Pas këshillës “ecni në këmbë” Rama këshillon: Mos pini duhan, pije energjitike dhe alkol

Rritja e akcizës për duhanin nga qeveria e re është argumentuar nga Kryeministri Edi Rama si një tjetër masë për kujdesin ndaj shëndetit të qytetarëve. Gjithashtu si një kujdes ndaj shëndetit e ka parë Rama dhe vendosjes se akcizës ndaj pijeve energjitike dhe alkolit. Duke folur para grupit parlamentar të PS-së, Rama tha se për rritjen e akcizës ndaj duhanit, që pritet të sjellë rritje të çmimit, do të më falenderojnë dhe duhanpirësit pasi ulja e konsumit të duhanit do të jetë më mirë për shëndetin e tyre.
“Nuk i fshihemi rritjes së akcizës së cigares. Nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë atë që dëgjova nga opozita se qeveria i ka hapur luftë dashamirësve të duhanit. Ky ishte një nocion që na e dhanë këta që nuk ia kanë haberin dhe me një doktor në krye kanë nxitur duhanpirjen. Pijet alkoolike dhe energjetike do t’i vendosim në akcizë”, tha Rama. “Ne do dekurajojmë pirjen e duhanit se do rrisim akcizën e duhanit dhe kush do marrë frymë lirisht, do marrë falë nesh”, shtoi ai.
Ai tha se të gjitha këto taksa janë në përputhje me parimet e aleancës së majtë që ka marrë në dorë qeverisjen dhe në këtë kuadër rritet dhe akciza për pijet energjitike dhe alkolin. Të gjitha këto të ardhura, tha ai, do të shkojnë në investime për shëndetësinë e sektorë të tjerë të rëndësishëm.
Kryeministri Rama ka hedhur poshtë argumentet se nuk do të ketë rritje pensionesh e rrogash dhe sdo të ketë investime në buxhetin e vitit 2014.
MAPO
Add new comment