Rama: Ky buxhet është garancia për ndalimin e rrënimit

Pas 8 orësh, Kryeministri i përgjigjet opozitës
Herion Mesi
Pasi i ka dëgjuar të gjithë folësit përgjatë 8 orëve të punimeve të djeshme parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë, në diskutimet për votimin nen për nen bashkë me amendamentet e buxhetit 2014 dhe paketës fiskale, Kryeministri Edi Rama, i ka kthyer përgjigje edhe opozitës në Parlament teksa e cilësoi buxhetin e vitit 2014, si buxhetin që ka garantuar përfundimisht ndalimin e rrënimit të vendit. Gjatë fjalës së tij, Rama deklaroi se mazhoranca nuk ka rritur nivelin e borxhit publik, por e ka legalizuar edhe katet shtesë që la qeverisja e kaluar që nuk pranonte shifrat reale. “Ja besuam FMN-së skanimin e borxhit, skanimi i borxhit nuk ka mbaruar dhe nga skanimi doli një shifër shumë më e lartë nga ajo që ne kishim paraparë. Keqqeverisjen tuaj e keni përpara si një masiv që na zë rrugën dhe që do të largohet me këtë buxhet. Kontratat ju i keni lidhur në emër të qeverisë me sipërmarrjen, por nuk i keni respektuar. 128 milionë dollarë detyrime direkte dhe mekanike të qeverisë për rimbursim të TVSH-së i keni lënë aty. 15 milionë dollarë borxh ndaj sistemit energjetik dhe ujit i keni lënë prapa”, nisi të rreshtojë Rama. Më tej, Kryeministri tha se opozita flet sot sikur borxhi është shpikur në ditët e fundit dhe sikur nuk është ajo që në fakt e ka shkaktuar këtë borxh duke përdorur paratë për kumar elektoral. Për kreun e qeverisë, opozita e re shqiptare është e para në historinë e ballafaqimeve parlamentare që amendon një buxhet, duke u bazuar në programin e qeverisë. “Keni një kryetar që e keni lënë roje te SHQUP-i, keni një kryetar që ju e dini se si e lini të dalë dhe vini këtu me amendimi numër një, amendimi numër 2, amendimi numër tre. Ky është konfirmimi që ju nuk keni program dhe se në Shqipëri ka vetëm një program dhe ai program është i yni. Lexojeni atë program, mbani shënime dhe ejani këtu me amendamente tjera. Na ndihmoni kështu, sepse ne jemi shumë më të qetë. I gjithë Parlamenti punon vetëm për një program dhe i gjithë Parlamenti punon vetëm për një rrugë. Ne e kemi thënë se jemi ne e vetmja rrugë, por ju nuk e pranonit atëherë”, theksoi Rama. Kryeministri u është përgjigjur gjithashtu edhe akuzave të opozitës për mosmbajtjen e premtimeve elektorale. “Ju flisni sikur ne jemi në fund të 4-vjeçarit, dhe sikur ju 100 ditë përpara nuk ishit në qeveri, por keni 8 vjet në opozitë, sikur borxhet që keni lënë nuk janë tuajat, sikur detyrimi për t’u përballur me këto borxh nuk ka lidhje me ju. Është e dhimbshme të shohësh sot Shqipërinë që të mos ketë alternativë një opozitë”, u shpreh nga foltorja e Kuvendit Kryeministri Edi Rama.
http://gazeta-shqip.com/lajme/wp-content/themes/gazeta-e-re/...); background-color: rgb(255, 255, 255); color: rgb(85, 85, 85); line-height: 19px; background-position: 0px 20px; background-repeat: no-repeat no-repeat;">
“Keni lënë një kryetar te PD si roje! Tjetri në sallë këtu që nuk di si e lini të flasë”
Kriza
“Ne nuk do t’ua ngarkojmë bizneseve barrën e përballimit të një krize që e keni krijuar ju me politikat tuaja dhe ndërtimin e politikave të taksimit me frymëmarrje të shkurtër”, tha Rama.
