Rama: Vendimi na bën më të vendosur

Kryeministri Edi Rama, në një deklaratë për shtyp të mbajtur mbrëmjen e së mërkurës për çështjen e statusit të vendit kandidat, ka pranuar se vendimi i djeshëm i Këshillit të Evropës nuk ishte më optimali.
Por nga ana tjetër, Rama ka nënvizuar se vendet anëtare kanë vlerësuar me nota maksimale reformat e realizuara në tre muajt e parë të qeverisë, duke kërkuar më shumë kohë posaçërish për të parë vijimin e tyre.
“Padyshim që nuk ishte vendimi më i mirë i familjes evropiane, por ky vendim vetëm e rrit vendosmërinë tonë për reforma të thella dhe ndryshime rrënjësore në çdo fushë. Dhe puna e qeverisë është vlerësuar me notat më pozitive nga familja evropiane”, ka deklaruar Rama.
Ai ka vënë në dukje se shkak për vendimin e djeshëm ishte edhe performanca e dobët e qeverisë së kaluar, e cila nuk dha asnjë provë vullneti, ndërkohë që qeveria e re po bën të kundërtën.
“Ajo çka kemi ndjerë e dëgjuar në këto muaj nga pjesa dërrmuese e vendeve anëtare është nevoja e tyre për më shumë kohë, pasi e kanë të freskët në kujtesë qeverinë e shkuar të ligjeve të shumta dhe vullneteve të pakëta”, ka theksuar Rama.
“Ne u dhamë edhe më hezituesve provat se Shqipëria pas 23 qershorit meritonte më shumë. Pas kësaj morëm më shumë mbështetje edhe nga vendet më hezituese. Përcaktimi i qershorit erdhi pikërisht si rezultat i provave bindëse që dhamë në më pak se 3 muaj qeverisje”, ka vijuar ai.
Rama ka premtuar se kabineti i tij do t’i tregojë Unionit të tjera prova deri në qershor dhe më pas, “për të ndërtuar për popullin tonë rrugën e Shqipërisë evropiane”.
Më tej, kryeministri ka renditur edhe disa shkaqe të tjera për vendimin refuzues, duke saktësuar se, BE është i ndikuar nga kriza ekonomike, papunësia dhe emigracioni në këtë vendim.
Ndërkohë, duke shprehur keqardhjen për fushatën e ndërmarrë nga opozita, e cila fajëson qeverinë për vendimin, shefi i ekzekutivit ka thënë se mazhoranca nuk ka ndërmend të hyjë në “lojën e përbaltjes”.
“Sidoqoftë, ne nuk kishim ndërmend të festonim si fitimtarë nëse vendimi do të ishte ai që prisnim. Por s’kemi as ndërmend të hyjmë në një lojë balte me opozitën”, ka shtuar Rama.
Top Channel
Add new comment