Paketa fiskale, 60 mijë bizneset që përfitojnë nga skema e taksimit

Gazeta “Dita” zbardh të plotë skemën e taksave të biznesit të vogël dhe mënyrën se si do të funksionojnë ato në ndryshimet e reja fiskale për vitin 2014. Kjo kategori biznesi janë rreth 60 mijë tatimpagues, që përfitojnë një ulje të taksimit, sipas nivelit të xhiros vjetore. Në projekt propozimin për taksat e pushtetit vendor zbardhet në mënyrë përfundimtare dilema e taksimit të sipërmarrjes së vogël. Në nenin 12 të këtij projekti, theksohet se “shkalla tatimore e aplikueshme mbi të ardhurat e tatueshme, subjekt i tatimit mbi fitimin për biznesin vogël, me qarkullim nga 2 deri në 8 milion lekë është është 7.5 për qind dhe për subjektet me qarkullim vjetor nga 0 deri në 2 milion lekë është 1% e të ardhurave të tatueshme”. Biznesit të vogël do t’u njihen si shpenzime nga të ardhurat, të gjitha shpenzimet e kryera ose të lindura gjatë periudhës tatimore, që janë tërësisht të lidhura me qëllimin e biznesit.
Në relacionin e Ministrisë së Financave konkretizohen të gjithë shembujt se si do të aplikohet taksa për biznesin e vogël. Në nenin 1 dhe 2 të projektligjit propozohet shfuqizimi i taksës së biznesit të vogël dhe ndryshimi i mënyrës se tatimit. Aktualisht, për këta subjekte aplikohet shkalla tatimore 10% e tatimit mbi të ardhurat personale dhe i kreditohet taksa e biznesit të vogël që është paguar në bashki dhe komuna. Për të hequr këtë barrë tatimore të taksës vendore, në ligjin për sistemin e taksave vendore, Ministria e Financave ka propozuar heqjen e taksës së biznesit të vogël. Ky propozim/shfuqizim takse shoqërohet me ndryshimin në ligjin e tatimit mbi të ardhurat, në dispozita ligjore që lidhen me kreditimin e taksës së biznesit të vogël. Përpos kësaj, shkalla tatimore ulet nga 10% në 7.5%. “Aktualisht në Shqipëri zhvillojnë aktivitet si subjekte të biznesit të vogël rreth 60 mijë tatimpagues. Ndër vite, taksa e biznesit të vogël e ka humbur rëndësinë e saj dhe është shndërruar në një barrë të tepërt tatimore për këtë kategori biznesesh”, theksohet në relacionin e Ministrisë lidhur me ndryshimet e propozuara. Në këtë aspekt ministria gjykon se nga pikëpamja fiskale, “pagimi i kësaj takse tek bashkitë dhe komunat dhe më pas kreditimi i saj në administratën qendrore tatimore, në funksion të Tatimit të Ardhurave Personale ka rritur abuzivizmin, nënraportimet duke e bërë tatimin mbi të ardhurat personale të biznesit të vogël si një tatim josolid në sistemin fiskal”. Ndaj sipas Ministrisë së Financave “tatimi mbi të ardhurat personale i biznesit të vogël në normën prej 7.5% e fitimit të tatueshëm (diferenca midis të ardhurave dhe shpenzimeve të njohura fiskalisht) do të konsolidojë këtë taksë duke e pastruar nga kreditimi i taksës së biznesit të vogël, si dhe i ofron lehtësi tatimore kësaj kategorie”. Po kështu për këtë kategori biznesi do të ketë ndryshime thelbësore në mënyrën e llogaritjes dhe pagesës së kësaj takse. Kjo taksë do të jetë taksë vendore dhe do të mblidhet nga administrate tatimore qëndrore për llogari të administratës lokale.
