Topi: Politika të lërë debatet shterpë, të punojë për integrimin
Kreu i shtetit Bamir Topi i ka kërkuar klasës politike shqiptare të lërë mënjanë mllefet politike, retorikën boshe dhe debatet shterpë dhe të mendojë e të përkushtohet për zhvillimin dhe prosperitetin e vendit, si dhe integrimin dinjitoz e sa më të shpejtë të Shqipërisë në familjen evropiane.
Në një takim me amabsadoren e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Fiona Mekiluam kreu i shtetit shprehu domosdoshmërinë dhe nevojën e bashkimit të vullneteve politike në vend për gjetjen rrugëve efikase të komunikimit dhe bashkëpunimit mes forcave politike shqiptare në shërbim të reformave thelbësore ee të rëndësishme të kuadrit politik, ligjor, ekonomik dhe social, si dhe për plotësimin e kritereve kyçe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Klasa politike shqiptare mbart një përgjegjësi të veçantë për imazhin e vendit përballë partnerëve dhe miqve tanë ndërkombëtarë për mënyrën e administrimit të pushtetit dhe të vullnetit të qytetarëve shqiptarë”, - vuri në dukje Kryetari i Shtetit, ndërsa nënvizoi se “shqiptarët me shumë sakrifica kanë kontribuar për imazhin e tyre si njerëz me kurajë, mbështetës dhe aspirues të vlerave demokratike dhe evropiane, ndaj është në detyrimin e përfaqësuesve të popullit, institucioneve shqiptare që t’u përgjigjen këtyre standardeve.”
Nga ana e saj, Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Fiona Mekiluam theksoi nevojën për një agjendë kombëtare reformash strategjike të arritur me vullnet të qartë dhe konsensus politik, e cila do të mundësojë integrimin e vendit tonë në gjirin e Bashkimit Evropian.
Ajo vlerësoi gjithashtu rolin institucional dhe publik të Presidentit Topi në zhvillimet politike në Shqipëri, përmes mesazheve të qarta dhe koherente për dialog, bashkëpunim dhe angazhim serioz të të gjithë aktorëve politikë e institucionalë për kapërcimin situatës aktuale politike në vend.
Marrë nga ora-news.com
Add new comment