Shkëlzen Berisha i kundërpërgjigjet Tahirit

Shkëlzen Berisha i kundërpërgjigjet Tahirit
Publikuar më 05.12.2013 | 19:42
2044 4
Djali i ish-kryeministri, Sali Berisha i është kundërpërgjigjur akuzave të ministrit të Brendshëm. Saimir Tahiri nga salla e Kuvendit, akuzoi Berishën se në kohën që djali i tij ishte shkaktar i shpërthimin tragjik të Gërdecit, ai e mbronte.
Shkëlzen Berisha nga ana e tij, akuzon Tahirin si përgjegjës për vrasjen e adoleshentit në Durrës si dhe për arratisjen e të burgosurve në Drenovë. Djali i Berishës e quan Tahirin “ministrit burracak që e siguron veten me eskortë dhe truproja”.
“Në kushtet e impotencës morale për të dhënë dorëheqjen dhe shterpësisë profesionale e politike për të dhënë garanci, që ngjarje të tilla si ekzekutimi i një gjimnazisti të ulur në bankën e shkollës apo pas thyerjes së burgut të sigurisë së lartë në Drenovë, ky ministër e pa të udhës që prindërve, të afërmve të të ndjerit dhe mbarë opinionit t’u thotë se fajin për këtë e ka Shkëlzeni”, thuhet në reagimin e djalit të Berishës.
Shkëlzen Berisha, i kujton Tahirit gjyqet që ka humbur në kohën që në pushtet ishte babai i tij. “Në kushtet kur zhvillohet ky debat më duket e tepërt të them, se ky ministër jo vetëm është i dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykata për shpifjen që përsëriti sot në parlament, por si një bandit me imunitet, sfidon çdo ditë shtetin ligjor duke mos paguar detyrimin që rrjedh nga vendimi i gjykatës për gënjeshtrën e tij.”
“Nëse dështimin tënd, kërkon medoemos ta fshehësh apo justifikosh pas atyre që kanë vrarë e plagosur dhe nuk u ka hyrë gjemb në këmbë, këtë do e gjesh të faktuar pa pasur nevojë të shpifësh tek fëmijët e Gramoz Ruçit, Arta Dades dhe kolegëve të tjerë në parlament”, thuhet në deklaratën e Shkëlzenit.
Shekulli
Add new comment