Rrëzimi i ligjit të “Nëpunësit”, Rama: Do të respektojmë Kushtetuesen

Postuar në 27 Dhjetor, 2013 03:36

Kryeministri Rama e cilësoi të padrejtë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e aktit normativ për administratën publike, por tha se e respekton atë.

I ftuar në emisionin “Top Story” në “Top Channel” me gazetarin Sokol Balla, Rama tha se ideja e një reforme tërësore në Drejtësi nuk buron nga dëshira për hakmarrje ndaj vendimeve të tyre.

Për sa i përket funksionimit të koalicionit brenda kabinetit tuaj, pasi u referohem sërish skeptikëve se LSI do të futet në qeveri dhe do të shohë punën e vet, e ju e ministrat tuaj do të vazhdoni me axhendën e përcaktuar. Si ndiheni me këtë bashkëjetesë me partnerin tuaj strategjik?
Leximi me vëmendje i të shkuarës për përvojat pozitive apo negative në raportet tona na ndihmoi t’i japim jetë një aleance fituese, që kurrë më parë një koalicion nuk e kishte pasur pas vitit 1992 dhe ndërtimi i një skuadre të re me dialog e me bashkërendim të ideve për skuadrën, me aleatin kryesor e partnerin strategjik, na ka dhënë një ekip që punon si i tillë e sinqerisht nuk ndiejmë asnjë dallim të natyrës që ju thatë.

Përsëri për kabinetin. Janë vetëm 100 ditë edhe disa përfaqësues të opozitës kanë thënë që qeverisë i duhen lënë disa muaj për t’u vlerësuar, por nisur nga e shkuara kemi parë shumë ndryshime gjatë një mandati në kabinet. A mendoni që qeveria juaj do të ketë një rifreskim të qeverisë apo vazhdoni t’i qëndroni se gjithçka do të ndikohet nga performanca?
Gjithçka në bazë të performancës, pa dyshim.

Dhe besoj se deri tani jeni të kënaqur me rezultatin.
Për të gjithë ata që e kanë dyshim dhe pa asnjë ekzagjerim, çdo ministër e ministre ka justifikuar besimin që ka marrë, qoftë nga përzgjedhja dhe qoftë nga vota e Kuvendit për të përfaqësuar Aleancën për Shqipërinë Europiane në kabinetin e vendit.

Në Londër apo kudo tjetër, në mungesë të automjetit të ofrohet një sistem transporti pothuajse perfekt, diçka që mungon në Shqipëri. Patjetër, dhe ky do të jetë një stimul për të përmirësuar edhe transportin publik. Këtu nuk bëhet fjalë për të lëvizur në Londër, por në një lagje të vogël të saj, ku mund të lëvizësh lehtësisht edhe në këmbë, fjala vjen. Unë vetë personalisht e kam me shumë dëshirë dhe do ta bëj që të shkoj në këmbë në zyrë, sepse shtëpia ime nga zyra është lehtësisht e përshkueshme, ndaj është e kotë të marrësh makinën dhe të ndotësh ambientin, edhe pse makina ime do të lëvizë për shkak të detyrës. Nuk flasim këtu për gjëra të çuditshme, por për shembujt e asaj bote ku ne duam të integrohemi se e shohim të bukur kështu, por të gjithë jemi të vetëdijshëm që ajo bukuri dhe pastërti që shohim në ato vende nuk është e rënë nga qielli, por pjellë e politikave dhe një shteti që mbahet në këmbë me kontributet e të gjithëve.

Zoti Rama, opozita ka paraqitur 30 amendamente mbi buxhetin, bazuar, siç thotë ajo, në premtimet tuaja elektorale. Një lëvizje, që pa dyshim ka edhe cinizmin brenda, por që tenton të vërë në provë nëse ju keni premtuar në fushatë, apo seriozisht që do të bëni ato që keni premtuar. Do të merrni parasysh ndonjë prej këtyre amendamenteve?
Ne nuk marrim parasysh asnjë amendament provokativ, aq më tepër të një opozite që ka mbetur peng e një plaku që i ka sosur kandili i arsyes. Shqiptarët e bënë të tyren dhe e larguan opozitën e sotme nga qeveria dhe e çuan shqiptarët në pension gjyshin, që s’kishte më se çfarë t’u jepte shqiptarëve, përveç përrallave dhe s’kishte më asgjë më të mirë, përveç borxheve ku i zhyti shqiptarët. Edhe ne nga ana jonë e bëmë tonën, edhe PD nga ana e saj duhet të bëjë të veten. Nuk është fat i mirë, por ndodh kur plaku i shtëpisë rrjedh, por ama familja e përgjegjshme e mban në shtëpi, kujdeset për të brenda shtëpisë, i krijon kushte, nuk ka asgjë jonatyrale, por ama nuk e lë të dalë çdo mëngjes të tërbojë të gjithë lagjen. Kështu që ata duhet ta bëjnë të tyren dhe amendamentet që burojnë nga shkuarja pas marrëzisë së plakut të shtëpisë së tyre, ne s’kemi ça të pranojmë. Ne do t’i mbajmë zotimet tona në 4 vjet dhe, t’i kërkosh një qeverie që në 100 ditë të mbajë të gjitha zotimet, do të thotë të pretendosh se zgjedhjet do të bëhen çdo 100 ditë.

