PD: Drejtori i OSHEE në Lushnje vjedh energjin, por Rama e ka mik
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/default_images/no-photo_0.jpg?itok=QGFmpan5)
Partia Demokratike ka denoncuar sot rastin e Drejtorit të OSHEE-së në Lushnje Dine Aliaj me pretendimin se nuk paguan energjinë që shpenzon me biznesin e tij në vlerën 1 milionë e 600 mijë lekë.
Kreu i grupit parlamentar i PD, Edi Paloka denoncoi rastin në fjalë duke u shprehur se ndaj drejtorit të OSHEE-së në Lushnje nuk është marrë asnjë masë për vjedhjen e energjisë.
Kjo pasi sipas Palokës, qeveria dhe konkretisht kryeministri Edi Rama nuk ndëshkojnë miqtë e tyre, por vetëm popullin e thjeshtë që vuan për bukën e gojës.
Në këtë drejtim Paloka, akuzoi se abuzuesit më të mëdhenj të energjisë janë vetë qeveritarët.
“Drejtori i OSHEE-së së Edi Ramës në Lushnjë ka favorizuar biznesin e tij, duke mos i paguar faturat e energjisë. Ky drejtor i Edi Ramës ka vjedhur të paktën 1 milionë e 600 mijë lekë. Ja ku është këtu fatura, që e nxjerr atë debitor. Cfarë ka ndodhur me drejtorin e Ramës. A është ai sot në burg, si dhjetra e qindra hallexhinj që nuk e paguajnë dot energjinë se nuk kanë bukë të hanë, sepse qeveria nuk ka hapur asnjë vend pune por ka mbyllur me mijëra? Jo nuk është në burg, është drejtor, është numri një i Energjisë për Lushnjën. Ky është modeli i Edi Ramës. Mbush burgun me të pamundur që nuk kanë njohje dhe s’kanë mundësi të paguajnë se nuk ushqejnë dot fëmijët, dhe shpërblen e bën shef të Energjisë, një hajdut, vetëm pse është miku i tij. Na thoni ju tani, kush i mbron hajdutët e energjisë? Opozita që kërkon t’u jepet të varfërve një mundësi për të paguar, sepse janë pa punë dhe pa të ardhura, apo Edi Rama që bën hajdutin e energjisë, drejtor të energjisë.” theksoi Paloka në fjalën e tij. Duke vijuar më tej, kreu i grupit parlamentar demokrat, u shpreh se humbjet më të mëdha në rrjet sot vijnë korrupsioni qeveritar dhe favoret klienteliste. Paloka u shpreh se opozita dënon sipas tij standardin e dyfishtë të Edi Ramës dhe pabarazinë para ligjit, duke paralajmëruar protesta të tjera të PD.
“Ky nuk është rasti i vetëm. Hajdutëria është mënyra se si qeveriset e si menaxhohet energjia në vend. Problemi më i madh me energjinë sot, është vjedhja që bëjnë njerëzit e Edi Ramës. Humbjet më të mëdha vijnë nga korrupsioni qeveritar dhe favoret klienteliste me energjinë, ku vetëm me një tender vidhen 7 milionë euro. Gropën më të madhe sistemit ia krijoi vetë Edi Rama me skandalin korruptiv të CEZ, duke i dhuruar kompanisë 600 milionë euro fatura ta pashlyera të njohura nga ajo vetë. Para që po u merren shqiptarëve me kërbacin e policisë dhe me burg. Partia Demokratike dënon me forcë standartin e dyfishtë të Edi Ramës dhe pabarazinë para ligjit. Qytetarët e varfër e të pamundur i fut në qeli, hajdutët e mëdhenj të energjisë i bën drejtorë. Ky është Edi Rama. Ndaj Shqipëria është në protestë, dhe protesta nuk ndalet.” tha Paloka
Add new comment