PD: Qëndrimi i Tahirit për vrasjen e Gazmir Markut, i turpshëm. Tahiri:Deklarata e pavend

Postuar në 04 Janar, 2014 07:39

Deklarata e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri pas vrasjes së Gazmir Tahirit, person i shpallur në kërkim dhe autor i plagosjes së një polici, është bërë burim deklaratash në distancë mes tij dhe opozitës.

Partia Demokratike i ka kërkuar ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, të reagojë dhe të kërkojë ndjesë për komentin e tij. Koordinatorja e selisë blu për mediat, Silvi Bardhi, në një dalje publike deklaroi se Tahiri duhet të japë shpjegime për sjelljen e tij, që sipas saj ishte një akt trupi për shtetin.

“Prej 5 ditësh, asnjë reflektim nga ana e Ministrit të Brendshëm, i cili ka mbajtur publikisht qëndrimin më të papjekur në historinë e shtetit shqiptar. Partia Demokratike i kërkon z.Tahiri të japë shpjegime e të distancohet menjëherë nga qëndrimi i tij mbi vrasjen e një qytetari nga policia, pasi sjellja e tij është një akt turpi për shtetin, për imazhin e vendit, dhe për vetë Policinë e Shtetit.

Është e pabesueshme që Ministri i Brendshëm të thotë bravo për një vrasje, ta konsiderojë Policinë e Shtetit si një organizatë që merr hak, dhe ta trajtojë ngjarjen si një çështje të brendshme, duke harruar ligjin dhe rregullat e shtetit. Partia Demokratike mbështet aksionet e policisë edhe kur ato sjellin pasoja ekstreme, nëse kjo është një masë e nevojshme për sigurinë e vetë policisë dhe të qytetarëve. Partia Demokratike mbështet reagimin e policisë kur është proporcional dhe në kushtet e parashikuara në ligj. Por është e pafalshme që Ministri i Brendshëm të predikojë vrasjen. Kjo nuk është sjellja e një ministri të një vendi që aspiron të integrohet në Bashkimin Europian. Me qëndrimin e tij publik, ministri Tahiri duket se ka ndërmend të instalojë në Shqipëri dënimin me vdekje, ta kthejë Shqipërinë mbrapa në kohën e praktikave të sigurimit të shtetit”,- tha Bardhi. Sipas PD-së sjellja e Tahirit është shenjë e delirit të madhështisë. “Veprimtaria e policisë së shtetit është e bazuar rreptësishtë në ligj, dhe nuk është një lojë luftash, siç zhvillohet në mendjen e ministrit Tahiri. Me qëndrimin e tij pas ngjarjes, Ministri i Brendshëm ka treguar se është një rrezik publik, dhe se nuk ka kthjelltësinë e pjekurinë e duhur për të mbajtur një detyrë kaq të rëndësishme. Duke qenë se deklaratat e Ministrave, përpara se të bëhen publike, kalojnë nga aparati qëndror i Edi Ramës, për fat të keq, kjo histori delirimi me pushtetin përfshin dhe Kryeministrin e vendit.

Kjo e bën edhe më të rëndë situatën, dhe më të pashpresë zgjidhjen. Kur një ministër çmendet publikisht, nuk i kërkon dot as kryeministrit që të marrë masa, pasi ai vetë ka dhënë liçencën për këtë dalldisje adoleshenteske. Prej 5 ditësh, asnjë reflektim, as nga ministri dhe as nga kryeministri. Partia Demokratike, edhe njëherë kërkon reagim publik, shpjegim publik dhe distancim publik të kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm, nga ky qëndrim tërësisht joeuropian i z.Tahiri. Vetëm një distancim i qartë publik, do të ishte një lehtësim për opinionin publik që është sot e kësaj dite i shqetësuar për komentet e qeverisë mbi vrasjen e një qytetari të dyshuar për vepra të rënda penale”,- deklaroi Bardhi.

I pyetur lidhur me deklaratën e Partisë Demokratike, ministri Tahiri deklaroi se nuk i heq asnjë presje komentit të tij dhe se kritika e PD-së është abuzive.

“Nuk kam koment të madh. Jam i hapur për sugjerimet e kujdo. Mirëpres çdo sugjerim nga opozita. Konstatoj që një deklaratë e tillë është e pavend dhe abuzive, e para sepse punonjësit e policisë së shtetit garantuan zbatimin e ligjit në kushte ekstreme përballë një personi që shfaqte rrezik publik. E përsëris pa asnjë presje edhe një herë falenderimin tim për punonjësit e policisë. Ne përfaqësojmë dy modele të ndryshme, opozita e sotme dhe Sali Berisha shpërblyen gardën që vranë të pafajshëm, ndërsa unë drejtova një falenderim publik për policinë që kryen detyrën dhe zbatuan ligjin për vrasjen e një krimineli. Koha ka ndryshuar, në kohën e tyre vriteshin punonjës policie, sot jo.

Ne bëjmë maksimumin që asnjë jetë e asnjë punonjësi policie të mos humbasë. Ata që guxojnë t’i kthehen policisë së shtetit me armë do marrin pas koston e veprimit të tyre Kriminal. Unë përsëris kërkesën time për çdo kontribut në rritjen e nivelit të sigurisë në vend. Deri më sot nuk kam parë asnjë falenderim për qeverinë për mbështetjen që i dha policisë së shtetit sa i përket buxhetit. Prirem të besoj se mbase edhe opozita ka vullnet të mire, por duhet ta tregojë”,- u shpreh Tahiri.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.