Statusi kandidat, mes dashurisë prej Brukselit e skepticizmit të qeverive anëtare

Postuar në 10 Dhjetor, 2013 09:12

Miratimi apo jo i statusit kandidat të Shqipërisë duket se është në varësi të qëndrimit që do të mbajnë disa vende anëtare ende skeptike për atë që vendi ynë ka bërë për ta fituar “nominimin” si kandidat. Ndërsa Brukseli dhe Parlamenti Europian japin mbështetje thuajse unanime, edhe në miratimin e një rezolute me vota unanime në Komisionin e Jashtëm të PE, vende si Gjermania nuk janë aq të sigurta. Kjo doli në ditën e dytë të seminarit të përvitshëm për mediat që u zhvillua në Lech të Austrisë të premten e kaluar, i cili kishte për temë Europën dhe integrimin, ndërsa diskutuesit ishin zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian, Othmar Karas, Komisioneri i BE-së, Johannes Hahn, Drejtoresha për Politikat Europiane në Ministrinë e Ekonomisë së Gjermanisë, Claudia Dörr-Voß, zv/ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Sokol Dervishaj dhe ministri i Punës i Kroacisë, Mirando Mrsic.

Ndërsa flitej për zgjerim dhe konkretisht për Shqipërinë, Dörr-Voß sqaroi se Gjermania ishte e mendimit që hapat e zgjerimit duhej të ishin të ngadaltë, megjithatë ajo la një derë të hapur duke theksuar se vendimi do të merrej nga qeveria e re e Berlinit. Drejtoresha për Politikat Europiane theksoi se ngadalësimi në këto raste ishte provuar i suksesshëm, duke sjellë si shembull Serbinë dhe Kosovën që u detyruan në një farë mënyre të fillonin dialogun në mënyrë që të avanconin me anëtarësim drejt BE-së. Ajo la të kuptohej se diçka e tillë mund të ndodhte edhe në rastin e Shqipërisë edhe pse theksoi se ende nuk ishte marrë një vendim. “Është mirë që të shkojmë ngadalë”, tha ajo duke theksuar se ajo nuk ishte fort optimiste sa i përket përparimit të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të ngjashme në BE.

Replika ndaj kësaj ishte e menjëhershme. Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian Othmar Karas, deputet i grupit të Partive Popullore, tha se kishte ardhur koha që Evropa të mos shihej me syrin e interesave dhe qëndrimeve të shteteve të veçanta. “Ka ende shume mendim nacional në BE. Është koha që politika për Europën të shihet si politikë e brendshme dhe jo e jashtme”, tha Karas duke u vendosur hapur në miratimin e statusit për Shqipërinë, por edhe duke kritikuar vendet anëtare për qëndrime jo të bashkuara. Më herët ai mbajti qëndrim kritik edhe përsa i përket pushtetit të institucioneve ndërkombëtare, ndërsa iu kundërvu skeptikëve të Bashkimit në vendet Perëndimore duke pohuar se vendet që kishin fituar më shumë nga BE ishin këta të fundit.

Zëvendësministri i Jashtëm i Shqipërisë Sokol Dervishaj ndërkoha paraqiti qëndrimin e tij dhe të Shqipërisë mbi çështjen. Duke theksuar se vendi nuk do të bënte kthim pas dhe se BE ishte e vetmja rrugë për Shqipërinë, Dervishaj ishte i ashpër me hezitimin për dhënien e statusit, duke vënë theksin se ata që po izoloheshin në një farë mënyre prej këtyre ndalesave ishin shqiptarët. Duke bërë ironi me ndërrimin e termave të grupvendeve jashtë BE, kalimi nga Blloku i Lindjes, një Evropën Juglindore dhe së fundmi në Ballkanin Perëndimorë, Dervishaj tha se në fund jashtë do të mbeteshin vetëm shqiptarët. Ai theksoi ndërkohë që “Për herë të parë kemi një rekomandim pa kushte nga Komisioni Evropian” dhe vuri në dukje se edhe koha për statusin ishte e duhura, pasi ishte një moment që nuk do të favorizonte asnjë prej palëve në politikën vendase. Dervishaj bëri dhe një listë të detyrimeve që shqiptarët kishin zbatuar, ndërsa theksoi se mos dhënia e statusit, i cili sidoqoftë nuk e afron shumë anëtarësimin, do të dëmtonte në një farë mënyre përpjekjet e Shqipërisë drejt BE duke mos i vlerësuar drejt ato. Nga ana e tij Komisioneri i BE Johannes Hahn theksoi se “Shqipëria do të bëhej një vend anëtar i BE-së” duke e diferencuar atë nga Turqia të cilën ai tha ka probleme të tjera.

Seminari për mediat në Lech të Austrisë organizohej për të 7-in vit nga Agjencia e komunikimit “pro.media” dhe një sërë bashkëpunëtorësh të saj, përfshi edhe televizione dhe agjenci shtypi të Austrisë. Seminari kryesisht me korrespondentë të jashtëm të mediave austriake, pati ndër të tjera diskutime mbi të ardhmen e të rinjve në Europë, punësimin dhe situatën e mediave.

Seminari për mediat në Lech të Austrisë, organizohej për të 7-in vit nga Agjencia e komunikimit “pro.media” dhe një sërë bashkëpunëtorësh të saj, përfshi edhe televizione dhe agjenci shtypi të Austrisë.

Mapo

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.