Rama: Qeveria? Ministrat, vlerësim sipas performancës

Rama për Imamin
“Çfarë mund të kem unë personale me Arben Imamin? Kush mund ta marrë seriozisht politikisht atë?! Ai u bë i famshëm politikisht vetëm kur i hipi tankut kundër Berishës… Edhe Sudja kështu thoshte, e kanë me mua politikisht…”
“Imami mbrohet si Sudja. Pas Bashës do të shemben pallate të tjera”
Fatjona Mejdini
Kryeministri Rama foli dje për kabinetin e tij, pas 100 ditëve të para të qeverisjes, përballë gazetarit Sokol Balla në “Top Channel”, ku deklaroi se qeveria e tij do të marrë vlerësimin mbi bazën e performancës së ministrave. “Gjithçka në bazë të performancës, pa dyshim…”, theksoi Kryeministri, duke shtuar se ekipi i tij qeveritar e ka kaluar këtë provë. Kryeministri gjithashtu deklaroi se pavarësisht se qeveria nuk mund të “jetë e kënaqur” ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e aktit normativ, ajo është e detyruar ta zbatojë atë. Rama foli edhe për buxhetin dhe ekonominë, duke theksuar se vetëm nga FMN-ja janë marrë 300 milionë euro dhe se të tjera të ardhura të rëndësishme priten të merren nga Banka Botërore. Me shumën totale të parashikuar prej 1.1 miliardë dollarësh, Rama theksoi se ekonomisë shqiptare do t’i bëhet injeksioni më i madh rigjenerues që ka parë ndonjëherë. Ai theksoi se buxheti i ri ka thyer zinxhirin e borxheve që mban peng ekonominë shqiptare. Për sa i përket integrimit, Rama dha arsyet se pse Shqipëria nuk e mori statusin, por shtoi se kush do t’i cilësojë shqiptarët si myslimanë do të përballet me Kryeministrin e Shqipërisë, sepse disa njerëz që janë turpi i Europës nuk mund ta shënjojnë me gisht një vend si Shqipëria me bashkëjetesë të shkëlqyer fetare. Rama foli edhe për çështjen e korrupsionit, duke shtuar se mes tij dhe Arben Imamit nuk ka asgjë personale. Të njëjtin konstatim Kryeministri bëri edhe për pallatin e vjehrrit të atij që e quajti “zëdhënës të PD-së”, Lulzim Basha, duke shtuar se në fund të fundit, për hir të kthimit të pronave publike, ky nuk do të ishte pallati i fundit që do të prishej. Rama theksoi se brenda partisë së tij, PS-së, situata vlon, por për mirë, sepse ajo është një parti që nuk është mësuar të heshtë. Kryeministri theksoi se vitin e ri do ta kalonte mes Tiranës dhe Vlorës.
100 ditët
Kryeministri i vendit, Edi Rama, deklaroi dje, se gjatë 100 ditëve të para të qeverisë së tij, ka treguar dy gjëra të rëndësishme. E para, ka të bëjë me faktin se ka krijuar bindjen e plotë se skuadra e re që ka zgjedhur për të qeverisur është e duhura dhe e dyta, që kabineti ka arritur të plotësojë ata objektiva që i ka vënë vetes. “Konfirmova që skuadra e re është e duhura dhe po kështu plotësuam objektivat që i kishim vënë vetes”, theksoi Rama, duke deklaruar prerë se të gjithë ministrat e kabinetit të tij, kanë justifikuar besimin që ai dhe Parlamenti u ka dhënë. Kreu i qeverisë theksoi se arsyeja se pse disa ministra janë më të mediatizuar se të tjerët, ka të bëjë me faktin se puna e tyre e përditshme lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me qytetarët, siç është edhe rasti i ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri. “Puna e ministres së Kulturës, apo asaj të Mbrojtjes, janë më pak të prekshme për qytetarët se për shembull puna e ministrit të Brendshëm”, vuri në dukje Rama, duke theksuar edhe njëherë se kthimi i rendit është prioritet absolut për qeverinë. Ai shtoi se është i kënaqur, edhe për faktin se ekipi i tij i ministrave po funksiononte si një skuadër e vetme, për të zbatuar prioritetet e vendosura në program. Ai deklaroi se nuk ka identifikuar deri tani asnjë premtim që nuk e mban dot, nga ata të renditur në programin qeverisës. Por ai shtoi se 100 ditë nuk ishin një mandat dhe se askush nuk mund t’i kërkojë llogari qeverisë në lidhje me mosrealizim premtimesh, sepse bilanci përfundimtar me to do të bëhej në fund të mandatit të parë qeverisës.