Debati
TVSH-ja për mallrat e shportës do të rimbursohet
Projektbuxheti dhe Paketa Fiskale 2014 miratohet nën për nen pas 8 orësh maratonë parlamentare, ndryshe nga diskutimi në parim i disa ditëve më parë kur ky diskutim zgjati mbi 24 orë. Gjithsesi, debatet janë përqendruar kryesisht te ndryshimet në Paketën Fiskale ku opozita përmes amendamenteve që bëri, të cilat u hodhën poshtë nga mazhoranca, u përpoq t’i kujtonte kësaj të fundit dhe votuesve të saj premtimet e pambajtura. Kryeministri Edi Rama, në një fjalë të gjatë, sqaroi edhe njëherë çështjen e borxhit që trashëgoi nga qeveria e Berishës, borxh i cili u përmend dhe nga ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, në një replikë me Kryeministrin Berisha. Sipas Ahmetajt, borxhi i fshehur shkon në mbi 700 milionë dollarë dhe se situata e rëndë ekonomike është pikërisht prej papërgjegjshmërisë së qeverisë që ai drejtoi. Më parë debati u përqendrua dhe te heqja e TVSH për ushqimet e shportës. Opozita propozoi që produktet kryesore me të cilat ushqehen shqiptarët të mos jenë subjekt tatimi, duke u kujtuar kështu socialistëve edhe programin që prezantuan përpara shqiptarëve më 23 qershor. Por për mazhorancën shtresat në nevojë nuk do të paguajnë tvsh, pasi do ta marrë këtë taksë mbrapsht përmes rimbursimit. Fondi në buxhet për këtë nismë shkon 11 miliardë lekë, dhe sipas deputetit Braçe, po bëhet në këtë mënyrë që të përfitojnë ata që kanë nevojë vërtet për të blerë këto mallra më lirë. Gjithashtu akuza dhe ndërakuza ka pasur dhe për sa i përket rritjes së tatimit mbi fitimin mbi biznesin e madh.
Buxheti 2014
Hyn në fuqi më 1 janar, pritet dekreti i Presidentit
Projektbuxheti për vitin 2014, që u miratua mbrëmjen e djeshme vetëm me votat e mazhorancës në Kuvendin e Shqipërisë do të hyjë në fuqi më datë 1 janar të këtij viti. Dhe për të konkretizuar hyrjen e tij në fuqi, pritet që Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, të firmosë dekretin brenda këtyre dy ditëve të fundit të vitit, gjë që do i jepte përfundimisht rrugën ligjshmërisë së draftit të qeverisë. Edhe pse nuk ka ndodhur asnjëherë një gjë e tillë, sipas procedurës, kreu i shtetit në rast se konstaton që projektligji për buxhetin 2014 bie ndesh me Kushtetutën ai ka të drejtë që t’ia kthejë mbrapsht Kuvendit për rishikim. Dhe këtë të drejtë Presidenti mund ta ushtrojë për një herë të vetme, pasi pas rikthimit të draftit në Kuvend, është ky i fundit që vendos për rishikimin ose jo të tij dhe të cilin e miraton me shumicë të thjeshtë votash, pa firmën e Presidentit. Por nga ana tjetër, nëse vërejtjet e Presidentit të Republikës do të merren parasysh nga Kuvendi, i cili vendos më pas për rishikim të buxhetit nëse konstatohet fakti i shkeljes së kushtetutshmërisë të ligjit, atëherë qeveria vijon të operojë me buxhetin e vitit 2013 përgjatë tre muajve të parë të vitit të ardhshëm, derisa projektbuxheti të jetë rishikuar dhe riformuluar nga ekspertët e Ministrisë së Financave. Në ditët në vijim qeveria dhe Kuvendi do t’i kërkojë Presidentit që të japë pëlqimin e tij paraprak për dekretimin e projektbuxhetit dhe të paketës fiskale, me qëllim që ato të hyjnë në fuqi në kohën e parashikuar dhe për të mos krijuar probleme me financat e vendit për periudhën e parë të vitit të ardhshëm. Ndaj, çdo gjë lidhur me hyrjen në fuqi të këtyre ligjeve varet nga vullneti i kreut të shtetit për t’i dekretuar paraprakisht.
SHQIP
Add new comment