Rama: Kandidatura e Zhitit nuk tërhiqet; akuza presidentit

Postuar në 14 Shkurt, 2015 07:21

“Poet i rrallë. I burgosur politik i diktaturës. Shqiptar edhe më i rrallë. I vetmi deputet e ministër i Partisë Demokratike që s’ka fyer kënd dhe as ka shpifur për askënd. Një periudhë shërbimi në diplomaci me kontribut për kulturën. Botues i një volumi dinjitoz në italisht në nderim të Nënë Terezës”, është shprehur Rama në profilin e tij. 

Shefi i qeverisë i konsideron të papranueshme rezervat e shprehura ndaj figurës së Zhitit, e cila sipas tij është mirëpritur nga vetë Vatikani.

“Komisioni i jashtëm i Kuvendit i jep Visar Zhitit mbështetje pa asnjë rezervë. Vetë Selia e Shenjtë, përmes Nuncit Apostolik në Tiranë, na përcjell mirëpritjen më të ngrohtë për propozimin, me fjalët më të mira për kandidaturën”, vijon Rama. 

Më tej në mesazhin e tij Rama i cilëson si të pabaza pretendimet e presidentit të vendit, që refuzoi dekretimin e kandidaturës, se Zhiti ka cënuar kishën me një prononcim publik. 

“Argumenti i zotit president? Kandidati për ambasador i Republikës së Shqipërisë në Vatikan paska cënuar kishën me një prononcim publik! Një prononcim ky i fundit në fakt, krejt i pafajshëm dhe, njësoj si poezitë e pafajshme dikur, rifabrikohet si arsye e lartë shtetërore për të ndëshkuar Visar Zhitin”, vlerëson Rama. 

Ndonëse shprehet ngurrues për të komentuar veprimet e presidentit, një institucion sipas tij i rrënuar nga PD, kryeministri shton se përballë kësaj situate nuk mund të rrijë i heshtur. 

“Por sot, unë nuk mund të hesht dot në asnjë mënyrë. Sepse ky është ridënimi i Visar Zhitit. Fatmirësisht më i lehtë se i pari. Sepse poeti nuk do të kyçet në burg; djali nuk do të shkëputet për së gjalli nga nëna; bashkëshorti nuk do të ndahet me përdhunë nga gruaja. E megjithatë, ky ridënim është fatkeqësisht më i hidhur se dënimi i parë. Sepse një i dënuar i diktaturës komuniste për lirinë poetike nuk mund të ridënohet sot nga presidenti i Republikës së Shqipërisë për qëllime politike”, shton Rama në reagimin e tij. 
/ Top Channel 
 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.