Paketa fiskale, biznesi amerikan kritikon qeverinë: Nuk pati konsultime

Biznesi amerikan ka kritikuar qeverinë në lidhje me paketën e re fiskale.
Dhoma Amerikane e Tregtisë shprehet e zhgënjyer nga lajmi se një paketë fiskale është duke u publikuar, ndërkohë që ka pak informacion zyrtar nga qeveria, duke mos lejuar Dhomën Amerikane dhe partnerët e tjerë të sektorit privat që të japin një opinion zyrtar mbi këtë paketë.
“Ndihet një shqetësim në rritje nga anëtarët e Dhomës prej mungesës së informacionit ose ekzistencës së informacionit konfliktual dhe impaktin që kjo paketë fiskale mund të ketë për bizneset shqiptare dhe vendimet e tyre të ardhshme për investim. Ky shqetësim shtohet me afrimin e fundit të vitit dhe mbylljen e vitit fiskal” thuhet në deklaraten e Dhomës Amerikane të Tregtisë.
Dhoma amerikane e Tregtisë i ka kujtuar qeverisë premtimin për dialog me biznesin ndaj i kërkon transparencë më të madhe në diskutimet mbi paketën fiskale, për të sqaruar dhe për të siguruar komunitetin e biznesit dhe investitorët e huaj.
“Biznesi Amerikan shpreh mendimin se politika e re fiskale duhet të nxisë investimet e huaja direkte dhe investimet lokale. Ndryshimi i menjëhershëm i sistemit fiskal, në mungesë të një debati publik efikas, mund të çojë në rritjen e evazionit fiskal.
Shqipëria duhet të tregojë se është një vend ku të gjithë paguajnë taksa sipas ligjeve në fuqi. Për këtë arsye, qeveria shqiptare nuk duhet të aplikojë paketën fiskale në datë 1 janar 2014, por duhet të lejojë më shumë kohë për konsultimin dhe zbatimin e saj”, thuhet në deklaratë.
Tema
Add new comment