Verifikimi i titujve të pronësisë, Kuvendi “OK” shtyrjes 2 vjet

Postuar në 10 Dhjetor, 2013 03:21

-Verifikimi i titujve të pronësisë do të vijojë dhe për dy vite të tjera. Mazhoranca dhe opozita bien dakord në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, që ligji i vitit 2008 të veprojë edhe për dy vite të tjera, deri në 31 dhjetor të vitit 2015. Palët theksuan ndërkohë nevojën që të veprohet me shpejtësi për këtë proces që është zvarritur ndër vite. Madje Komisioni u la detyrë përfaqësuesve të Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, që të bëjnë gati statistikat për gjithçka që është bërë deri tani në mënyrë që të evidentohen problematikat.

Debati për afatin

Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese miraton ndryshimet në ligjin nr. 9948 të vitit 2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar” që shtyn dhe dy vite afatin e verifikimeve. Vendimi u mor pas diskutimeve në komision ku ligjvënësit demokratë kërkuan që afati i propozuar nga qeveria të reduktohej në 1 vit, dhe jo dy vite, për shkak të urgjencës për zgjidhjen e çështjes së pronësisë. “Duhet t’i shtrëngojmë strukturat përkatëse të përshpejtojnë punën. Duhet të zgjidhen problemet sa më parë”, - deklaroi Gjergji Papa. Sipas tij, ky ligj i vjen në ndihmë dhe të pushtetit vendor i cili nëpërmjet mbledhjes së taksave mund të sigurojë më shumë të ardhura. Nxitja e qeverisë u kërkua dhe nga deputetit Kozma Dashi i cili kërkoi dhe sqarime dhe mbi atë çka është bëra realisht. “Sa për qind janë verifikuar apo sa tituj pronësie janë dhënë deri tani, janë pyetje që kërkojnë përgjigje”, - tha ai. Duke e konsideruar këtë problem si kardinal, Dashi theksoi se është çështje që duhet zgjidhur dhe jo të përdoret thjesht si slogan. Ndërkohë që socialisti Namik Kopliku theksoi se Qeveria do t’i përmbahet programit të saj 4-vjeçar për të shpërndarë titujt e pronësisë. Por, për përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë është i nevojshëm një afat 2-vjeçar duke parë se sa pak punë është bërë realisht, edhe pse kanë kaluar 5 vite nga hyrja në fuqi e ligjit. Në fund të diskutimeve palët ranë dakord për shtyrjen me 2 vjet, të afatit për verifikimin e titujve të pronësisë.

Detyrat për qeverinë

Ndërkohë, komisioni caktoi dhe detyrat për qeverinë. Kreu i komisionit, Eduard Shalsi, deklaroi se Ministria e Bujqësisë duhet të përgatisë të gjitha statistikat e nevojshme për të evidentuar atë çka është bërë realisht me ligjin e vitit 2008 për titujt e pronësisë dhe për të parë atë çka duhet të bëhet më tej. Ndërkohë që në qershor të vitit që vjen ministria duhet të raportojë për atë çka do të bëjë pas shtyrjes me dy vjet të procesit të verifikimit të titujve të pronësisë. Shalsi e mbylli fjalën me sugjerimin që Ministria e Bujqësisë herë tjetër të sjellë në Kuvend projektligje me relacione më të plota dhe të qarta. Kjo pasi relacioni i Qeverisë nuk jepte detaje për atë çka është bërë, por sqaronte vetëm se: “Duke marrë shkak nga problemet e lindura për vlefshmërinë e titujve të pronësisë të shpërndarë në vite, si dhe nga problematikat e konstatuara nga prefekti i qarkut të Tiranës në lidhje me funksionimin e komisionit vendor pranë këtij qarku, me këtë projektligj propozohet ndryshimi i nenit 18, të ligjit “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore. Të ndryshuar për shtyrjen e afatit për verifikimin e titujve të pronësisë edhe për dy vite të tjera”. Procesi i verifikimit të pronësisë mbi tokat bujqësore ka nisur në vitit 2008 dhe duhej të përfundonte në fund të këtij viti. Në kushtet kur ky proces nuk ka përfunduar ende dhe kur mungojnë të dhënat zyrtare mbi ecurinë e tij, qeveria ka vendosur të përcaktojë si afat tjetër, 31 dhjetorin e vitit 2015.

Tapitë që verifikohen

Ligji i vitit 2008 ka përcaktuar verifikimin e tapive për sipërfaqet e tokës që më 1 gusht 1991 kanë figuruar në regjistrat kadastralë, në zërin “tokë bujqësore” dhe janë përfshirë në territoret e administruara nga ish-kooperativat bujqësore deri në kohën e hyrjes në fuqi të ligjit nr. 7501, datë 19 korrik1991 “Për tokën”, të ndryshuar; të tokave bujqësore, të administruara nga ish-ndërmarrjet bujqësore dhe institucionet e tjera shtetërore, të kaluara për ndarje për fshatrat e ish-kooperativave bujqësore vetëm me miratim të Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit, deri në kohën e hyrjes në fuqi të ligjit nr. 8337, datë 30 prill1 998 “Për kalimin në pronësi të tokës bujqësore, pyjore, livadheve dhe kullotave” si dhe të tokave bujqësore të ish-NB-ve, sipas dispozitave të përcaktuara në ligjin nr. 8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore”.

Shekulli

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.