Zgjedhjet brenda PD-së, procesi me delegatë nga Tirana

Basha sjell në parti bashkëpunëtorët e Berishës në Parlament dhe administratë
Muajt e parë të vitit të ardhshëm do të jenë intensivë sa u përket zhvillimeve që pritet të ndodhin brenda radhëve të Partisë Demokratike, pasi që në muajin janar, do të nisë ristrukturimi i të gjitha strukturave të kësaj partie në rrethe. Procesi, i cili nuk parashikon që të kryejë ndonjë analizë të humbjes së zgjedhjeve, do të zhvillohet nëpërmjet delegatëve që do të zgjidhen nga vetë kryetari i partisë, Lulzim Basha, i cili mësohet se ka vendosur që deputetët aktualë të PD-së, të mos përfshihen fare në procesin e riformatimit të partisë. Burime nga selia blu bëjnë me dije për gazetën “Shqip”, se delegatët e Bashës në bazë do të drejtojnë komplet procesin zgjedhor brenda PD-së. Sipas po këtyre burimeve, këta persona do të jenë ish-deputetë të PD-së ndër vite, si dhe ish-funksionarë të lartë drejtues në administratën e qeverisë së mëparshme “Berisha”, por që nuk kanë pasur zyrtarisht asnjëherë ndonjë post në PD. Me sa duket Basha po ndjek të njëjtën strategji të ish-kreut Berisha, i cili në vitin 2002 do të niste grumbullimin pranë PD-së të të gjitha figurave të vjetra të PD-së, të cilët do të alternoheshin më pas me anëtarët më të rinj të PD-së, që do të vinin nga KOP-i. Ndërkohë, vendimi për të përjashtuar deputetët është marrë nga vetë kreu i PD-së, i cili do të dërgojë delegatët e tij në të gjitha degët e Partisë Demokratike, që do të monitorojnë dhe do të zhvillojnë këtë proces elektoral brenda partisë. Krahas kësaj, burimet nga Partia Demokratike bënë të ditur se të gjithë të zgjedhurit e popullit në zgjedhjet e 23 qershorit janë komplet në një terr informativ, pasi Basha nuk u ka dhënë informacion atyre për të gjithë procesin, i cili pritet që të fillojë në fund të muajit janar dhe do të zgjasë pak ditë. Edhe pse nisma për riformatimin e partisë u prezantua në datën 8 dhjetor nga Lulzim Basha, ajo do të kalojë disa filtra të tjerë, të cilët do të përcaktojnë edhe fillimin e zgjedhjeve të brendshme te PD-ja, e cila, sipas të gjitha gjasave, do të shkojë në një ristrukturim total të saj.
Problematika
Por krahas kësaj, ky proces pritet të hapë polemika brenda PD-së, pasi delegatët që do të organizojnë procesin e zgjedhjeve brenda strukturave të Partisë Demokratike janë ish-deputetë dhe të përzgjedhurit e ish-kryetarit Berisha, të cilët pritet të rikthehen në funksione drejtuese edhe nga kryetari i ri Basha, duke dëshmuar se Basha vijon të ndjekë rrugën e tij me të njëjtët persona që ishin përkrah edhe Berishës. Duke vendosur këta persona në krye të këtij procesi, duket se po bëhet edhe një riciklim i vetë Berishës në parti, pasi nëpërmjet këtyre delegatëve do të bëhet edhe përzgjedhja e listave të kandidaturave, të cilët do të përcaktojnë edhe udhëheqësit e rinj të PD-së. Kësisoj Berisha do të rifitojë sërish kredencialet e tij te Partia Demokratike, pasi personat që do ta drejtojnë atë do të jenë sërish të njëjtët individë që rritën potencialin e Berishës në vite.
Ngjarja e hidhur në 2013-n
20 nëntor, humb jetën deputeti Sokol Olldashi
Në mbrëmjen e 20 nëntorit, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Sokol Olldashi, humbi jetën në një aksident automobilistik. Ky aksident i tij solli një debat të ashpër brenda Partisë Demokratike, të cilat lidheshin kryesisht me zgjedhjet e brendshme të PD-së. Konkretisht, deputetja Mesila Doda dhe deputeti Igli Cara ishin dy nga personat që akuzuan rëndë ish-kryetarin e tyre, Sali Berisha, ku theksuan se Olldashi ishte i duhur për të drejtuar PD-në. Por, krahas kësaj, vdekja e tij solli edhe një bashkim të politikës shqiptare. Si rrallëherë në historinë e këtyre 23 viteve demokraci në Shqipëri, të majtët edhe të djathtët u bashkuan në homazhet që u zhvilluan në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë për të përcjellë për në banesën e fundit Sokol Olldashin. Por vdekja e tij u përfshi edhe në një maratonë hetimesh. Prokurorisë së Tiranës iu deshën disa javë që të dilte në një qëndrim përfundimtar për vdekjen e tij. Në dosjen e posaçme për ish-deputetin demokrat u theksua se ai vdiq nga aksidenti automobilistik dhe konkretisht nga përplasja e kokës me xhamin e derës së makinës, gjë kjo që solli edhe vdekjen e tij.
SHQIP
Add new comment