Tahiri: Do të zbresim policinë në terren

Daljen e tij të parë përballë mediave për 2014 Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri e shfrytëzoi për të falenderuar cdo efektiv të Policisë së Shtetit për punën dhe garantimin e sigurisë përgjatë festave të fundvitit.
Ndërsa publikoi buletinin mujor “Dhjetor 2013”, që në krahasim me dhjetorin 2012 , sipas ministrit ka më pak vrasje, më shumë drogë të bllokuar si dhe më shumë të arrestuar për veprën e korrupsionit, ministri nuk la jashtë vëmendjes edhe shpërthimin me eksploziv në rrethin e Kurbinit.
“Është një ngjarje goxha e rëndë përsa kohë na rikthen në kujtesë atë që të gjithë kemi kaluar në vitet 2000, 2001, 2002, që përkojnë prap me opozitën e Sali Berishës, por shënon aktin e parë terrorist për të cilin mesazhet terroriste janë të qarta, madje janë shënuar fare qartë në vendin e ngjarjes. Është hera e parë që ndodh. Pra duket qartë që kemi të bëjmë me një akt terrorist të mirësynuar dhe të adresuar mirë. Unë do të ftoja të gjithë të distancoheshin dhe ta dënonin sulmin”, tha ministri Tahiri.
Ministri Tahiri theksoi se policia tashmë ndodhet në fazën e dytë të reformimit, për një polici më pranë qytetarit dhe me inspektorë zone më të fuqishëm. Me një polici që edhe paketa ligjore është nën rishikim.
“Ju e dini fort mirë që vetëm brenda një hoteli ku përmblidhet Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit rrinin brenda mbi 800 punonjës policie, drejtues të lartë të cilët shkëpusnin shërbimin policor ndaj qytetarëve. Ne kemi zbritur dhe po vazhdojmë të zbresim poshtë strukturën drejtuese të Policisë së Shtetit duke garantuar shërbim sa më afër qytetarëve. Paketa ligjore që po hartohet së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, dhe këtu dëshiroj t’i falenderoj, përfshin thuajse të gjithë kuadrin ligjor të Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese. Sigurisht ligji për Policinë e Shtetit është i përfshirë në më të shumtën jemi gati në fazën e hartimit të një ligji të ri, por kjo mbetet në diskutim.
Ministri i Brendshëm Tahiri foli edhe për vrasjen nga policia të shtetasit Gazmir Marku, si një aksion policor që garantoi vendosjen e ligjit.
“E ripërsëris pa i hequr asnjë presje qëndrimit tim, falenderoj punonjësit e policisë që morën pjesë në atë aksion. Koha ka ndryshuar, në kohën e tyre vriteshin punonjës policie, ne sot bëjmë maksimumin për të garantuar që asnjë jetë e asnjë punonjësi policie të mos humbasë në luftën kundër krimit dhe e dyta ata që guxojnë t’i drejtohen Policisë së Shtetit me armë do të marrin koston e veprimeve të tyre të paligjshme”, deklaroi kreu i Ministrisë së Brendshme.
Top channel
Add new comment