Plani i Greqisë mbërrin tek Eurogrupi, kreditorët vendosin në mbrëmje
“Lista mbërriti në kohë”, ka njoftuar zëdhënësi i Komisionit Evropian.
Tani duhet që kreditorët ndërkombëtarë të aprovojnë listën në fjalë për t’i siguruar Greqisë zgjatjen me 4 muaj të periudhës së huadhënies.
Në këtë listë përfshihen masa me vlerë 7.5 miliardë euro që kanë të bëjnë me përballimin e krizës humanitare, si dhe me reformat me karakter financiar që përfshijnë: një sistem të drejtë tatimi, luftë ndaj evazionit fiskal, korrupsionit, kontrabandës së cigareve dhe karburanteve, rikonstruksioni i sektorit shtetëror dhe lufta ndaj burokracisë.
Gjasat janë që lista të marrë aprovimin e kreditorëve të martën në mbrëmje, me një telekonferencë të ministrave të Eurogrupit dhe më pas në disa parlamente europiane, por nuk përjashtohen edhe pengesa të mundeshme.
Kreu i KE, Jean Claude Juncker ka ripërsëritur se Greqia do të mbetet në Eurozonë, por duke zbatuar me përpikmëri programin, ndërsa zëdhënësi i qeverisë gjermane deklaroi të hënën se mund të gjendet një zgjidhje për çështjen e Athinës.
Në Greqi, pavarësisht se ka një dyjëzim të qytetarëve për mënyrën e negocimit të qeverisë Tsipras, shumica besojnë se Berlini ka qenë edhe njëherë tepër i ashpër me Athinën.
Nga ana e saj, Athina zyrtare përpiqet të shohë gotën gjysmë të mbushur, të paktën për katër muajt në vazhdim, të cilët janë quajtur nga shtypi grek si “120 ditët e reanimacionit”.
Shpresa e saj është të marrë sa më parë dritën jeshile të huadhënësve, në mënyrë që edhe të ndalojë hemoragjinë bankare, pasi vetëm javën e kaluar fluturuan nga bankat greke mbi 3 miliardë euro.
/ Top Channel
Add new comment