Rama i rikthehet projektit të bregdetit, konkurs ndërkombëtar për Vlorën

Kryeministri Edi Rama i rikthehet projektit “Lungo Mare”, pas një shmangie vëmendjeje për shkak të debatit mbi armëtkimike. Në ditën e Pavarësisë, ai do të zbresë në Vlorë jo vetëm për aktivitetet e rastit, por edhe për të shpallur projektin e vijës bregdetare. Lajmi bëhet me dije nga zyra e shtypit të Kryeministrisë, ku thuhet se në orën 12:00, në Teatrin “Petro Marko” do të bëhet prezantimi i projektit “Lungo Mare”. Njëkohësisht, kryeministri Edi Rama do të shpallë konkursin ndërkombëtar për projektin e vijës bregdetare të qytetit të Vlorës. Ky prezantim rikthen vëmendjen tek ndërtimet me apo pa leje që nisin nga zona e Skelës e deri në “Ujin e Ftohtë”.
Operacioni pezull
Gjatë javëve të kaluara, INUK, i mbështetur edhe nga policia kanë shembur një numër të madh godinash, të cilat bien ndesh me këtë projekt. Kulmi i këtyre shembjeve u shënua me bllokimin e kompleksit “Jon” në Ujin e Ftohtë, vendim ky që u rrëzua nga Gjykata e Vlorës. Aktualisht, qeveria “Rama” ende nuk ka marrë një vendim se çdo të bëhet me këtë kompleks dhe nëse ai bie ndesh me projektin që do të prezantohet sot në Teatrin “Petro Marko” në Vlorë. Me këtë projekt, qeveria i rikthehet objektivit të saj të shpallur para zgjedhjeve të 23 qershorit, për vënien nën kontroll të territorit. Qyteti i Vlorës, edhe për shkak të kandidimit të Ramës atje është kthyer në një bast për të, lidhur me këtë objektiv tashmë të shpallur. Përpara këtij aktiviteti, kryeministri do të marrë pjesë në ceremoninë e ngritjes së Flamurit në Vlorë. Kjo ceremoni do të bashkojë si rrallëherë tre krerët e shtetit: Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta dhe vetë kryeministrin Rama. Sipas njoftimit për shtyp, ceremonia e ngritjes së Flamurit dhe vendosja e kurorave me lule në varrin e Ismail Qemalit do të bëhet në orën 11:00 të paradites.
Mapo
Add new comment