Zaganjori: Korrupsioni në drejtësi zbulohet duke analizuar vendimet

Postuar në 02 Dhjetor, 2013 07:00

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, doli sot në një konferencë shtypi lidhur me video-përgjimin e publikuar në emisionin “Fiks-Fare” pak ditë më parë. Zaganjori ripërsëriti se rasti në fjalë është një mashtrim dhe shtoi se nuk I njeh personat që përmendin emrin e tij në video.

“Këto janë indicie sigurisht, po të përgjohen të gjitha tavolinat në gjykata jam i sigurt që aty mund të përmenden dhe kryetarë shtetesh të të gjithë botës. Këto probleme duhet të verifikohen. Në rastin konkret mashtrimi është ekstremist i trashë. Së pari, unë jam kryetari i Gjykatës së Lartë, kur marr pjesë në gjykim, e drejtoj kolegjin. Kam marrë shumë pak pjesë në gjykimet civile, për shkak të angazhimeve që kam pasur, një aktivitet jashtëzakonisht i ngjeshur. Nuk kam gjykuar absolutisht asnjë çështje penale. Eshtë mashtrim i pastër komplet. Persona absolutisht që nuk i njoh. Kam ushtruar profesionin e pedagogut, dhe më përshëndesin njerëz gjithandej, por jua them me sinqeritetin më të madh, këta persona nuk i njoh. Mund të verifikohet me telefona, kontakte, kudo. Nuk kam qenë në trupin gjykues. Unë nuk planifikoj gjykimet, kam vetëm një urdhër për gjykimin me procedurë të përshpejtuar të çështjeve”, tha Zaganjori.

Ai e cilësoi korrupsionin në drejtësi si formën më të shëmtuar të korrupsionit dhe shtoi se evidentimi i qartë i rasteve të tilla është analiza e vendimeve të çështjeve gjyqësore.

“Falënderoj programin “Fiks Fare” sepse vlerësoj që kritika ndaj pushtetit gjyqësor mungon në Shqipëri. Personalisht median e konsideroj si aleatin më të madh të gjyqësorit. Sigurisht qe ka raste korrupsioni në drejtësi, por unë mendoj që evidentimi më i qartë i rasteve të korrupsionit është analiza e vendimeve gjyqësore që mungon në realitetin shqiptar. Bota e ka jashtëzakonisht të zhvilluar dhe këtë çështje e kam ngritur vazhdimisht”- u shpreh Zaganjori.

 

 

 

DITA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.