Në lidhje me statusin e vendit kandidat, ju thatë se ishte shqetësues që brenda qarqeve pati etiketime për besimin me shumicë myslimane të vendit tonë.

Nuk e kanë thënë brenda qarqeve, e kanë thënë hapur këtë. Të gjithë ne kemi pasur mundësinë të dëgjojmë drejtpërdrejt se jemi shumë të befasuar nga puna e qeverisë së re, por mbase do të na duhet edhe pak kohë për të parë që kjo është një punë e qëndrueshme dhe këto arritje do të konsolidohen në vijim, pasi nga Shqipëria, për fat të keq jemi mësuar të zhgënjehemi. Këtë kanë thënë disa nga qeveritë. Institucionet kanë folur qartë dhe nuk kanë gjë me ne, por këto forca që s’kanë gjë me Shqipërinë vetë, por me Bashkimin Europian në vetvete, pasi duan të nxjerrin vendin e tyre nga BE, nga euro, s’duan të huaj e emigrantë, gjë që s’ka të bëjë me vlerat e BE-së në vetvete…

Ne kemi edhe një marrëdhënie me Konferencën Islamike, a mendoni se qeveria do të ketë një qëndrim të ri për këtë?
Unë mendoj se kush guxon të tregojë me gisht shqiptarët si myslimanë, duhet të marrë përgjigje nga Kryeministri i vendit dhe të gjithë qytetarët e vendit. Ne jemi myslimanë e të krishterë, jemi bashkë, jemi të gjithë myslimanë e të gjithë të krishterë njëkohësisht kur duhet e s’do të na ndajnë ca ekstremistë që janë edhe kundër BE. Unë refuzoj që Shqipëria të abuzohet për arsyen e fesë dhe për këtë jam krenar, e për këtë duhet të jemi të gjithë krenarë, që ne jemi një model i harmonisë mes besimeve, një model i bashkëjetesës dhe për këtë model duhet të na kenë zili e të na marrin për shembull, e duhet të na e shohin si vlerë të shtuar e jo të na tregojnë me gisht, e kush, ato personazhe që janë turpi i BE-së.

Gjykata Kushtetuese ju hodhi poshtë aktin normativ për administratën, ç’do të bëni ju tani?
Ne jemi absolutisht të bindur që gjykata nuk ka marrë vendimin e drejtë, por është vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe ne e respektojmë këtë vendim. Për aq sa ka pasur në kompetencë gjykata, që për ne nuk është i drejtë, por në fund të ditës çdo vendim gjykate është gjykate dhe ndryshe nga ata që ishin deri dje, ne as do ngrihemi e të themi një mijë e një të zeza për gjykatësit e as do i themi Presidentit “ti je një horr bulevardi”.

Megjithatë, vota në këtë çështje ishte totalisht partizane, 5 me 4. Kanë votuar të gjithë anëtarët e propozuar nga ish- maxhoranca… Ideja për një reformë tërësore në Drejtësi nuk buron nga dëshira për hakmarrje apo për të marrë nën kontroll drejtësinë. Është një ide, sepse çdokush që të pyesësh në këtë sallë nëse duhet reformuar drejtësia, të gjithë do të thonim aman, është e para që duhet reformuar. Por për këtë duhet të përfshihemi të gjithë, shoqëria civile, Parlamenti, të gjithë e ne do të bëjmë atë që mund të bëjmë si qeveri, por pa valëvitur këtë flamur për t’i rënë në gjoks kujtdo na del para.

Zoti Rama, çfarë po ndodh mes maxhorancës e Presidentit? Zëra ekstremistë si Ngjela thonë duhet shkarkuar Nishani.
Unë e kam konsideruar veten fatkeq kur një kryeministër shante Presidentin rrugaç dhe jam distancuar nga ajo sjellje atëherë jo sepse Presidenti ishte ndonjë shoku im, por sepse ishte Presidenti i Republikës e nga unë s’do të dëgjoni asnjë shkelje, jo etike, por as shkelje të marrëdhënieve normale me këtë institucion. Pa dyshim, unë kam gjykimet e mia dhe Presidenti të tijat, pavarësisht palumturisë që mund të ketë në raportet personale, raportet institucionale do të jenë gjithmonë të shkëlqyera nga ana e qeverisë.

Panorama

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.