Shkopet, maskat grabisin dhe dhunojnë shoferin në mes të ditës

Postuar në 04 Janar, 2014 07:41

Në orët e para të paradites së djeshme në rrugën e Shkopetit që të çon për në Burrel njerëz me maska dhe të armatosur kanë grabitur një fugon dhe kanë dhunuar shoferin.

Tmerri I kësaj rruge, ku maskat kanë qenë të zakonshme që nga viti ’97 është kthyer sërish madje në mes të ditës, ndërkohë që frika për të kaluar natën në këtë segment rrugor është e madhe. Shoferi i automjetit ka telefonuar policinë për të bërë denoncimin. Makina ishte nisur nga Burreli në drejtim të Tiranës dhe në afërsi të Shkopetit shoferi është detyruar të ndalojë pasi i kanë dalë para 3 persona të armatosur dhe të maskuar. Sipas rrëfimit të shoferit në polici grabitësit e kanë kërcënuar dhe e kanë dhunuar. Ai është rrahur dhe goditur disa herë me tytën e armës tip automatik në kokë dhe në trup. Nga dëshmia e shoferit në polici, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije, mësohet se atij i janë grabitur një shumë parash prej 2 milionë lekësh.

Fillimisht u raportua se ishte grabitur makina e një banke, por pasi ka shkuar në vendngjarje policia ka konfirmuar se bëhej fjalë për automjetin që transportonte fruta. Deformimi i informacionit ka ndodhur për shkak se telefonata anonime e shoferit nuk është dëgjuar mirë në sallën operative.

Ende nuk dihen autorët e grabitjes. Shoferi ka shpjeguar se tre grabitësit janë të moshës 20-35 vjeç dhe me trup të madh. Ai ka treguar se nuk ka mundur të dallojë më shumë detaje për ti identifikuar pasi ishin komplet të maskuar dhe u dukeshin vetëm sytë.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Forca të shumta police kanë bllokuar segmentet rrugore, ndërkohë që kërkimet janë shtrirë edhe në terrenin e thyer të zonës me qen të specializuar për të ndjekur gjurmët e grabitësve. Sipas policisë grabitësit janë ndihmuar edhe nga terreni i thyer për të humbur gjurmët dhe për tu larguar nga vendi i ngjarjes.

 

 

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.