Paketa Fiskale, 10 % TVSH më e ulët për barnat, rivendoset për karburantet

Postuar në 19 Dhjetor, 2013 03:23

Teprica kreditore e TVSH-së së rimbursueshme të tatimpaguesit, kalon nga administrata tatimore, që është aktualisht, te sistemi i thesarit, si dhe zgjatet afatit i kontrollit dhe aprovimit të tepricës kreditore nga 30 ditë, që është aktualisht, në 60 ditë

Ministria e Financave ka zbardhur dje të gjitha ndryshimet ligjore në paketën fiskale për vitin 2014 dhe që janë pjesë e debateve kuvendore. Shumë pjesë të kësaj pakete tashmë janë zbardhur nga media, pas nisjes së diskutimeve të tyre në Kuvend, por ajo që bie në sy është ulja e TVSH-së për barnat dhe rifutja e këtij sistemi në hidrokarbure. Arsyeja e këtij propozimi lidhet me rritjen e çmimeve të shërbimit shëndetësor dhe të barnave nga trajtimi i tyre me TVSH në masën 10% që prej vitit 2010.

Referuar të dhënave të INSTAT-it për indeksin e çmimeve të sektorit shëndetësor, para dhe pas prezantimit të TVSH-së prej 10%, rezulton se kjo reformë ka ndikuar dukshëm në rritjen e çmimit të barnave dhe shërbimeve shëndetësore, duke përbërë kështu një barrë direkte tatimore për pacientin shqiptar.

Sikurse vërehet nga të dhënat e INSTAT-it për indeksin e çmimeve të barnave dhe të shërbimeve shëndetësore të paraqitura në tabelë, vlera e tij është rritur dukshëm pas vitit 2009, kur ka filluar aplikimi i TVSH në masën 10%.

Kjo masë propozohet të fillojë aplikimin në 1 prill 2014, për arsye se gjatë tremujorit të parë të vitit 2014 Ministria e Shëndetësisë do të zhvillojë reformën e mirëmenaxhimit të skemës së barnave të rimbursueshme në Shqipëri.

Efekti financiar negativ në të ardhurat e vitit 2014 nga përjashtimi nga TVSH-ja për barnat, vlerësohet të jetë  minus 100 milionë lekë, efekt ky i cili balancohet me uljen e shpenzimeve buxhetore po për vitin 2014 për ISKSH-në.

 

Indeksi i çmimeve të shërbimeve shëndetësore

Emërtimi                    

2009    2010    2011    2012    2013

8mujor

Shëndeti           104.1   111.3   119.9   123.2   123.2

Medikamentet dhe produkte të tjera farmaceutike         101.9   106.5   112.9   116.5   116.1

Shërbime mjekësore, paramjekësore dhe dentare          121.1   142.9   165.7   168.3   170.4

Shërbime spitalore        102.8   111.7   120.9   123.8   123.8

 

Kompanive të hidrokarbureve u hiqen të gjitha përjashtimet

Paketa Fiskale e vitit 2014  heq çdo përjashtim nga taksat të sektorit hidrokarbur, nga tvsh, nga akciza dhe nga tatimi mbi të ardhurat personale të personelit të huaj. Efekti, sipas financave, do të jetë 1.5 miliardë lekë shtesë nga TVSH pritet vetëm nga heqja e këtyre përjashtimeve nga TVSH-ja. Konkretisht propozohet heqja e përjashtimit nga akciza të importit të lëndëve djegëse që shoqëritë hidrokarbure përdorin për nevojat e veta, me qëllim shmangien e abuzimeve me këtë përjashtim, duke importuar lëndë djegëse pa taksa dhe duke i shitur në treg. Për vitin 2012, kompanitë hidrokarbure kanë marrë përjashtimin nga akciza në shumën 4.7 miliardë lekë, ndërsa për 10-mujorin 2013, përjashtimi nga akciza i lëndëve djegëse që përdorin për nevojat e veta ka qenë 5.3 miliardë lekë. Efekti i vlerësuar në buxhet 2014, është vënë 3.5 miliardë lekë.

