RTSH, në pritje të reformimit

Postuar në 10 Dhjetor, 2013 03:14

A mundet që Radiotelevizioni Shqiptar të reformohet tërësisht, duke u kthyer në një dritare të paanshme për publikun, por edhe për taksapaguesin shqiptar?

Për drejtuesit e komisionit të medias, por edhe për ekpertët, kjo mbetet një sfidë e vështirë dhe me kosto të lartë.

Ministrja e shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, tha se Radiotelevizioni Shqiptar do të përfshihet nga dy reforma të mëdha: ajo e dixhitalizimit, si dhe reforma e brendshme në këtë strukturë gjigante, të cilat duhet të mbyllen brenda qershorit të vitit 2015.

“Sipas statistikave të ITU-së, vetëm 10% rritje në Broadband në një vend sjell 1,4% rritje të GDP-së. Besoj se të gjithë janë të ndërgjegjshëm, se çdo të thotë në kohët e krizave të sotme dhe në situatën financiare të sotme, të kesh 1,4% rritje të GDP-së”, tha ministrja Milena Harito.

Në kuadër të reformës së dixhitalizmit, zonja Harito tha se brenda pak ditësh qeveria do të nxjerrë një vendim të ri.

“Vendimi që do të nxjerrë qeveria në ditët në vijim, për ndalimin e importit të televizioneve dhe dekoderave që funksionojnë me një normë të vjetër, D MPEG 2, dhe kalimi i të gjithë televizioneve që do hyjnë në Shqipëri nga shkurti i vitit që vjen te norma e re. Kjo bëhet që të mbrohen interesat e konsumatorit, që në qershor të vitit 2015, një pjesë e madhe e parkut të televizioneve dhe dekoderave të jenë tashmë në normën e re të strategjisë së kalimit të transmetimeve dixhitale”, vijoi më tej zonja Harito.

Kryetari i komisionit të medias preferoi të vinte theksin te ndryshimet, që priten të ndodhin në strukturen e AMA-s, duke kërkuar që mos të ketë ndikime politike.

“Rregullatori në bazë të ligjit që ne kemi miratuar dhe në bazë të cdo ligji tjetër të një vendi europian është i pavarur dhe nuk ndryshohet sa herë ndryshohet pushteti. Depolitizimi i rregullatorit, për të cilin dëgjova të flitet, do ishte gabim të konceptohej si heqje e atyre që janë emëruar në legjislaturat e shkuara dhe zëvendësimi i tyre me njerëz të mazhorancës së re, apo në rastin më të keq të klientëve mediatik të saj. Kjo do ishte në kundërshtim me parimet e demokracisë dhe shtetit ligjor, që përmbajnë “check and balances” kundra pushteteve të brendshme”, theksoi Genc Pollo.

Nënkryetari i komisionit të medias, Alfred Peza, tha se audienca e TVSH-së është vetëm 9%, edhe pse investimet për të janë të mëdha.

“Cfarë duhet të bëjmë me një institucion që ka 1 miliard euro asete, që e fillon 1 janarin e cdo viti me 10 milionë euro buxhet fillestar në arkë, që ka të punësuar mbi 1 mijë njerëz, që ka shtrirjen më të madhe të sinjalit televiziv në një vend thellësisht malor si i yni dhe që ka arkivën filmike më të pasur në historinë e këtij vendi. Sigurisht që ai duhet reformuar, po mendojnë të gjithë tani”, u shpreh zoti Alfred Peza.

Top channel

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.