjike qoftë ajo apo edhe thjesht njerëzore të përdor në të gjitha mënyrat për të arritur qëllimin e saj: urrejtjen e njeriut dhe bjerrjen e tij. E keqja nuk mund të kapet me Zotin e atëherë kapet me njeriun. Dachau, Auschwitz, Spaçi dhe Burreli, Gulaget e Rusisë dhe Srebrenica etj., janë këmbana që bien sa herë nëpër ekranet e televizioneve apo rrugët e qyteteve tona mbijnë parullat që kërkojnë të absolutizojnë kombin, racën, ideologjinë apo fenë. Në këtë agim shekulli dhe mijëvjeçari të ri aty-këtu ndjehen se po lindin kërpudha helmuese të ndërgjegjeve dhe mendjeve njerëzore. Tjetri si i ndryshëm nga unë nëse nuk takohet, e nëse nuk ndjejmë e nuk i përgjigjemi klithjes së tij për një sens dhe plotësi, do të kthehet gjithnjë në një pengesë për t’u shmangur apo eliminuar. Kjo ndodh sa herë që njeriu harron Zotin, se kështu harron dashurinë, e cila është rregulla supreme e çdo marrëdhënie njerëzore pavarësisht nga tipologjitë e saj. Në ato kampe e burgje Zoti ishte jashtë ose ç’është më e keqja në emër të Tij, madje duke zënë vendin e tij njeriu justifikon urrejtjen ndaj njeriut. Zoti nuk urren, ai don, e çdokush që urren nuk vjen prej Zotit.

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.