Buxheti
Në mënyrë të prerë Rama theksoi se mazhoranca nuk ka ndërmend të pranojë asnjë nga amendamentet e bëra për projektbuxhetin nga ana e Partisë Demokratike. Ai shtoi se PD-ja nuk mund të merret parasysh në këto momente, për shkak se po drejtohet faktikisht nga një “plak i rrjedhur”, duke e pasur këtu fjalën për ish-kryeministrin e vendit, Sali Berisha. Në këtë kuadër, Kryeministri nuk kurseu ironinë e tij ndaj ish-kundërshtarit të drejtpërdrejtë në zgjedhje. “Nuk do të marrim parasysh amendamentet e opozitës, që kanë ngelur peng i një plaku që ka sosur. Shqiptarët e bënë të tyre, duke e çuar gjyshin në pension. PD-ja duhet të bëjë të vetën: ndodh që plaku rrjedh dhe familja duhet ta mbajë në shtëpi, që mos të dalë e të tërbojë mëhallën. Në fakt ai është kryetari real i familjes. PD-ja duhet ta lërë te SHQUP-i, t’i çojë batanije, internetin do ta paguajmë ne, ndaj le të qëndrojë në ‘Facebook’”, theksoi Rama në lidhje me raportin që, sipas tij, duhet të ketë PD-ja me ish-kreun e partisë. Rama duke folur për buxhetin shtoi se ai do të sjellë një vit që nuk do të jetë kulmor, por do të nisë fillimin e rritjes ekonomike dhe po kështu nisjes së hapjes së vendeve të punës. Sipas Kryeministrit, ky draft do të bëjë që shqiptarët vitin tjetër të kenë mundësi të marrin frymë lirisht, sepse ai dhe sistemi i ri i taksimit do të sjellin barazinë e munguar sociale në vend. “Nga 1 janari do të jenë ministrat, deputetët, Kryeministri, Presidenti më të mirëpaguarit, ata që do të paguajnë më shumë taksa dhe infermierët, mësuesit dhe qytetarët e thjeshtë më pak, duke rritur të ardhurat në xhepat e tyre”, theksoi Rama. Sipas tij, furra e bukës dhe kafeneja e lagjes tashmë do të paguajnë më pak taksa se fabrika e çimentos apo hotelet luksoze. Nga ana tjetër, Rama foli edhe për marrëveshjen e veçantë që qeveria e tij ka bërë me Fondin Monetar Ndërkombëtar, duke e quajtur atë më të mirën që ndonjë qeveri ka bërë ndonjëherë. “Kur u nismën në fillim, menduam se do të arrinim të merrnim deri në 100 milionë euro maksimumi, por në fakt ia dolëm të merrnim 300 milionë dhe kjo vetëm nga FMN-ja, pa llogaritur që presim të tjera nga Banka Botërore”, theksoi Rama, duke shtuar se gjithsej shuma do të shkonte deri në 1.1 miliardë dollarë, duke i bërë ekonomisë shqiptare injeksionin më të madh që ajo ka marrë ndonjëherë.
