Ushtria greke në kufi, Idrizi: E pazakontë për një vend të NATO-s, Kodheli të kërkojë sqarime

Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet reagon pas vendimit të qeverisë greke për të rikthyer ushtrinë në kufi me Shqipërinë. Përmes një deklarate për mediat, kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi shprehet se angazhimi i ushtrisë greke në kufijtë me Shqipërinë është një kërcënim për stabilitetin në rajon. Idrizi thekson se në vendet anëtare të NATO-s, pjesë e të cilës janë Greqia dhe vendi ynë, ushtria nuk mund të përdoret në misione në ruajtje të rendit publik veçse në raste të jashtëzakonshme. Në këtë kontekst, ai shton, se nuk ka një situatë të tillë në këtë kufi që të mund ta justifikonte një vendim kaq radikal si ky.
“Mediat kanë bërë të ditur për një vendim të ushtrisë greke për t’u vendosur në kufijtë me Shqipërinë, për qëllime që shpallen me ruajtjen e rendit publik kërcënuar nga bandat e trafikantëve, kontrabandistëve, etj. Ky është një zhvillim thellësisht negativ, i papranueshëm në dritën e precedentëve historikë të rolit të kësaj ushtrie në kufijtë midis dy vendeve, misionit kushtetues të ushtrisë në një vend anëtar të NATO-s, dhe mbajtjes ende në këmbë të ligjit të luftës midis dy vendeve. Më konkretisht vendosja e ushtrisë greke do të shtonte numrin e akteve fatale vdekjeprurëse në kufirin midis dy vendeve në dëm të shtetasve shqiptarë, numër që edhe para këtij akti është shumë i lartë. Ndërkohë në vendet anëtare të NATO-s, ushtria nuk mund të përdoret në misione në ruajtje të rendit publik veçse në raste të jashtëzakonshme. Nuk ka një situatë të tillë në këtë kufi që të mund ta justifikonte një vendim kaq radikal si ky. Shqipëria nuk ka vendosur ushtrinë në kufi, megjithëse thuajse tërësisht kontingjenti i emigrantëve klandestinë që hyjnë në vendin tonë me synim perëndimin vijnë nga Greqia. Ne e dimë se në kuadër të mbajtjes në fuqi të ligjit të luftës, Greqia ka vendosur me gjithë paralajmërimet e NATO-s deri në vitet e fundit, njësi të mëdha forcash ushtarake në kufi me Shqipërinë dhe një akt si ky i fundit rikthen një kërcënim të vjetër në dëm të vendit tonë”,- deklaron Idrizi.
Përballë kësaj situate, PDIU i bën thirrje Ministres së Mbrojtjes të kërkojë sqarime nga homologu grek, për të sqaruar një veprim kaq të fortë të fqinjit tonë problematik
“Në këto kushte, ne i kërkojmë ministres sonë të mbrojtjes, atij të brendshëm që t’i kërkojnë shpjegime homologëve grekë për këtë akt që mund të rrisë artificialisht tensionin midis dy vendeve. Ministrja jonë e mbrojtjes të kërkojë sqarime dhe në kuadër të institucioneve të përbashkëta të NATO-s.Vendosja e këtyre njësive ushtarake në kufi me Shqipërinë, bart dhe një rrezik tjetër potencial. Ai ekzagjeron përmasat e trafikutkriminal midis dy vendeve, duke parathënë një qëndrim refuzues të Greqisë në qershor kur të shqyrtohet kandidatura e Shqipërisë për në BE. Ndaj PDIU bën thirrje për reagim të vendosur të gjithë faktorit shqiptar ndaj këtij veprimi”,-përfundon deklarata.
SHQIP
Add new comment