Prokuroria nis hetimet për “Belle Air”, Llalla: Po tërheqim dokumentacionin

Prokuroria e Tiranës nëpërmjet Njësisë Task Forcë ka nisur hetimet kryesisht ndaj kompanisë ajrore ‘Belle Air’ për dyshimet se kjo shoqëri mund të ketë mashtruar dhe si mund t’u jetë shmangur detyrimeve tatimore.
Lajmi konfirmohet nga Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla pas pyetjes së gazetarëve për këtë çështje, që bëri bujë përgjatë muajit nëntor, për shkak se qindra qytetarë mbetën në aeroport pasi kompania ndërpreu fluturimet për shkak të shpalljes së falimentit. I pyetur nga gazetarët, kryeprokurori Llalla tha se çështja ndodhet në fazën e marrjes së dokumentacionit.
Nga ana tjetër, kompania ajrore ka paraqitur edhe në Gjykatën Civile kërkesën për faliment, por jo me qëllim likuidimin e saj, por ristrukturimin deri në shlyerjen e të gjitha borxheve që i ka shtetit si dhe palëve të treta. Avokati i kompanisë, Avni Shehu, i tha gjykatës se kompania ‘Belle Air’ ka një detyrim prej 51.7 milionë eurosh, ndërsa asetet e kompanisë vlerësohen në shumën 60.3 milionë euro.
Kompania ndërpreu fluturimet në fund të nëntorit duke lënë në aeroport qindra qytetarë që kishin prenotuar udhëtimin tek kjo shoqëri. Qytetarët mundën të udhëtojnë drejt destinacioneve të tyre përmes kompanisë që mbuloi fluturimet e ‘Belle Air’, ‘Blue Panorama’, duke paguar një shumë shtesë prej 60 eurosh për segment.
Dita
Add new comment