Propozimi nga SHBA: Thaçi-Daçiç dhe Ashton, kandidatë për “Nobel”

Një grup ligjvënësish amerikanë emëruan dje kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, si dhe shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Catherine Ashton, si kandidatë për çmimin “Nobel” të Paqes për vitin 2014. Në njoftimin e përbashkët të ligjvënësve Eliot Engel dhe Robert Aderholt, si bashkëkryetarë të grupit të çështjeve shqiptare në Kongres dhe ligjvënësve Ted Poe dhe Emanuel Cleaver, bashkëkryetarë të grupit të çështjeve serbe, thuhet se tre zyrtarët duhen nderuar me çmimin “Nobel” për rolin e tyre kritik për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë. Marrëveshja e prillit e këtij viti mes dy kryeministrave, theksojnë ligjvënësit, shënon një pikë kthese dramatike për Serbinë dhe Kosovën dhe për gjithë rajonin e trazuar të Ballkanit. Që nga tetori i vitit 2012, deri në fund të këtij viti, dy kryeministrat janë takuar rreth 20 herë me ndërmjetësimin e zyrtares së lartë të BE-së, duke arritur të bien dakord për çështje delikate mes të dy vendeve. Çështja e fundit për të cilën ata po përpiqen të arrijnë një kompromis është ajo për sistemin gjyqësor në komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe. Emërimet për çmimin “Nobel” mund të bëhen nga çdo individ ose organizatë e pranueshme për komitetin Nobel, ku përfshihen edhe ligjvënësit. Komisioni prej 5 anëtarësh që përzgjedh fituesin emërohet nga parlamenti norvegjez. Afati i emërimit është deri në muajin shkurt dhe fituesit shpallen në tetor.
Mapo
Add new comment