Vijon në qytetin e Vlorës “Java e SME-ve shqiptare”

Postuar në 08 Dhjetor, 2014 04:19

Ka qenë pikërisht qyteti i Vlorës vendtakimi i rradhës i cili ka ulur në një tryezë të rrumbullakët bizneset e këtij qarku, me iniciativë dhe në kujdesin e veçantë të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve. Takimi ka pasur për qëllim rritjen e sensibilizimit dhe shpërndarjes së informacionit me interes për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme, si dhe rritjen e bashkëpunimit ndërmjet agjencisë dhe sipërmarrjeve partnere.

Të pranishëm në aktivitet kanë qenë sërisht Znj. Manjola Gjoni, Drejtor Ekzekutiv pranë AIDA-s, Z. Sokol Stafa, Drejtor i Përgjithshëm pranë ALBINSPEKT, Z. Alberto Prestopino, Drejtor pranë Bankës Intesa San Paolo, Znj. Klodiana Gjenerali, Eksperte Komunikimi pranë Koperacionit Italian për Zhvillim, si dhe Z. Daniel Guçe, Drejtor i Departamentit SME&Eksporte pranë AIDA-s.

Iniciativa është mbështetur nga partnerë të rëndësishëm të biznesit si Koperacioni Italian për Zhvillim, Albinspekt dhe Intesa San Paolo Bank, të cilat kanë prezantuar skemat e tyre të financimit, të akorduara në formën e granteve apo kredive në dispozicion të biznesit.

Në fjalën e saj Drejtoresha Ekzekutive e AIDA-s, Znj. Gjoni, ka falenderuar bizneset për interesin e treguar për të qënë të pranishëm në këtë aktivitet, si dhe ka theksuar se janë pikërisht Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme ato që japin një kontribut të rëndësishëm në ekonominë shqiptare. Znj. Gjoni konfirmoi dhe njëherë mbështetjen e qeverisë për rritjen dhe zhvillimin e biznesit, duke vënë në dukje hapat që ka ndërmarrë kjo qeveri në mbështetje të tij duke bërë të mundur reduktimin e barrierave administrative, uljen e kostove për hapjen e një biznesi, uljen e barrës fiskale, duke i bërë ato sa më konkurruese në tregun vendas dhe të huaj. Duke i konsideruar partner të rëndësishëm për ekonominë e vendit, AIDA, në funksion të veprimtarisë së saj, synon të ndërmarrë të gjitha nismat e nevojshme në mbështetje dhe në përmirësimin e kapaciteteve prodhuese të Ndërmarrjeve të Vogla e të Mesme (NVM), në nxitjen dhe inkurajimin e eksporteve të mallrave e shërbimeve. Në përmbushjen e këtij misioni, AIDA menaxhon fonde të akorduara nga qeveria shqiptare të cilat janë vënë në dispozicion të biznesit shqiptar.

Znj. Gjoni solli në vëmëndjen e të pranishmëve praktikën e suksesshme iniciuar nga MZHETS dhe mbështetur nga AIDA në krijimin e paketës lehtësuese për sektorin fason, e cila u vlerësua edhe nga bizneset pjesëmarrëse. Mbështetja dhe interesimi i drejtëpërdrejtë për biznesin ka sjellë rezultatet e para në sektorin e përpunimit aktiv (apo ndryshe facon) si dhe në rritjen e eksporteve për biznesin e plastikës. Rezultatet e suksesshme të kësaj iniciative do të kenë impakt të rëndësishëm edhe në sektorë të tjerë prioritare të ekonomisë së vendit.

Biznesi i qarkut Vlorë, në këtë takim është përfaqësuar nga sektorë kryesorë, ku mund të përmëndim atë të Përpunimit aktiv (fason), sektori i industrisë elektrike, mekanike dhe e perpunimit të drurit, sektori ushqimor, prodhimit të plastikës dhe ai agro prodhues.

Së fundmi tryezën e kanë shoqëruar diskutime dhe pyetje të shumta drejtuar përfaqësueve të AIDA-s, duke bërë kështu të mundur identifikimin e problematikave dhe shqetësimeve konkrete të biznesit në këtë qark.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.