Sa paguan sot një biznes dhe si do të paguajë pas 1 janarit
Sot një biznes i vogël paguan:
1. Taksa mbi biznesin e vogël që varion sipas xhiros vjetore dhe llojit të qarkullimit
2. Taksa mbi të ardhurat personale 10%
Shembull : Farmacia
Sot, një farmaci me xhiro vjetore 7.2 milion lekë, paguan 162 mijë lekë taksa vjetore e biznesit të vogël tek bashkia apo komuna, në katër këste tremujore. Në fund të vitit, farmacia dorëzon tek Tatimet qëndrore pasqyrën me të ardhura dhe shpenzime, diferenca i tatohet me 10% dhe Tatimi mbi të ardhurën personale për të paguar e ka 73 mijë lekë. Tatimit prej 73 mijë lek i zbritet taksa që ka paguar tek bashkia prej 162 mijë lekë, dhe farmacia merr rimbursim 89 mijë lekë.
Cfarë do të ndodhë më mënyrën e re të taksimit
1. Heqja e taksës së biznesit të vogël
Shembull: Farmacia
Farmacia me xhiro vjetore 7.2 milion lekë, nuk do të paguajë 162 mijë lekë taksë vjetore e biznesit të vogël tek bashkia apo komuna. Në bazë të pasqyrës së tij të të ardhurave dhe shpenzimeve, diferenca do t’i tatohet me vetëm 7.5% , pra 54 mijë lekë të cilat do t’i paguajë me 4 këste gjatë vitit. Kështu, biznesi i vogël nuk ka më dy administrata tatimore për të cilat paguan për të njëjtin aktivitet, por do të paguajë vetëm tek administrata tatimore qendrore. Përveçse taksës më të ulët, më pak kohë fizike dhe kosto monetare duhet të harxhojë kjo kategori biznesi për pagim taksash.
Cili është efekti në të ardhurat e qeverisjes vendore?
Efekti negativ në të ardhurat e qeverisjes vendore vlerësohet të jetë rreth 2 miliard lekë, efekt ky i cili do t’i kompensohet me tatimin mbi të ardhurat personale të biznesit të vogël, në masën 1.2 miliardë lekë, të cilin do ta mbledhë administrata tatimore qendrore për llogari të pushtetit vendor dhe 700 milionë lekë nga rritja e transfertës së pakushtëzuar.
Niveli i taksimit për biznesin e vogël
2 deri në 8 milion lekë është është 7.5 për qind
0 deri në 2 milion lekë është 1% e të ardhurave të tatueshme
Si do të bëhet pagesa
1. Tatimi i Thjeshtuar mbi Fitimin për biznesin e vogël llogaritet në bazë të Formularit të Deklarimit të të Ardhurave Personale të Biznesit të Vogël të një viti të mëparshëm, që kjo kategori biznesi ka kryer në bazë të ligjit nr.8438, datë 28.12.1998 ”Për tatimin mbi te ardhurat”, të ndryshuar”.
Për vitin 2014, Tatim Fitimi i Biznesit të Vogël llogaritet në bazë të Formularit të Deklarimit të të Ardhurave Personale të Biznesit të dorëzuar brenda datës 31 Mars 2013, dhe konkretisht tek “Fitimi i Tatueshëm”, drejtoritë rajonale tatimore përllogarisin Tatimin mbi Fitimin të Biznesit të Vogël për vitin 2014 me normën tatimore 7.5% dhe i njoftojnë subjekteve të taksës mbi fitimin së biznesit të vogël detyrimin tatimor për vitin 2014, duke e ndarë në katër këste, në Prill, Korrik, Tetor dhe Dhjetor.
Për vitin 2014, për të gjithë tatimpaguesit me qarkullim nga zero deri në 2 milion lekë në vit, në bazë të dhënave të njësive të qeverisjes vendore mbi qarkullimin e vitit 2013, drejtoritë rajonale tatimore llogarisin tatimin e thjeshtuar mbi fitimin në masën 1% mbi këtë qarkullim, për qarkullimin e duke e ndarë në katër këste, në Prill, Korrik, Tetor dhe Dhjetor.
Dita
Add new comment