Statusi
Rama shpjegoi dje, se statusi i vendit kandidat këtë vit për Shqipërinë nuk erdhi për dy arsye. E para, sepse nga Shqipëria liderët europianë duan më shumë prova dhe e dyta, lidhet sipas tij, me rritjen e peshës së forcave ekstremiste në Europë. “Faktori ‘a’ kishte të bënte me ngurrimin përballë faktit se qeveria po bënte një punë befasuese, sipas Kancelares Merkel, nga Shqipëria jemi mësuar të thonë tjetër gjë e të bëjnë një tjetër, ndaj kemi nevojë për shumë kohë. Po kështu, forcat ekstremiste në disa vende janë rritur ndjeshëm. Në Parlamentin holandez ata u bashkuan si rrallëherë, duke i fyer madje shqiptarët kur përmendën fenë myslimane dhe i kërkuan Kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të tyre vendosjen e vetos kundër Shqipërisë”, theksoi Rama. Ai shtoi se kush guxon të quajë shqiptarët myslimanë, do të përballet me qëndrimin e Kryeministrit të Shqipërisë. “Ne jemi myslimanë, ne jemi të krishterë, por jemi të gjithë bashkë. Nuk mund të na ndajnë ca ekstremistë që janë turp i Europës. Ne jemi krenarë që jemi model i bashkëjetesës dhe tolerancës fetare, ne duhet të na marrin shembull dhe jo të na tregojnë me gisht”, theksoi Rama. Për sa i përket pallatit të shembur në Vlorë, Kryeministri shtoi se nuk mund të tolerohej një pallat që kishte dal në det. “Aty ishte dhënë një leje në kundërshtim me çdo ligj, ndaj ne u detyruam të bënim dëmshpërblimin, për ata që ranë në mirëbesim për atë palo leje”, theksoi Rama, duke shtuar se ai nuk ishte në dijeni se ky pallat i përkiste “zëdhënësit të PD-së”. Ai paralajmëroi se nuk është pallati i fundit që prishet.
Nafta
“Rritja me 10 lekë e taksës së naftës nuk shkon në kurriz të pensionistëve dhe as familjeve në nevojë, por atyre që kanë të ardhura të mira”
Makina
“Një shumicë e madhe njerëzish në Shqipëri e përdorin makinën jashtë çdo lloj nacionaliteti, sepse ende makina nuk kushton në Shqipëri sa në çdo vend tjetër”
Biznesmenët
“Më vjen mirë që biznesmenët shkojnë sot pa problem e qahen tek opozita, pavarësisht se harrojnë se ishin pikërisht ata që ua kishin vënë shkelmin në fyt”
FMN
“Marrëveshja me FMN-në nuk ka kushte të rënda për qytetarët, por për qeverinë. Kërkohen reforma të thella në të ardhura, që prekin kasat e formuara nga qeveria në komuna”
Pensionet
“Do të bëjmë një reformë pensionesh, por jo të shpejtë, sepse s’duam të prekim pensionistët aktualë. Duhet të ndërmarrim reformë që t’i ketë efektet pas 10 apo 15 vitesh”
Premtimi: Në këmbë në Kryeministri
“Qytetarët të kursejnë, të kursejnë!”
Kryeministri, në intervistën e tij, ka bërë apel disa herë që qytetarët të kursejnë sa më shumë në këtë periudhë. “Qytetarët, të kursejnë, të kursejnë”, ishte apeli i Ramës, drejtuar shqiptarëve. Kryeministri, në vazhdën e kursimeve, u shpreh se do të nisë ta bëjë rrugën nga shtëpia drejt Kryeministrisë në këmbë. “E kam shumë afër shtëpinë nga puna dhe për këtë do të nis ta bëj rrugën së shpejti në këmbë”, theksoi Rama. Ky premtim i kreut të qeverisë erdhi në kuadër të qëndrimit të tij, se makinat duhet të kufizohen sa më shumë brenda qyteteve, ku edhe distancat janë të shkurtra. Por ai shtoi se i vinte keq që makina e tij do të vijojë ta bëjë për arsye pune këtë distancë çdo ditë.
Shqip
Add new comment