Rama në Librazhd: Opozita nuk ofron asgjë, ne kemi kandidatët dhe modelin

Kryeministri Edi Rama prezantoi kandidatin e Aleancës për Shqipërinë Europiane për Bashkinë e Librazhdit, Kastriot Gurra.
Rama kërkoi votën e gjithë simpatizantëve të Partisë Socialiste dhe partive të tjera të koalicionit të gjerë për kandidatin e majtë, por edhe për këshillat bashkiakë.
“Ne jemi aleancë e madhe që shtrihet në një spektër shumë të gjerë, por që në bosht ka PS-LSI, si një forcë e vetme e aleancës për të rilindur Shqipërinë. Kandidatët janë kandidatët tanë dhe duhet të marrin të gjitha votat e mbështetësve të PS, LSI dhe të gjithë spektrit të koalicionit tonë. Por këto janë zgjedhje edhe për kuvendin vendor, që këshillat të kthehen në forume pëfaqësuese dhe vendimarrëse, dhe në mbështetje të kandidatëve tanë dhe programit tonë. Nëse vota për kandidatin është votë e bashkuar, vota për këshillin është votë ku mbështetësit e secilës parti votojnë listën e partisë që përfaqësojnë”- tha Rama.
Rama u ndal tek opozita, duke ritheksuar se ajo nuk u ofron asgjë shqiptarëve.
“Çfarë pune? Çfarë mirëqënie pret nga një parti që ka dalë në zgjedhjet vendore dhe nuk thotë asgjë për kandidatët, se çfarë do të bëjnë ata?! Që nuk flet për ujitjen, transportin, plehrat, e kështu me radhë?! Thonë vetëm një gjë, na votoni ne që të kthehemi aty ku ishim se nuk shtyhet më duke paguar drita, duke ndërtuar me leje…”- tha Rama.
Sipas Ramës, ASHEE ka “njerëzit që janë të gatshëm të çojnë përpara punët e qytetit, ndërkohë që opozita nuk kanë as njerëzit dhe as modelin”.
Shefi i mazhorancës u bëri thirrje mbështetësve të Partisë Demokratike që të votojnë kandidatët e mazhorancës për të patur një partner, siç tha ai, të pushteti vendor me Qeverinë.
/ Top Channel
Add new comment