Lidhur me futjen në skemën e TVSH-në, financat sqarojnë se “Përjashtimi duhet hequr se ka rezultuar abuzues. Të gjithë duhet të futen në skemën e TVSH-së. Kompanitë e naftës janë eksportuese, kështu që TVSH e paguar në blerje, u rimbursohet 100% tek administrata tatimore. Në bazë të eksperiencave të vendeve naftënxjerrëse rezulton se Spanja, Australia, Danimarka nuk i përjashtojnë nga TVSH, kompanitë hidrokarbure; Azerbajxhani i përjashton nga TVSH me të drejtë kreditimi të TVSH. Përjashtim nga TVSH për të tilla shoqëri hidrokarbure aplikon vetëm Kameruni, Çadi dhe Algjeria”.

Në variantet fillestare të paketave, propozohej dhe rritja e rentës nga 10 në 15%, por që nuk u miratua në paketën përfundimtare. Për kompanitë e tjera koncesionare (përveç hidrokarbureve që e kanë me ligj 50%) u propozua fillimisht që tatim fitimi të bëhej 20%, por dhe ky variant nuk u miratua.

Zgjatet në 60 ditë kontrolli për TVSH-në e rimbursueshme

Neni 5, i projektligjit, propozon ndryshimin e mënyrës aktuale të pagesës së tepricës kreditore të TVSH-së së rimbursueshme të tatimpaguesit, duke kaluar nga administrata tatimore, që është aktualisht, te sistemi i thesarit, si dhe zgjatjen e afatit të kontrollit dhe aprovimit të tepricës kreditore nga 30 ditë, që është aktualisht, në 60 ditë.

Zbatimi i programit të qeverisë për pagimin gjatë vitit 2014 të të gjitha shumave të TVSH-së së rimbursueshme të tatimpaguesit shoqërohet me këto dy ndryshime të rëndësishme ligjore, për të garantuar procedura të sakta dhe moskrijimin e borxheve të tilla nga administrata tatimore për tatimpaguesin, për vitet në vijim.

Përpos sa më sipër, rimbursimi i TVSH-së nëpërmjet sistemit të thesarit synon:

1.  heqjen e diskrecionit të administratës tatimore në dhënien e rimbursimeve të TVSH-së;

2.  sigurimin e zbatimit të parimit kryesor të pagesës së TVSH-së të rimbursueshme “first in, first out”;

3.  uljen e korrupsionit.

Zgjatja e afatit të kontrollit dhe aprovimit të tepricës kreditore nga 30 ditë, që është aktualisht, në 60 ditë, synon dhënien më shumë kohë administratës tatimore në kontrollin e kërkesave të tatimpaguesve për tepricën kreditore të TVSH-së. Ulja e pragut të TVSH-së nga 8 milionë lekë në vit në 5 milionë lekë në vit, në vitin 2010, solli rritjen e numrit të tatimpaguesve subjekt i TVSH-së, duke rritur kështu numrin e kërkesave për tepricë kreditore të TVSH-së. Administrata tatimore shpeshherë ka qenë në pamundësi të respektimit të afatit ligjor prej 30 ditësh në kontrollin e këtyre kërkesave.

Ndërsa, për rastet kur në marrëveshjet financiare të ratifikuara nga Parlamenti ose në marrëveshjet e granteve të miratuara nga Këshilli i Ministrave parashikohet mospërdorimi i burimeve financiare të huaja për të paguar taksa e tatime (duke përfshirë ose jo tatimin mbi vlerën e shtuar), tatimi mbi vlerën e shtuar i paguar u rimbursohet financuesve të huaj nga sistemi i thesarit dhe jo më nga administrata tatimore, brenda 30 ditëve dhe jo më brenda 45 ditëve, siç është aktualisht.

 

 

DITA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.