Rinisin reshjet në Fier e Vlorë, vijon shpërndarja e ndihmave

Postuar në 04 Shkurt, 2015 04:22

Banorët e zonës kërkojnë ndihmë për të ushqyer kafshët e mbetura gjallë nga përmbytja e parë, sepse vërshimi i ujërave ka shkatërruar çdo gjë, përfshi edhe rezervat ushqimore.

Ndërkohë, prurjet e Vjosës janë ulur dhe kjo ka bërë që në shumë zona në Novoselë, por edhe në Komunën Dërmenas, uji të largohet. Repartet e ushtrisë po vijojnë shpërndarjen e pakove me ndihma, të cilat vijnë nga bizneset, Kryqi i Kuq dhe rezervat e shtetit.

Megjithatë, ndihma më e madhe po jepet nga vetë banorët për njëri-tjetrin. Gjatë orëve të përmbytjes, të gjitha familjet janë strehuar dhe ushqyer në banesat e të afërmve të tyre, në zonat jashtë përmbytjes.

E ndërsa personat e aftë për punë janë rikthyer në zonën e përmbytjes për të rikuperuar dëmet, të moshuarit dhe fëmijët e mitur po mbahen nga të afërmit e tyre. Thirrje për solidaritet kanë bërë edhe deputetët e zonës, të cilët kanë shpërndarë ndihma financiare dhe ushqimore.

Pas largimit të plotë të ujërave, banorët shpresojnë në një vlerësim të drejtë dhe në dëmshpërblim nga ana e shtetit, për shkak se pjesa më e madhe e ekonomisë bujqësore dhe blegtorale e tyre është dëmtuar shumë rëndë. / Top Channel

 

 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.