Tavani i borxhit federal ngrihet për të 94-ën herë në SHBA
Të martën Presidenti Obama nënshkroi ligjin që do t'i lejojë qeverisë federale amerikane të vazhdojë të marrë borxh deri në fund të vitit 2012. Në qoftë ky ligj nuk nuk do të ishte aprovuar, qeveria federale nuk do të ishte në gjendje të shiste bono thesari për të mbuluar shpenzimet e saj të përditshme, sepse një ligj i shkurtit të 2010-ës nuk e lejonte atë të kalonte tavanin prej 14.3 trilion dollarë për borxhin federal. Kjo do të sillte një ulje të klasifikimit të borxhit federal poshtë nivelit maksimal AAA, gjë që, nga ana e saj, mund të ulte vlerën e bonove të thesarit amerikan. Këto bono konsiderohen si investimi më i sigurtë në botë. Bankat kudo në botë zotërojnë rreth 8 trilionë dollarë bono thesari amerikan me afate të ndryshme maturimi. Banka e Shqipërisë, për shembull zotëron bono të tilla me vlerë rreth 200 milionë dollarë, si pjesë e rezervave të saj në valutë. Një ulje e vlerës së bonove amerikane mund shkaktonte një krizë financiare dhe ekonomike të përmasave botërore.
SHBA është i vetmi vend i zhvilluar, përveç Danimarkës, që ka vendosur një tavan ligjor për borxhin shtetëror. Ky tavan e ka zanafillën në vitin 1917, kur kongresi aprovoi një ligj që i lejonte qeverisë federale amerikane të merre borxh për të financuar pjesmërrjen e saj në luftën e parë botërore. Atëherë tavani u vendos në nivelin 43 miliardë dollarë. U desh të kalonin 30 vjet që tavani të ngrihej me vetëm 2 miliardë dollarë. Më pas tavani i borxhit është ngritur pothuaj çdo vit (e ndonjëherë dy herë në vit) deri sa arriti në 14.3 trilionë dollarë. Ngritjet më të mëdha janë shënuar gjatë luftës së dytë botërore, luftës së Vietnamit dhe, së fundi, gjatë luftës së Irakut. Sidoqoftë, asnjëherë deri më sot ngritja e tavanit të borxhit nuk ka qenë kaq dramatike sa kjo që aprovoi kongresi të martën. Për herë të parë, Republikanët, armiqtë e përhershëm të rritjes së shpenzimeve buxhetore, përdorën tavanin e borxhit si një mjet për të detyruar Demokratët që të aprovojnë shkurtime të ndjeshme të shpenzimeve buxhetore për të ardhmen. Kështu, në shkëmbim të ngritjes së tavanit të borxhit, Republikanët futën në ligj obligimin e qeverisë federale për shkurtimin e buxhetit me 2.4 trilion dollarë për 10 vjetët e ardhshëm.
E.Z.
Add new comment